Trump: SHBA-ja do ta udhëheqë Venezuelën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja do ta udhëheqë Venezuelën pas kapjes së presidentit Nicolas Maduro, transmeton Koha.net

“Ne do ta udhëheqim shtetin deri kur të mund të bëjmë tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur”, ka thënë ai në një konferencë për media të shtunën.

Trumpi po ashtu ka paralajmëruar këdo në Venezuelë se duhet ta kuptojnë se “ajo që i ka ndodhur Maduros, do t’u ndodhë edhe atyre, po që se sfidojnë dëshirën amerikane për shtet me lidership që i shërben popullit”.

Trumpi e ka quajtur diktator e terrorist Maduro. “Ka marrë fund”, ka thënë ai.

Trump ka thënë po ashtu se forcat amerikane kanë mundur edhe ta vrasin Maduron, po që se kjo do të ishte e domosdoshme.

“Ka mundur të ndodhte. Ai po përpiqej të futej në një vend të sigurt. Në një vend të sigurt, por ai nuk arriti të shkonte te dera sepse djemtë tanë ishin shumë të shpejtë”, ka thënë ai.

Më herët, Trump, ka publikuar fotografinë që e shfaq presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, me pranga në duar, të arrestuar nga forcat amerikane.

Në një postim në Truth Social ai ka publikuar fotografinë në të cilën Maduro shihet në veshje sportive “Nike” dhe me një ujë në duar.

Ai po ashtu ka sytë e mbyllur e kufje të mëdha në kokë.

Fotoja e publikuar nga Donald Trump në rrjetin social Truth Social

 

Është e paqartë nëse afër aty është edhe gruaja e tij, Cilia Flores.

Donald Tramp (Trump)Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Venezuela