Toshkovski: Sistemi në Gostivar do të duhet të hidroklorohet në mënyrë që uji të mund të përdoret për qëllime teknike, dhe pastaj për t’u pirë

Fillimisht do të bëhet hiperklorinimi i sistemit të ujësjellësit në Gostivar, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad” në Gostivar. Për plot 22 ditë, pompat kanë futur ujë të ndotur me fekale në rrjetin e ujësjellësit të qytetit, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) apeloi se uji ende nuk mund të përdoret në qytetin ku janë regjistruar mbi 3.150 të infektuar dhe ku prej 19 korrikut është shpallur epidemi, transmeton Portalb.mk.

Qeveria dje shpalli gjendje krize 30-ditore në Komunën e Gostivarit, me qëllim koordinimin më të shpejtë të institucioneve, rikthimin në funksion të sistemit të furnizimit me ujë dhe sigurimin e ujit të pijshëm në afatin sa më të shkurtër.

“Informacioni fillestar që kam marrë nga një pjesë e ekspertëve është se duhet të ndërmerret hiperklorinimi i sistemit, i cili brenda një periudhe të shkurtër duhet ta rikthejë rrjetin e ujësjellësit në gjendje normale, në mënyrë që fillimisht uji të mund të përdoret si ujë teknik, e më pas edhe si ujë i pijshëm”, tha Toshkovski.

Ministri, i cili drejton Komitetin Drejtues të Qeverisë, tha se menjëherë pas marrjes së vendimit ka kërkuar nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, që në Gostivar të dërgohen menjëherë ekipe ekspertësh nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, së bashku me dy sektorët përgjegjës të Qytetit të Shkupit – njëri për kontrollin e cilësisë së ujit dhe tjetri për ndërmarrjen e aktiviteteve të nevojshme për rikthimin e ujit në gjendje normale.

“Qëllimi është që sa më shpejt të konstatohet gjendja faktike aktuale dhe më pas të ndërmerren masat e duhura për rikthimin e cilësisë së nevojshme të ujit. Fillimisht të sigurohet ujë me cilësi të përshtatshme për përdorim teknik, e më pas, në fazën e dytë, ujë me cilësi për pije, të cilin fatkeqësisht aktualisht nuk e kemi. Pasi të përfundojnë të gjitha analizat dhe ekzaminimet gjatë ditës së sotme, nesër do ta informojmë opinionin për cilësinë e ujit të konstatuar nga ekspertët e Qytetit të Shkupit, jo vetëm për gjendjen e ujit, por edhe për masat që do të ndërmerren”, tha Toshkovski.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi se sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, edhe pardje ka vazhduar trendi i rënies së numrit të pacientëve të rinj, përkatësisht personave që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të gastroenteritit.

Në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit janë regjistruar 111 kontrolle të reja në Repartin Infektiv, 65 në Repartin e Pediatrisë dhe 7 në Qendrën Urgjente, gjithsej 183 kontrolle. Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë evidentuar 110 kontrolle, si dhe 25 thirrje në Ndihmën e Shpejtë.

“Gjatë ditës së djeshme numri i përgjithshëm i pacientëve të kontrolluar në spital është ulur për 38 përqind. Krahasuar me 19.07.2026, kur në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit u regjistruan 289 kontrolle, dje u evidentuan gjithsej 183. Njëkohësisht, numri i kontrolleve në Shtëpinë e Shëndetit vazhdon të bjerë – nga 315 pacientë më 18 korrik, në 275 më 19 korrik dhe 110 më 20 korrik”, tha Klekovski.

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar hapi hetim dhe kërkoi paraburgim 30-ditor për drejtoreshën e Ndërmarrjes Publike “Komunalec” të Gostivarit dhe për dy udhëheqës sektorësh, të cilët dyshohen për vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës. Kjo u bë e ditur në konferencën e djeshme për media në Gostivar, ku mori pjesë edhe prokurori shtetëror Nenad Saveski. Të tre dyshohen se kanë dhënë urdhër për vendosjen e pompave me të cilat uji i papastruar është përzier me ujin e pijshëm, duke shkaktuar sëmundje masive te qytetarët.

Pompat ishin vendosur në një kanal të hapur me qëllim rritjen e presionit të ujit në sistemin e ujësjellësit për Gostivarin dhe fshatrat përreth. Analizat e Institutit të Shëndetit Publik treguan praninë e baktereve koliforme dhe fekale në mostrat e ujit të marra nga kanali dhe nga stacioni i tejmbushjes. Brenda kapta zhit janë konstatuar 39 baktere koliforme, ndërkohë që sipas standardeve kjo vlerë duhet të jetë zero. Uji i marrë nga çezmat e konsumatorëve nuk ka treguar praninë e baktereve, por ka pasur nivel të klorit mbi kufijtë e lejuar.

Analizat zbuluan se uji ishte i ndotur rëndë, me rreth 48 herë më shumë baktere koliforme se maksimumi i lejuar. Niveli i klorit ishte 2,2 herë mbi kufirin maksimal të lejuar prej 0,5 mg/l, përkatësisht 3,7 deri në 5,5 herë mbi intervalin e rekomanduar prej 0,2–0,3 mg/l, të përcaktuar me rregulloren në fuqi.

Vepra penale për të cilën ndiqen tre të dyshuarit parashikon dënim me burg prej të paktën katër vjetësh. Sipas Prokurorisë, procedura hetimore është ende në fazën fillestare dhe do të përcaktohet lidhja shkak-pasojë ndërmjet epidemisë dhe rezultateve të analizave të ujit. Nëse sigurohen prova, hetimi mund të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë nga ndërmarrja, komuna ose institucionet e tjera kompetente, përfshirë edhe ata që kanë pasur detyrim ligjor të kontrollojnë rregullsinë e ujit.

Me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

GostivariMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Pançe ToshkovskiUji - ujë