Toga, muri dhe paratë

Një nga rastet më tronditëse që ka prekur së fundmi sistemin tonë të drejtësisë është hetimi ndaj një gjyqtari të Gjykatës së Apelit Shkup, i cili u vendos në arrest shtëpiak si i dyshuar për korrupsion. Shkak për këtë masë ishte zbulimi i 350 mijë eurove të fshehura në murin e shtëpisë së prindërve të tij, një fakt që ka tronditur opinionin publik dhe ka hapur sërish debatin për korrupsionin në gjyqësor.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim për gjyqtarin nën dyshim për pranim të shpërblimit për ndikim të paligjshëm, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Nga ana tjetër, mbrojtja pretendon se paratë i përkasin prindërve të tij dhe se ato janë fituar në mënyrë të ligjshme.

Parimi i prezumimit të pafajësisë vlen për këdo, edhe për gjyqtarët. Megjithatë, ky parim nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si justifikim për të heshtur për problemet strukturore që raste të tilla nxjerrin në pah.

Sipas autoriteteve hetimore, kjo ngjarje nuk u zbulua rastësisht, por si rezultat i një hetimi të gjatë, të ndërtuar pjesë-pjesë, si një mozaik informacionesh dhe indiciesh që çuan përfundimisht te muri pas të cilit u gjetën paratë. Ende nuk është sqaruar plotësisht origjina e shumës, dhe pikërisht kjo paqartësi e bën rastin edhe më problematik.

Fakti që bëhet fjalë për një gjyqtar apeli, një figurë që duhet të përfaqësojë autoritetin më të lartë moral dhe profesional të drejtësisë, e bën këtë çështje më shumë se një rast penal individual. Ai e kthen atë në një simbol të krizës së besimit që qytetarët kanë prej vitesh ndaj sistemit gjyqësor.

Do të ishte e lehtë, dhe e gabuar, ta trajtonim këtë skandal si një devijim individual, si një “mollë të kalbur” në një sistem përndryshe të shëndoshë. Por ky rast vjen në një kontekst më të gjerë, ku qytetarët prej kohësh ndiejnë se drejtësia nuk funksionon njësoj për të gjithë dhe se lidhjet, ndikimi dhe paratë shpesh peshojnë më shumë se ligji.

Veçanërisht shqetësues është fakti se ky rast lidhet me dyshime për ndërmjetësim dhe ndikim të paligjshëm në vendime gjyqësore, një praktikë tipike e krimit të organizuar, i cili nuk synon vetëm përfitimin financiar, por edhe kapjen e institucioneve. Kur krimi i organizuar arrin të ndikojë gjyqtarë apo prokurorë, nuk kemi më thjesht korrupsion individual, por rrënim të shtetit të së drejtës.

Një gjyqësor funksional nuk matet vetëm me numrin e procedurave të nisura, por me besimin publik që ai gëzon. Kur një gjyqtar dyshohet se ka pranuar ryshfet apo ka fshehur pasuri të paligjshme, dëmi nuk kufizohet vetëm në një dosje konkrete. Ai përhapet te çdo vendim gjyqësor, te çdo proces në vazhdim dhe te çdo qytetar që kërkon drejtësi.

Vendimi i Këshillit Gjyqësor për t’i hequr imunitetin dhe për ta suspenduar përkohësisht gjyqtarin tregon se mekanizmat institucionalë mund të funksionojnë. Por pyetja thelbësore mbetet: a janë këta mekanizma të mjaftueshëm për të parandaluar korrupsionin, apo vetëm për ta menaxhuar atë pasi skandali tashmë ka shpërthyer?

Nëse ka një mësim nga ky rast, ai është i qartë: korrupsioni nuk është abstrakt. Ai ka formë konkrete, shuma konkrete dhe pasoja konkrete. Sfida e vërtetë nuk është vetëm zbardhja e këtij rasti, por ndërtimi i një sistemi ku raste të tilla parandalohen, e jo vetëm ndëshkohen.

Nëse Maqedonia e Veriut synon me të vërtetë të bëhet një shtet funksional i së drejtës dhe të ketë një të ardhme evropiane, atëherë llogaridhënia në gjyqësor duhet të jetë reale, e dukshme dhe pa kompromis. Gjyqtarët nuk mund dhe nuk duhet të jenë mbi dyshimin publik, përkundrazi, standardi për ta duhet të jetë më i larti.

Sepse asnjë mur, qoftë real apo simbolik, nuk duhet të fshehë atë që i përket besimit publik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit