Sonte në Gostivar do të fillojë Festivali i Parkut në Gostivar (The Park Festival). Nga 1 deri më 3 gusht, edicioni i shtatë do sjellë përvojë që ndërthur muzikën, artin, kulturën dhe energjinë e të rinjve. Në skenë do të ngjiten emra të mëdhenj të muzikës vendase dhe ndërkombëtare, shkruan Portalb.mk.
Festivali multietnik dhe interdisiplinor është shndërruar tashmë në një traditë verore, që tejkalon kufijtë e një ngjarjeje muzikore, duke u bërë një hapësirë bashkimi mes kulturave, brezave dhe stileve të jetës.
Disa nga emrat që do të performojnë këtë vit përfshijnë: Enisa, Yll Limani, Aurela Gaçe, Tayna, Ghetto Geasy, Toni Zen & Revolution Band, Galoski dhe të tjerë.
Përveç këtyre emrave të mëdhenj, The Park Festival 2025 sjellë edhe shumë artistë të dëshmuar dhe promo artist, duke vazhduar misionin e tij për të promovuar talentet e rinj dhe për t’i dhënë atyre hapësirën që meritojnë në një nga skenat më të mëdha në rajon.
“Me një skenografi moderne, performanca nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, aktivitete të ndryshme, zona për fëmijë dhe ambiente relaksi në park, The Park Festival ofron diçka për secilin”, thonë organizatorët.
Biletat mund të merren në MKTickets.mk dhe në pikat zyrtare në të gjithë vendin.
Më tepër informata rreth programit gjeni në ueb-faqen e Festivalit si dhe faqen në Facebook.
“The Park Festival” organizohet që nga viti 2019 në parkun e Gostivarit, i njëjti mbështetet nga disa sponsorë, Komuna e Gostivarit dhe Ministria e Kulturës.