Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Tetovë u mbajt koncerti festiv “Festat e Nëntorit”, organizuar nga Institucioni Nacional “Ansambli Muzikor”, shkruan Portalb.mk.
Në sallën e Pallatit të Kulturës në Tetovë, artistët e ansamblit, solistët, kori dhe orkestra sollën para publikut një program të pasur artistik, kushtuar festave kombëtare dhe trashëgimisë muzikore shqiptare.
Drejtori i IN “Ansambli Muzikor” në Tetovë, Blerim Qamili, në një prononcim për Portalb.mk, vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti kulturor dhe interesimin e publikut tetovar.
“Koncerti festiv i IN ‘Ansambli Muzikor’ Tetovë u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku tetovar, i cili na nderoi me pjesëmarrjen dhe përkrahjen e tij. Ky koncert iu kushtua Festave të Nëntorit, një muaj të shenjtë dhe me rëndësi të veçantë historike e kombëtare për shqiptarët. Përmes muzikës, sollëm para publikut vepra që pasqyrojnë kulturën, identitetin dhe trashëgiminë tonë artistike.
Programi përfshiu krijime të kompozitorëve të njohur shqiptarë, ndër to ‘Porsi fleta e ejllit t’Zotit’, ‘Valle simfonike nr. 2’, ‘Valsi i lumturisë’, ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, ‘Për ty, atdhe’, ‘Loja’, ‘Baresha’, ‘Margjelo’, ‘Agimet shqiptare’, ‘Koncert për violinë’, ‘Liri a vdekje’ dhe Suitën ‘Skënderbeu’. Veprat sollën një udhëtim muzikor nga këngët dhe motivet shqiptare te muzika simfonike, duke shpalosur pasurinë e krijimtarisë sonë.
Një performancë të mrekullueshme dhuruan artistët e ansamblit dhe solistët Lejla Beqiri, Leotrim Zejnula, Dajana Malollari Pajaziti, Shkëlzen Pajaziti dhe Jetmir Rexhepi, nën drejtimin e dirigjentëve Agona Çupi dhe Premtim Etemi.
Në emër të Ansamblit, falënderoj publikun tetovar për mirëpritjen e ngrohtë, si dhe të gjithë artistët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e këtij koncerti. Kjo mbështetje na motivon të vazhdojmë të promovojmë muzikën dhe vlerat tona kulturore”, tha Qamili.
Përmes interpretimit të veprave të përzgjedhura nga krijimtaria muzikore shqiptare, koncerti solli në vëmendje pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore, duke i dhënë një dimension artistik shënimit të festave kombëtare.
Ky aktivitet kulturor, i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, ishte pjesë e manifestimeve që organizohen me rastin e festave të nëntorit në Maqedoninë e Veriut.