Temperaturat ekstreme janë më të rrezikshme për personat mbi 60 vjeç sesa mendohej më parë

Personat e moshës 60 vjeç e lart përballen me rreziqe për shëndetin nga ekspozimi ndaj nxehtësisë në temperatura shumë më të ulëta sesa mendohej më parë, ka treguar një studim, raporton The Guardian.

Të moshuarit do t’i ndiejnë pasojat më të rënda të periudhave gjithnjë e më të shpeshta dhe më të gjata të të nxehtit ekstrem në mbarë botën, ndërsa planeti vazhdon të ngrohet, thuhet në një studim të publikuar në revistën “The Lancet Public Health“.

Valët e të nxehtit do të shkaktojnë te një numër i madh dhe gjithnjë në rritje njerëzish në mbarë botën, nga të gjitha grupmoshat, gjendje të stresit termik të pakompensueshëm (UHS), gjendje në të cilën trupi humb aftësinë për t’u ftohur, duke rritur rrezikun për pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë edhe vdekjen.

“Rezultatet tona tregojnë se, nëse merret parasysh cenueshmëria sipas moshës, nxehtësia e padurueshme do të shfaqet në zona shumë më të mëdha dhe do të zgjasë më shumë, duke prekur një numër shumë më të madh njerëzish sesa mendohej më parë“, thuhet në studimin e udhëhequr nga studiues të shëndetësisë nga Universiteti Stanford në Kaliforni.

Dihet se të moshuarit janë më të rrezikuar gjatë temperaturave shumë të larta. Ata djersiten më pak, zemra e tyre punon më shumë gjatë nxehtësisë, ndërsa enët e gjakut zgjerohen më vështirë, gjë që kufizon aftësinë e organizmit për t’u ftohur.

Megjithatë, studimet e mëparshme nuk i kishin dalluar siç duhet rreziqet e ndryshme me të cilat përballen të rinjtë e moshës 15 deri në 39 vjeç, personat e moshës së mesme (40–59 vjeç) dhe të moshuarit (60 vjeç e lart).

Arsyeja është se në këto studime ishin përdorur pragje të temperaturës në të cilat njerëzit nuk janë më në gjendje të ruajnë ekuilibrin termik, pragje që ishin të sakta për të rinjtë, por që ishin aplikuar për të gjitha grupmoshat. Kështu, ishte neglizhuar cenueshmëria më e madhe e të moshuarve, për shembull, ndaj sulmit në zemër.

Plak(ë) PleqTemperatura të larta