Teherani zyrtar sot e paralajmëroi sërish Bullgarinë lidhur me vendosjen e avionëve cisternë për furnizim me karburant të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara në një bazë ajrore në territorin e saj, transmeton Euronews.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmail Bagaei, deklaroi se autoritetet bullgare duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë vendim, i cili mund ta bëjë vendin bashkëpërgjegjës në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
“Vendimmarrësit bullgarë duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë vendim të pajustifikuar dhe të rrezikshëm, i cili praktikisht mund ta reduktojë vendin e tyre në rolin e një bashkëpjesëmarrësi”, tha ai.
Ai shtoi se Bullgaria edhe më herët u kishte lejuar avionëve amerikanë, të cilët mbështesnin sulmet ndaj Iranit, të përdornin aeroportin e Sofjes.