Përfaqësuesit e Komunës së Kumanovës, bashkësisë lokale në fshatin Pçinja dhe Ndërmarrjes Publike “Pastërti dhe Gjelbërimi” janë pjesë e grupit të punës që do të punojë për zgjidhjen e problemeve që shfaqen nga deponia “Krasta”, ku grumbullohen mbeturinat e Kumanovës, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Banorët në këtë takim kanë dorëzuar 16 kërkesa, ndërsa u premtua që kërkesat e para që do të realizohen janë ato të nevojshmet.
Kryetair i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka premtuar që do të derdhet një sasi e dheut në deponi, me qëllim parandalimin e zjarrit gjatë kësaj periudhë, do të pastrohet rruga rajonel Kumanovë – Pçinjë, ndërsa në shtator pritet pyllëzimi i deponisë.
Ai paralajmëroi edhe rrethimin e deponisë, vënien e kamerave dhe instalimin e ujësjellësit kundër zjarrit, por realizmin e tyre, duhet të bëhet rebalanci i buxhetit në Këshillin e Komunës.
Banorët kanë theksuar se kërkesat e tyre janë të realizueshme dhe as që kërkojnë mjete të mëdha.
Banorët e disa fshatrave të Kumanovës para një jave dolën në protestë dhe bllokuan hyrjen në deponi pasi një zjarr i madh rrezikoi të përfshij zonat bujqësore dhe të përhapet në fshatra.
Deponia e Krastës duhet të mbyllet pasi deponia moderne e përpunimit të mbeturinave në Sveti Nikollë të jetë funksionale për nevojat e rajonit verilindor, por projekti ka ngecur me dekada.
Si rezultat i djegies së deponisë “Krasta”, Ndlrmarrja Publike e Kumanovës “Pastërti dhe Gjelbërim” javën e kaluar (19.06.2024) mbeturinat i hodhën në deponinë e egër në Nikushtakë të Komunës së Likovës. Kamera e Portalb.mk e kapi këtë moment, pasi në ato çaste ishim aty për të raportuar mbi problemin e deponisë në Nikushtakë, për të cilën autoritetet me vite nuk po gjejnë zgjidhje, pavarësisht premtimeve.