Të shtunën (7 dhjetor) me fillim nga ora 19:00 në Teatrin e Gostivarit do të jepet premiera e komedisë “Shërbëtori i dy partive’’ me autor Sasho Kokallanov dhe nën regji të Besfort Idrizit, njofton Portalb.mk.
Regjisori i shfaqjes Besfort Idrizi për Portalb.mk tha se shfaqja flet shumë për rrethanat tona, për mënyrën e jetesës këtu te ne, në përgjithësi për sfidat me të cilat ballafaqohemi çdo ditë.
“Në këtë shfaqje bëhet fjalë për një komedi dhe satirë, e cila flet për gjendjet politike, kryesisht lokale në Gostivar por edhe jo vetëm që shumë gjëra që ndodhin në nivel lokal nuk mbeten të jenë aq të izoluara vetëm në nivel lokal, por shfaqen apo edhe ndodhin në vende të tjera, madje krijohen edhe fenomene tëra që kanë të bëjnë me gjendjen tonë politike, në mënyrën e sundimit te ne, në mënyrën se si politika luan rolë dominant në jetën tonë e kështu me radhë. Me një fjalë është një shfaqje e cila është komedi thumbues, komedi politike dhe që flet për shumë gjëra politike këtu tek ne”, tha Idrizi.
Se sa kanë arritur që ti paraqesin këto probleme nëpërmjet shfaqjes Idrizi edhe me tej shtoi:
“Besoj se ja kemi arritur po mbetet që publiku ta vlerësojë, përndryshe mendoj që së pari teksti është mjaft aktual, ju referohet ngjarjeve aktuale dhe fenomeneve këtu tek ne, janë të gërshetuara të gjitha etnitë. Ajo që është e veçantë për këtë komedi, është se kjo shfaqje është ndërkulturore, shfaqje në të cilën që jo vetëm personazhet janë të të gjitha etnive që janë prezentë në shtetin tonë, por edhe flitet në më tepër gjuhë ne shfaqje, kështu që në mënyrë shumë të natyrshme flitet maqedonisht, shqip, turqisht, por ka edhe skena që janë në anglisht dhe në gjuhë tjera, por personazhet janë ashtu siç i gjejmë në përditshmërinë tonë, sidomos në Republikën e Maqedonisë së Veriut, personazhe të cilat ju takojnë të gjitha etnive, dhe varësishtë me kë flasim atë gjuhë e përdorim”.
Në shfaqje luajnë aktorët: Bereda Reşit, Kujtime Ahmeti, Vullnet Ismani, Driton Lazami, Мarko Dojoski, Arian Ejupi, Afrodita Xhaferi, Irenda Ilievska, Elizabeta K. Mlladenovska dhe Besnik Rushiti.
Për gjithë artëdashësit të cilët janë të interesuar të jenë pjesë e kësaj komedie hyrja kushton 200 denarë.
Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës së RMV-së.