BE-ja do të padisë BM-n dhe dy kompani evropiane për shkak të sistemit problematik të hyrje-daljeve në kufij

BE-ja ka ngritur padi kundër kompanisë IBM dhe dy kompanive të tjera të përfshira në sistemin problematik të menaxhimit të kufijve, zbulon një dokument i brendshëm, raporton Reuters.

Agjencia e BE-së për teknologjinë e informacionit, EU-Lisa, vitin e kaluar ngriti padi kundër IBM-it, kompanisë franceze të IT-së Atos dhe kontraktorit italian të mbrojtjes Leonardo. Të treja janë pjesë e konsorciumit përgjegjës për zbatimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Hyrje-Daljeve të BE-së (EES), i cili u lansua në tetor të vitit 2025.

Zbatimi i sistemit u përball me vështirësi të konsiderueshme. Disa udhëtarë gjatë periudhave me fluks të lartë humbën fluturimet për shkak të vonesave, për të cilat u fajësuan teknologjia e re dhe mungesa e personelit në kufij.

Vendimi i agjencisë për t’i paditur kompanitë u bë i ditur në raportet e saj të fundit financiare vjetore, ku thuhet se “pas vonesave të ndryshme në dorëzimin e EES-së nga konsorciumi kontraktues, agjencia aktivizoi mekanizmat kontraktualë dhe ligjorë në dispozicion për të mbrojtur interesat e saj financiare”.

EU-Lisa njoftoi se më 22 dhjetor 2025 është paraqitur padi në një gjykatë në Estoni, ku ndodhet selia e saj. Agjencia është kontaktuar për të dhënë një koment.

Që nga lansimi, sistemi është përballur me probleme të shumta. Aeroportet janë ankuar për kioska jofunksionale të EES-së dhe ndërprerje të shpeshta të sistemit, të cilat kanë shkaktuar pritje deri në tri orë gjatë periudhave me fluks të lartë.

Padinë fillimisht e publikoi “Financial Times”, i cili citoi agjencinë të ketë thënë se nuk komenton çështjen gjyqësore, duke theksuar se ajo “nuk ndikon në funksionimin e Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES), i cili është plotësisht funksional në të gjithë Evropën”.

Komisioni Evropian tha se nuk është palë në këtë rast, por vuri në dukje se bëhet fjalë për “vonesa në dorëzimin e EES-së gjatë kohës së zhvillimit të sistemit” dhe se çështja “nuk ka të bëjë me funksionimin e EES-së”.

Sistemi ka shtuar kontrollet e sigurisë për udhëtarët që hyjnë në BE nga vende jashtë zonës së saj të udhëtimit pa kufij. Para se t’u lejohet hyrja në zonën Shengen, udhëtarëve duhet t’u fotografohet fytyra dhe t’u skanohen shenjat e gishtërinjve. Zona Shengen përbëhet nga 25 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, si dhe nga Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Kontrollet vlejnë për personat që nuk janë shtetas të njërit prej 29 vendeve anëtare të zonës Shengen, Irlandës ose Qipros.

Bashkimi Evropian (BE)ETIAS - EES