“Të lirë” dhe Lea Ypi në Tetovë: Përpjekjet individuale nuk kanë kuptim nëse nuk ndryshojnë jetët e tjerëve

“Liria është një proces kërkimi i lirisë, ndërgjegjësim i domosdoshmërisë, liria në një kontekst si Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo si të gjithë vendet tjera postkomuniste është një liri e përjetuar në tragjedinë e kërkimit të lirisë. Vetëm nëpërmjet njohjes historike dhe filozofike të këtyre tragjedive ne mund të arrijmë në një pikë që të bëjmë të mundur që këto tragjedi të mos përsëriten më”. Kështu deklaroi Lea Ypi, autorja e librit “Të lirë” i cili u prezantua nga vetë ajo përballë publikut në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Autobiografia e Ypit e cila ngriti një sërë debatesh dhe pyetjesh rreth librit dhe jo vetëm, sot u prezantua në Tetovë ku vetë autorja njoftoi dashamirët e librit rreth këtij botimi, por jo vetëm.

Libri ka folur shqip përtej Shqipërisë, vazhdon të flet shqip përtej kufijve administrativ dhe politik të Shqipërisë, kështu deklaroi autorja Ypi.

“Ideja kryesore e librit është që të kërkosh lirinë, pra të jesh i lirë do të thotë ta kërkosh lirinë. Ndonjëherë e kërkojmë me sakrifica të jashtëzakonshme, me gjak, e kërkojmë bashkërisht dhe e kërkojmë përmes dijes, pasi dija është armë”, tha Ypi.

Lea Ypi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ajo theksoi se debati ingritur nga libri, do t’i kontribuonte kulturës shqiptare dhe do t’i shërbente procesit që po ndodh në vendet post komuniste për tu munduar për të kuptuar të kaluarën e përbashkët. Prandaj vendosi ta quajë “Të lirë”, edhe nëntitulli siç thotë ajo është ironik “Të ritesh në fund të historisë”.

“Libri ka një simetri ku trajtohet liria nga aspekti i ideologjisë socialiste dhe në pjesën tjetër ku tema e lirisë trajtohet nga këndvështrimi i ideologjisë liberale/kapitaliste. Ku mendimi im gjatë shtjellimit të kësaj çështjeje ka qenë që ne duhet të dallojmë midis lirisë si ideal moral dhe lirisë si ideologji dhe interpretim nga pushteti i çfarë do të thotë të jesh i lirë”, deklaroi Ypi.

Libri “Të Lirë” nga Lea Ypi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ajo që libri mundohet të shtjellojë është që çfarë ndodh në këtë përplasje midis lirisë si ideal dhe si ideologji dhe cilët janë tragjeditë dhe pasojat te të gjithë ata që i përjetojnë në këto kushte. Qasja është nga këndvështrimi i një fëmije të vogël që në këtë rast është vetë autorja pasi libri është autobiografik.

“Ideja kryesore ishte që të përcillet një debat midis lirisë, nëpërmjet dialogëve të personazheve kryesorë të librit që janë familja, mësuesja e shkollës, ekspertët ndërkombëtar që vijnë në Shqipëri pas viteve 90. Të gjithë këto personazhe e kuptojnë lirinë në një mënyrë. Në fund të librit lexuesi duhet të pyes veten se cili është këndvështrimi i tij pasi që ka parë të gjitha këto interpretime dhe pasi ka parë konfliktet që gjerojnë këto interpretime”, tha Ypi.

Zgjedhja e personazhit naiv fëmijëror që është në qendër të librit ishte për arsye se fëmija nuk ka opinione të veta politike, siç thekson Ypi, një fëmijë e interpreton realitetin përmes atyre që i thuhet.

“Në rastin e librit, ajo që i thuhej këtij fëmije në periudhën komuniste nga shteti nga njëra anë përmes strukturave të shkollës-kopshteve dhe ajo që i thuhet nga familja bien ndesh me njëra tjetrën. Kjo e bën të flasë dhe të shtrojë çështje rreth lirisë që nuk i shtronte një zë i pjekur i rritur që e kishte kuptuar se çfarë do të thoshte liria, pra është dikush që është në kërkim”, tha Ypi.

Lea Ypi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Botuesja e librit, Arlinda Hovi Dudaj theksoi se momenti i parë që është ndeshur me këtë libër, sapo filloi ta lexonte, kuptoi se ky kishte qenë libri që ajo prisja të botoja në tridhjetë vjet.

“Ky është një libër që e kisha kërkuar, nuk e kisha gjetur dhe në atë moment që e pata në dorë thash po ky është libri, këtu brenda është jeta ime, është sikur dikush të ketë folur për jetën time. Është një libër që unë mendoj se do ta lexojë secili nga ne për shumë arsye. Ky është një libër që të prek dhe të futet në çdo qelizë të trupit. Është historia jonë, por edhe e shumë vendeve që kanë kaluar sisteme basë jo kaq të tmerrshme sa ky i yni. Ky libër ka udhëtuar në 28 gjuhë”, tha Dudaj e cila theksoi se ky libër “nuk ka kohë, është i pakohë, do të lexohet gjithmonë”.

Lea Ypi dhe Arlinda Hovi Dudaj. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

E pyetur nga të pranishmit dhe lexuesit e librit të saj nëse do të ketë vazhdim libri, Ypi tha se nuk do ndalojë aty dhe se do të ketë vazhdim por i cili do të jetë një fillim tjetër ku ngritën pyetje tjera. Ypi pohoi se libri i radhës do të jetë rreth shtet ndërtimit shqiptar nga rënia e Perandorisë Osmane, ajo theksoi se si metodë do të jetë i ngjashëm me librin “Të Lirë”.

Duke treguar eksperiencën e saj dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar, Lea Ypi përcolli mesazhin te të gjithë të rinjtë që historitë e individëve dhe historitë e suksesit të individëve të mos ndahen si histori suksesi ku thuhet se nëse ti punon, studion, kërkon, ngul këmbë atëherë do t’ia dalësh, sepse nuk ia dalën të gjithë.

“Në shoqëri ja dalin vetëm ata që punojnë bashkë me të tjerët, vetëm ata që mundohen të inkurajojnë të tjerët, të hapin rrugë”, tha Ypi.

Mesazhi që Ypi u përcolli gjithë studentëve por edhe të rinjve ishte “mos mendoni vetëm për veten tënde, sepse edhe në qoftë se ja del dikush si individ, në një shoqëri ku të tjerët nuk ia dalin edhe ata përpjekjet tua individuale nuk kanë shumë kuptim në qoftë se nuk ndryshojnë edhe jetët e të tjerëve”.

Të gjitha këto komente Ypi i dha nga takimi me lexuesit dhe prezantimi i librit “Të lirë” në Universitetin e Tetovës. Në një moment deri sa luhej një pikë muzikore, ku solistja këndonte këngën e Vaçe Zelës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, Ypi u emocionua dhe i dolën disa pika loti.

Promovimi i librit “Të lirë” nga Lea Ypi në Universitetin e Tetovës (UT)

Ndryshe, Lea Ypi e lindur më 8 shtator 1979 është autore dhe akademike shqiptare. Ajo është profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics. Ajo u emërua së fundmi nga revista britanike Prospect një nga dhjetë mendimtarët më të mirë në botë dhe nga Frankfurter Allgemeine Zeitung si një nga personalitetet më të rëndësishme kulturore të vitit 2022. Vepra e saj është përkthyer në 27 gjuhë.

Kulturë lajmeLea YpiLibraUniversiteti i Tetovës (UT)
Comments (0)
Add Comment