Stop për Usjen nesër me protestë të re: Kur institucionet heshtin, qytetarët flasin

Nën moton “Eja në bllokadë kundër helmimit nga Usja”, iniciativa Stop për Usjen, nesër, të mërkurën më 21 janar, nga ora 18:00, sërish do të mbajë tubim protestues në kryqëzimin e bulevardeve “Boris Trajkovski” dhe “Serbia”, me drejtim nga Fabrika e Çimentos Usje, transmeton Portalb.mk.

Iniciativa rikujton se kërkesat e tyre u janë dërguar disa institucioneve që më 29 dhjetor, por deri më tani ka vetëm heshtje. Siç thonë ata, askush nuk ka reaguar dhe as nuk ka marrë përgjegjësi.

“Kjo nuk është më një dështim institucional, kjo është injorim i vetëdijshëm i shëndetit publik dhe i të drejtave të njeriut. Kur institucionet heshtin, qytetarët flasin. Kur nuk ka përgjigje, ka bllokada… Kjo është paralajmërimi i fundit. Shëndeti nuk është çështje për t’u injoruar. Ajri nuk është privilegj. Heshtja nuk do të kalojë”, njoftuan nga Stop për Usjen.

Para disa ditësh, nga kompania “TITAN Usje” përsëritën se emetimet nga veprimtaria e tyre janë vazhdimisht nën vlerat kufitare të përcaktuara me ligj dhe se që nga viti 2007 ato monitorohen 24 orë.

“Kompania nuk ka mundësi të ndikojë në asnjë mënyrë mbi rezultatet. Procesi teknologjik e pamundëson funksionimin e repartit pa funksionimin e filtrave”, thanë nga TITAN Usje.

Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.

Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura. 

Mjedisi jetësorProtestaUSJE