Spitali modular në Klinikën Infektive në Shkup do të përdoret nga Burgu i Idrizovës ose Ministria e Mbrojtjes

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari njofton se po shqyrtohet nëse spitali modular i vendosur në Klinikën Infektive në Shkup do të merret nga Ministria e Mbrojtjes apo do të transferohet në Burgun e Idrizovës, raporton MIA, transmeton Portalb.mk.

Sot në pyetjet e gazetarëve, Taravari ka treguar se ka vendim të Qeverisë për marrjen e spitalit modular nga Ministria e Mbrojtjes, por se duhet ambulancë edhe në Burgun e Idrizovës.

“Sa i përket spitalit modular të Klinikës Infektive, tashmë ka vendim të qeverisë me të cilin Ministria e Mbrojtjes duhet ta marrë atë spital. Ekziston një ide tjetër sepse në burgun e Idrizovës duhet spital. Tani jemi në dilemë nëse atë spital modular ta transferojmë atje për të shërbyer si ambulancë në Burgun e Idrizovës”, tha Taravari gjatë vizitës në Spitalin e Shtipit.

Për spitalin modular në Shtip, i cili funksionon që nga marsi i vitit 2021, Taravari tha se duhet menduar në mënyrë racionale se si të përdoret aty ku ka nevojë.

Gjatë pandemisë Covid, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë u ndërtuan spitale modulare në 16 qytete të vendit. 

Spitali modular pranë Klinikës Infektive në Shkup që do të hiqet, në atë vend do të bëhet leximore për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, tha ministri i Shëndetësisë Arben Taravari më 12 korrik, pas takimit me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Svetozar Antoviq.

Spitali modular në vendin e barakave të vjetra të nxënësve është ndërtuar nga “Brako” i Velesit në maj të vitit 2020 gjatë pandemisë Covid-19, ka pasur 72 shtretër dhe është përdorur për shtrimin e pacientëve me Covid. Qeveria zvicerane dhuroi 200,000 franga zvicerane për ndërtimin e saj.

Arben TaravariBurgu i IdrizovësMinistria e Mbrojtjes (MM)Ministria e Shëndetësisë (MSH)