Spasovski: Ligji për “branitellat” mund të miratohet nëse VMRO-ja dhe ZNAM votojnë “për”

Projektligji për “branitellat” mund të miratohet nëse VMRO-DPMNE dhe ZNAM votojnë “për”, thotë deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, transmeton Portalb.mk.

“VMRO-DPMNE si parti që e përfaqëson qeverinë ka deklaruar se ofron mbështetje absolute për miratimin e ligjit, është edhe ZNAM që është pjesë e koalicionit qeveritar. Nëse ai vullnet i shprehur në mënyrë deklarative është real, ligji mund të miratohet dhe të gjitha këto çështje të zgjidhen përmes dialogut politik. Ligjin e kemi miratuar me procedurë të shkurtuar, Kuvendi është deklaruar dhe tani është në rend dite”, tha Spasovski në paraqitjen e mbrëmshme në televizionin Alsat M.

I pyetur se pse deputetët e LSDM-së e kanë dorëzuar propozimin – ligjin për kompensimin e “branitellave”, Spasovski tha se kjo është për shkak se tani mund të sigurohet mbështetje më e gjerë në radhët e deputetëve, aq më tepër që VMRO-DPMNE dhe ZNAM kanë deklaruar se e mbështesin.

Lidhur me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski se ky projektligj është pjesë e skenarit të destabilizimit së bashku me tensionet në Vrapçisht rreth kishës, Spasovski tha se pretendimet e tilla në publik pa asnjë bazë përdoren vetëm për qëllime ditore politike.

“Së pari duhet të ekspozojmë këto të pavërteta që shfaqen në publik. Kemi një kryeministër që thotë se po përgatitet destabilizim dhe për të cilin kanë pasur informacione serioze dhe ministri i Punëve të Brendshme e konfirmon atë informacion, ndërsa institucionet nuk marrin asnjë masë. Nëse keni njohuri që mbështeten me fakte, argumente dhe prova, duhet të dini se cilët janë ata njerëz që duan të destabilizojnë. Shtrohet pyetja pse nuk po reagojnë institucionet?”, tha Spasovski.

Sipas tij, nëse bëhet fjalë për prishje të rendit kushtetues, prishja e sigurisë, e paqes, e stabilitetit duhet veprim i menjëhershëm dhe jo të presim që të ndodhë destabilizimi.

“Dorëzimi i projektligjit për “branitellat” nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari”, tha Spasovski.

I pyetur për ngjarjet rreth kishës në Gallatë, Spasovski tha se Taravari duhet të ulet me Mickoskin të bisedojë dhe të vijnë në vete.

Spasovski tregoi fotografi që, tha ai, tregojnë se aktivistë të VMRO-DPMNE-së dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Taravarit ishin pjesë e ngjarjeve.

Kujtojmë se seancën e 11 shtatorit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut u miratua nevoja për miratimin e ligjit  që rregullon të drejtat e “branitellave”.

Propozimi për ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe anëtarëve të familjeve të tyre është dorëzuar nga deputetja e LSDM-së Slavjanka Petrovska.

Ndryshe, Ligji për “branitellat” është një ligj i cili ka krijuar debate ndërmjet përfaqësuesve shqiptar dhe maqedonas në Qeverinë dhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi të drejtat që i takojnë “branitellave” nuk i takojnë edhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Me këtë ligj përfshihen forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024, ashtu që vlera e ndihmës pritet të jetë nga 1.2 milionë denarë për personat me 20 % invaliditet, deri 5 milionë denarë për personat me 100 % invaliditet ushtarak.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Konflikti lufta e 2001 RMVMinistria e Mbrojtjes (MM)Oliver SpasovskiSlavjanka Sllavjanka Petrovska