Maqedonia e Veriut sot shënon 24 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001. Me këtë rast, Qeveria në Sallën Solemne të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbajti Seancë solemne në të cilën foli kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, raporton Portalb.mk.
Mickoski deklaroi se 24 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë, duhet të kujtojmë se e kemi shtetin vetëm nëse e mbrojmë së bashku.
“Vera e vitit 2001 ishte një nga më të vështirat në historinë tonë të kohëve të fundit. Atdheu ynë u trondit nga konflikti, nga frika, nga pasiguria. Kishte momente kur dukej se asgjë nuk do të mbetej e njëjtë, se rruga drejt shkatërrimit ishte e pashmangshme. Por pastaj, me guxim, me durim dhe me vizion, zgjodhëm rrugën e paqes. Ne zgjodhëm rrugën e dialogut, kompromisit, unitetit. Për këto gjëra duhet të diskutohet hapur dhe pa doreza. A ishin maqedonasit më të lumtur me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë? Jam i bindur se nuk është kështu. Një ndjenjë pakënaqësie, zemërimi. Me shumë gjasa, ndjenja e njëjtë ka qenë edhe te shqiptarët. Reforma sistemike dhe të vështira, duke ndryshuar Kushtetutën në kushte konflikti ushtarak. Por, të flasim të hapur, Marrëveshja Kornizë solli paqe 24 vjet më vonë. Ajo solli stabilitet dhe siguroi ruajtjen e unitetit të Maqedonisë. Marrëveshja Kornizë nuk është vetëm një copë letër. Është simbol i pjekurisë, guximit dhe mençurisë. Është një përkujtues se, pavarësisht se sa të ndryshëm jemi në gjuhë, fe, kulturë apo përkatësi etnike – të gjithë ndajmë një histori dhe një të ardhme të përbashkët. Ajo është dëshmi se Maqedonia mund të jetë një shtëpi për të gjithë qytetarët e saj dhe se diversiteti është avantazhi ynë”, tha Mickoski.
Ai shtoi se ky dokument, kjo marrëveshje kornizë është gjithashtu një marrëveshje e abuzuar prej kohësh nga individë.
“Për më shumë se 20 vjet kemi pasur struktura që përdorin nacionalizmin si mbulesën më të mirë për mbrojtjen e krimit dhe interesave personale. Në fakt, një nacionalizëm i tillë është streha e fundit e atyre që kanë bërë karriera, kanë fituar kapital të madh mbi kurrizin e njerëzve që i ndajnë dhe mbi ndarjet e të cilëve mbijetojnë në politikë. Me njërën dorë shkruajnë dhe ndajnë se në çfarë lloj bote do të jetojmë. Me dorën tjetër, po e vjedhin vendin, fitojnë prona, hotele, qendra tregtare, parqe të shtrenjta veturash. Dhe nuk u pengon ngjyra e parave. Ndarje të tilla nuk i zgjidhin problemet e njerëzve të vërtetë që kërkojnë vetëm një gjë, një jetë më të mirë për veten e tyre. Si politikan, nuk e njoh këtë apo atë, botë të vogël apo të madhe, por vetëm një botë – Maqedoninë, shtëpinë e të gjithë qytetarëve të saj ku të gjithë kemi detyrim të sigurojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj”, tha Mickoski.
Ndërkohë zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Marrëveshja e Ohrit është themeli mbi të cilin ne kemi zhvilluar një qasje të re ndaj shtetndërtimit – një qasje që e sheh barazinë, përfshirjen dhe drejtësinë si elementë të pandashëm të funksionimit demokratik. Sot, shtoi ai, politikat tona si qeveri bazohen pikërisht në këtë frymë: të krijojmë një shtet që i shërben çdo qytetari, pa dallim etnie, feje apo përkatësie politike.
“Qeveria që përfaqësoj, është e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi ligjor dhe institucional që garanton barazi reale, jo vetëm formale. Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore – është një mision politik dhe moral. Sepse pasojat e barazisë formale po i ndjejmë të gjithë sot! Pasojë e barazisë formale është Ligji gjysmak për përdorimin e gjuhës shqipe i cili po kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, por edhe mekanizmi i balancuesit të cilin e shfuqizoi po Gjykata Kushtetuese! Dhe kur jemi te Gjykata, më lejoni të përkujtoj se në një shtet multietnik, Gjykata Kushtetuese ka një mision shumë më delikat dhe strategjik sesa në një shtet homogjen etnikisht, sepse ajo nuk mbron vetëm rendin kushtetues në kuptimin formal, por edhe kohezionin shtetëror dhe paqen ndërmjet komuniteteve. Gjykata Kushtetuese në vendet sikur i joni duhet të jetë garantues i barazisë kushtetuese. Ajo duhet të jetë mbrojtëse e marrëveshjeve politike themelore – pra, mekanizmat që burojnë nga një marrëveshje paqesore ajo duhet t’i respektojë dhe t’i interpretojë me qëllim ruajtjen e balancit etnik në shtet. Gjykata Kushtetuese, si gardian i Kushtetutës, ka për qëllim thelbësor të kontribuojë në ndërtimin e besimit ndëretnik- pra, të sjellë vendime të argumentuara transparente dhe që flasin në gjuhën e të gjitha komuniteteve! Gjykata Kushtetuese duhet të interpretojë ligjet konform Kushtetutës dhe frymës së saj- jo vetëm të bëjë leximin bardh e zi të neneve të saj”, tha Mexhiti.
“Në këto dy dekada e gjysmë, me punë dhe përkushtim u ndryshua kushtetuta, u sigurua përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, u afirmuan simbolet kombëtare, u ndërtuan universitete, shkolla, spitale e infrastrukturë moderne. Shqiptarët u përfaqësuan në të gjitha institucionet, duke arritur deri te posti i Kryeministrit të parë shqiptar, një premtim i realizuar me vepra, jo vetëm me fjalë. BDI kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në anëtarësimin e vendit në NATO dhe në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Nga këto arritje fitoi gjithë shteti, nuk humbi askush. Si autorë dhe zbatues të Marrëveshjes së Ohrit, ne nuk do të lejojmë revizion të saj apo tentime për t’i zhvlerësuar të arriturat e përbashkëta. Populizmi afatshkurtër dhe lojërat elektorale nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë e burrështetasve që mendojnë për të ardhmen e vendit. Ata që nuk kanë dhënë asnjë kontribut kombëtar dhe sot shfaqen si gjykatës të historisë, nuk mund të vendosin mbi sakrificat dhe fitoret e popullit tonë. Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e askujt, por trashëgimi e përbashkët dhe garanci e barazisë së qytetarëve. Sot, më shumë se kurrë, është koha të qëndrojmë bashkë, të lidhur pas rrënjëve tona, jo pas interesave të ngushta. Vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë dinjitetin kombëtar dhe të sigurojmë që çereku i shekullit të Marrëveshjes së Ohrit të na gjejë krenarë, jo të përkulur”, thanë nga BDI.Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim nga ana tjetër do të zhvillojë Akademi Solemne sot në orën 18:00 në Aleksandar Palace – Shkup me rastin e 24-vjetorit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Në Kushtetutën e vendit pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, ishin sjellë disa kufizime për të drejtat e grupeve të tjera etnike në vend, veçanërisht për shqiptarët.
Shqiptarët të cilët kërkonin të drejtën e arsimit të lartë në gjuhën e tyre amtare, në vitin 1994 e themeluan universitetin e tyre. Ky hap nuk u mbështet nga qeveria e asokohshme dhe universiteti i themeluar ishte rrënuar nga policia. Në përplasjen e ndodhur kishte humbur jetën një person, ndërsa ishin plagosur shumë të tjerë.
Shqiptarët të cilët gjithashtu kërkonin përdorimin e flamurit kombëtar në vend, në vitin 1997 i vendosën flamujt në komunat e Gostivarit dhe Tetovës, veprim ky i cili u cilësua si i paligjshëm dhe ishin hequr flamujt. Pas intervenimit të policisë, kishin humbur jetën disa persona dhe ishin arrestuar shumë të tjerë.
Rruga që çoi në Marrëveshjen e Ohrit
Konflikti i armatosur filloi pasi më 22 janar një grup i armatosur sulmoi stacionin policor në fshatin Tearcë të Tetovës, ku në sulm humbi jetën një polic ndërsa tre të tjerë ishin plagosur. Përgjegjësinë mbi sulmin e kishte marrë Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Përleshjet kanë vazhduar edhe në qytete të tjera të vendit me shkallë të ndryshme intensiteti gjatë muajve të pranverës.
Një marrëveshje e përgjithshme armëpushimi u arrit më 5 korrik, e ndërmjetësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO, ndërkohë të dyja palët e shkelën marrëveshjen shumë herë.
Në ngjarjet mes 22 janar-12 nëntor 2001 humbën jetën qindra persona nga të dyja palët, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën.
Përleshjet kanë ndodhur në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit si dhe në afërsi të kryeqytetit Shkup. Incidente të dhunshme ndodhën në qytete të ndryshme të vendit.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit
Negociatat për arritjen e marrëveshjes në Ohër, përfunduan me përafrimin e dokumentit, ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001. Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua nga partitë më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Marrëveshja i dha fund konfliktit ndërsa hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.
Në marrëveshje, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe zhvillimi i pushtetit vendor, mos diskriminimi, përfaqësimi i drejtë, zbatimi i procedurave të veçanta të Kuvendit për çështje si gjuha, kultura, arsimi dhe simbolet.
Me “Ligjin për përdorimin e gjuhëve” të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 janar 2018, i cili parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, u bë gjuha e dytë zyrtare në vend më 15 janar 2019.
Gjithashtu u vendos që një gjuhë e cila flitet nga më shumë se 20 për qind e popullsisë në cilindo qytet të vendit, përveç maqedonishtes, të jetë gjuhë zyrtare.
Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionoi në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Sekretariati më pas u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.