Sot kremtohet 28 Nëntori, 113 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

Sot shënohet 113 vjetori nga Pavarësia e Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit. Me rastin e kësaj dite, sot në vendet ku jetojnë shqiptarët janë planifikuar një sërë aktivitetesh, ndërsa epiqendra e festimit pritet të jetë qyteti i Vlorës, aty ku më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin e pavarësisë, shkruan Portalb.mk.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Si sot, 113-vite më parë, delegatë nga e gjithë Shqipëria, mbërritën në Vlorë, për të ngritur flamurin, atë që në histori njihet si Dita e Flamurit. Në atë kohë, kryengritje të shumta shpërthyen në të gjitha zonat e Ballkanit.

Disa shtete të tjera, si Greqia e kishin fituar pavarësinë më përpara. Perandorisë Osmane, e cila ekzistoi për rreth pesë shekuj, tashmë i kishte ardhur fundi. Në 28 nëntor 1912, plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, rreth orës 14:00, përpara qindra njerëzve ngriti flamurin kombëtar, duke shpallur në këtë mënyrë pavarësinë e Shqipërisë.

Pak muaj më vonë, goditja e madhe e flamurit të Bashkimit, u dha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku Shqipërisë etnike iu copëtuan në disa pjesë, duke lënë jashtë territorit të Shqipërisë shumë zona.

Sot, Festa e Flamurit festohet kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe diasporë.

Kjo ditë gjithashtu shënon ditëlindjen e komandantit legjendar kosovar, Adem Jashari si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vigjilje të festës së 28 nëntorit në vend dhe më gjerë do të mbahen aktivitete të ndryshme kulturore. Në skenën e Operës dhe Baletit Nacional në Shkup më 28 nëntor 2025, duke filluar nga ora 20:00, do të mbahet Koncerti Gala, me pjesëmarrjen e divës së famshme botërore të operës Inva Mula, së bashku me Deshira Ahmeti-Krliu (soprano), Ismet Vejseli (tenor) dhe orkestrën e OBM, të dirigjuar nga Ivan Eminoviq dhe me regji nga Dejan Proshev. Programi i koncertit përfshin vepra të zgjedhura nga klasikët e operës nga Xhuzepe Verdi, Leo Delib, Xhakomo Puçini, Zhorzh Bize, Zhak Ofenbah dhe autorë të tjerë. Shoqata Dradudacum sonte me fillim nga ora 19:00 në Qendrën për Kulturë “ASNOM” në Gostivar, organizon ekspozitën mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit 2025”, dhe shumë aktivitete të tjera.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë shqiptarëve anembanë botës ua uron 28 Nëntorin, ditën e flamurit tonë kombëtarë shqiptar.

 

28 NëntoriKultura shqiptareKulturë lajme