Sonte në Teatrin Shqiptar të Shkupit jepet premiera e shfaqjes “Vdekja dhe virgjëresha”

Teatri Shqiptar i Shkupit do të sjellë premierën e parë për këtë sezonë, shfaqjen “Vdekja dhe virgjëresha”, ose siç vjen në përkthim tjetër edhe si “Vdekja dhe vasha” nga dramaturgu Ariel Dorfman. Shfaqja është punuar nga regjisorja Afërdita Nuhiji me kastën e kësaj trupe. Në ndërkohë nga ky teatër priten dhe tre premiera: “ADN” nga Fatos Berisha “Mishi i huaj” nga Martin Koçovski si dhe në nëntor pritet premiera e shfaqjes “Xhaxha Vanja” nga regjisori Vlladimir Millçin, njofton Portalb.mk.

Vdekja dhe virgjëresha, Teatri Shqiptar i Shkupit

Drama e dramaturgut kilian Ariel Dorfman “Vdekja dhe virgjëresha” është shkruar në vitin 1990, ndërsa pati premierën botërore në Londër në korrik të vitit 1991. Prej asaj kohe e deri më sot është vënë me mijëra e qindra herë në skenat botërore ashtu si edhe në hapësirat shqiptare. Kujtojmë qe tekstin e njejtë e ka bërë dhe film regjisori i njohur Roman Polanski. Radha e Teatrit Shqiptar për ta vënë në skenë nën interpretimin regjisorial të regjisores Afërdita Nuhijit.  Parashihet që të ketë dy premiera shkaku se shfaqja është kamertale, edhe atë premiera e parë sonte dhe e dyta një natë pas, gjegjësisht 14 shtator, me fillim në orën 20:00.

Shfaqja përbëhet nga tre role kyçe: Aida Elezi në rolin e Paulinës, Fisnik Zeqiri në rolin e Gerardo Eskobarit, Hamdi Rashidi në rolin e Roberto Mirandos, në shfaqje luajnë dhe  Sabina Memishi, Abedin Alimi që janë sinonim i kapërcimit kohor. Në shoqërim instrumental vjen violonçelistja Gresa Memeti,  skenografi të Enes Dearit, kostumografi të Emira Ymerit si dhe muzikë nga Xhemail Xhemaili.

Vërejtje: Shfaqja nuk rekomandohet për persona më të rinj se 16 vjeç.

Vdekja dhe virgjëresha, Teatri Shqiptar i Shkupit

Rreth tekstit

Vendndodhja e shfaqjes me tre personazhe është një vend që përfaqëson Kilin, por që edhe regjisorja Afërdita Nuhiji thotë se e ka lënë të hapur ‘’ Nuk e kam lëvizur tematikën, ngjarja ndodhë në Kili por e kam lënë të hapur në shfaqje për ta gjykuar publiku’’ – thekson për lexuesit e Portalb.mk . E konsideruar si shfaqja më e rëndësishme e Dorfman-it, ajo ka si temë qendrore sfidat e panumërta me të cilat përballet një komb që përpiqet të kthehet në stabilitet pas diktaturës. Ndërsa mbahej rob nga qeveria në pushtet, ish e burgosura politike Paulina Salas u përdhunua nga një mjek. Ajo kurrë nuk e pa fytyrën e tij, por mba mend një detaj, gjatë aktit të përdhunimit ai e luajti kuartetin e Shubertit  “Vdekja dhe virgjëresha” nga e cila drama merr titullin.

Paulina mes dy boteve të kundërta: mes ligjit dhe krimit.

Ngjarja zë fill kur  Paulina dhe bashkëshorti i saj, Geraldo Escobar kanë një problem me makinën që u prishet natën. Një i huaj që kalon aty- pari i cili quhet Roberto Miranda u ofron ndihmë duke u ofruar t’i çojë në shtëpi. Geraldo pranon ofertën dhe si shenjë mirënjohjeje ndaj ndihmës  i ofron Robertos një dhomë në të cilën të kalojë natën. Paulina, kur dëgjon zërin e burrit që i vjen i njohur fillon e dyshon se ky person është në fakt mjeku nga i cili u përdhunua dhe u torturua pasi ishte rrëmbyer dhe burgosur nga policia sekrete pesëmbëdhjetë vjet më parë. Paulina vendos të marr hak ndaj mjekut sadist duke qenë e bindur se ky ishte njeriu më mizor në aktin e përdhunimit, por ndesh me burrin avokat, shumë prodemokrat i cili përpiqet ta bind të heq dorë derisa Paulina e mban të dyshuarin nën kërcënimin e armës.  Burri i Paulinës është caktuar nga shteti në një komision hetimor për krimet e komunizmit pikërisht kur gruaja e tij Paulina ballafaqohet me të kaluarën dhe është rasti i parë ku sprovohet Geraldo i cili nuk di anën e kujt të mbaj.

Vdekja dhe virgjëresha, Teatri Shqiptar i Shkupit

Një dramë e thellë psikologjike, me dhunime, persekutime dhe plot metafora e simbolika.

Roberto zotohet se nuk e ka takuar kurrë Paulinën më parë dhe se është i pafajshëm për akuzat për të cilat ajo e akuzon. Ndërsa ajo ende mban armën në kokën e Robertos, një pasqyrë gjigante ulet në skenë dhe njerëzit në publik shohin veten në pasqyrë dhe kuptojnë vrasësit e vërtetë në sisteme të tilla diktatoriale. Leximin e Afërditës do të kemi mundësi ta shohim me rastin e premierës dhe do të shohim nëse i ka dhënë një epilog, apo e ka lënë të hapur çështjen siç e ka lënë dhe autori ku nuk dihet me siguri nëse Roberto ekziston, apo është pjellë e imagjinatës së Paulinës. Një paranojë post-traumë e sajë, ndoshta!?

 

Kulturë lajmeTeatër shfaqje teatroreTeatri Shqiptar Shkup