Sonte në Bërnicë të Epërme, në Kosovë, fillon edicioni i 8-të me radhë i Festivalit “Sunny Hill Festival”. Festivali më i madh në Kosovë, sivjet do të jetë tri net radhazi, 1,2 dhe 3 gusht. Ky festival sjell edicionin më të madh dhe më glamuroz ndonjëherë. Në skenë do të ngjiten yje botërorë si Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anima, Mochakk, artistë që do të shfaqin spektakël të paharruar për gjithë audiencën, shkruan Portalb.mk.
“Sunny Hill Festival”, konsiderohet si një nga 10 festivalet më të mira në Evropë dhe bën pjesë në listën e 25 festivaleve më të mira në botë.
Edicioni i sivjetëm do të hapet me performancë nga këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, e cila kthehet në vendlindje për ta hapur këtë spektakël të madh muzikor. Pas Dua Lipës në skenë do të performojë legjenda e muzikës elektronike Fatboy Slim-fitues i gjashtë çmimeve MTV, i cili me stilin e tij të veçantë do të sjellë një retrospektivë të hiteve të tij më të mëdha ndër vite.
Më 2 gusht, do të përformojë për herë të parë në Kosovë Shawn Mendes-yll botëror, fitues i çmimit MTV Europe Music Awards, zë që mbush arenat anembanë botës. Talentin që e ka dëshmuar në “Rock in Rio” para mbi një numri të madh të publikut, do ta sjellë edhe në Kosovë.
Pjesë e kësaj mbrëmje do të jetë edhe DJ-i i njohur brazilian Mochakk, ritmet e të cilit e kanë renditur ndër DJ-të më të mirë në planet-duke performuar në festivale si “Coachella” dhe “Primavera Sound”.
Mbrëmja finale, më 3 gusht, do të jetë nën tingujt e Anima, projekti solo i Matteo Millerit nga Tale of Us. Bëhet fjalë për një përvojë avangarde audio-vizuale, ku muzika dhe arti digjital bashkohen në një performancë spektakolare që e shtyn përtej kufijve konceptin klasik të një koncerti.
Po atë natë, pritet të ngjitet në skenë edhe sensacioni global aktual Peggy Gou-autorja e mega-hitit “(It Goes Like) Nanana”, e gatshme ta mbyllë festivalin me një nga setet më të zjarrta të kësaj vere!
Pjesë e këtij festivali do të jenë edhe shumë artist të tjerë si: Artssassin, Bookie, Deezy, Sainté dhe Sienna Spiro, Skream, Sugar Rush, Tommy Gold, TSHA, Mygal B2B Edgar Kerri, që pritet të jetë një nga performancat më energjike të këtij viti.
Në skenë do të ngjiten edhe emra të njohur nga rajoni si: Adrian Berisha, DJ Caboo, Art Lokaj Band, Bana Zahiti, Blerta Përtace, Hawolf, Lluni, Sahati, Uran B, Yanina, Loredana, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, Tayna, Kida, Ledri Vula, Zwada dhe shumë artist të tjerë.