Sonila Kapidani: Suksesi ose dështimi i tejkalimit të pengesave varet nga angazhimi juaj për të përdorur me mjeshtëri zërin tuaj

Suksesi ose dështimi i çdo tejkalimi pengesash apo përmirësimi do të varet vetëm nga angazhimi juaj për të përdorur me mjeshtëri e durim instrumentin më të fuqishëm në botë-zërin tuaj. Kështu thotë për lexuesit e e Portalb.mk Sonila Kapidani, eksperte e komunikimit dhe zërit, ajo dha disa këshilla dhe teknikat të cilat duhet t’i përdorim gjatë të folurit.

Ndër vite Sonila u ka ofruar trajnime të rinjve dhe profesionistëve në politikë, art, media dhe shoqëri civile mbi teknikat e të folurit në publik, trajnime të zërit dhe shqiptimit si dhe etikën e komunikimit. Ajo ka krijuar Studion e Parë në Tiranë për trajnime praktike mbi “Përmirësimin e Aftësive të Komunikimit”, për individë dhe grupe nga profesione të ndryshme dhe realizon trajnime për stafe të ndryshme në biznese dhe banka mbi zërin, të folurit dhe ajo që njihet si Theatre Retreat.

Portalb.mk: Çfarë është të folurit publik dhe pse është me rëndësi?

Sonila Kapidani: Të folurit është cilësi e veçantë dhe e dallueshme e qenieve njerëzore. Ky proces është i zhvilluar historikisht, sipas nevojave njerëzore të secilës epokë. Të flasësh do të thotë të kesh kapacitetin e adoptimit në situata të ndryshme, qoftë kjo në ambient familjar, qoftë në publik. Termi “Të folurit në Publik” ka nisur të përdoret në shekullin e XVIII-të, ndërsa shekulli i XX-të i dha domethënien me të cilën përdoret edhe sot. Të folurit në Publik, nënkupton një aftësi profesionale të të folurit dhe zërit, një lloj mjeshtërie për të përdorur fjalët e duhura dhe tonin e duhur me qëllim që të informosh, frymëzosh apo bindësh publikun. Ndaj edhe metodën me të cilën unë punoj që prej vitit 2003 e kam quajtur “Estetika e Komunikimit”.

Portalb.mk: Si eksperte e kësaj fushe cilat janë këshillat e tua për zërin dhe të folurit në publik?

Sonila Kapidani: Të mësuarit dhe praktika e një mjeshtërie kërkon një përzierje mes përulësisë dhe qëndrueshmërisë. Çdo mjeshtri i duhen orë të tëra provash dhe korrigjimi, ripunimi dhe durimi, derisa arrin që përsëritja e teknikave bëhet organike. Atëherë thuhet se ka fituar një pasuri jetësore. Kur teknika e një mjeshtërie arrin dhe bëhet organike, imagjinata është e çliruar dhe e fokusuar. Të folurit është veprim dhe rezultati i veprimit duhet të dëgjohet, ndjehet, përjetohet dhe reflektohet. Vëmendja dhe mundësia për të praktikuar teknika të të folurit në botën e sotme është bërë domosdoshmëri. Mjeshtëria dhe estetika e komunikimit i duhet çdo njeriu e profesionisti: mjekut; politikanit; marangozit; mësimdhënësit; aktorit; infermierit; shitësit; aktivistit; çdokujt që ka kuptuar se ka një rol në shoqëri.

Portalb.mk: Pse kontrolli i zërit është shumë i rëndësishëm gjatë të folurit?

Sonila Kapidani: Nëse një profesionist synon të shkëlqejë, duhet të mësojë ta përdorë me mjeshtëri zërin dhe të folurit. Është rrugëtimi kryesor drejt profesionit të zgjedhur: klientit, pacientit, ekipit, shoqërisë, publikut. Kur fjala artikulohet duhet synuar që jo vetëm të jetë e qartë dhe e kuptueshme, por edhe që të tjerët pasurohen me imazhe dhe të duan të të dëgjojnë. Është me rëndësi që të tjerët të ndjejë praninë e folësit dhe shqetësimin e tyre për angazhim.

Fotografi nga aktivitetet, nga ekspertja Sonila Kapidani

Portalb.mk: Kush ka më shumë problem me komunikimin?

Sonila Kapidani: Unë takoj shumë njerëz në leksione dhe trajnime dhe e kam të vështirë të bëj një dallim gjinor. Kam vënë re që droja nga publiku ka burim ose natyrën njerëzore, ose kufijtë shoqërorë. Ndërkohë që në trashëgiminë kulturore dhe sociale burrat kanë përjetuar nxitje dhe të drejtë për të projektuar zërin e tyre, për të drejtuar, zgjidhur, gratë kryesisht janë rritur me modele të kufizuara ndaj përdorimit dhe të drejtës për t’u dëgjuar zëri i tyre i plotë. Kjo që po përpiqem të them nuk është absolute, sepse kam punuar edhe me burra, edhe me gra të fushës së politikës që kanë përjetuar drojën nga publiku apo pengesa nga defekte të ndryshme të riparueshme; në të fushës së mjekësisë apo mësimdhënies nga orët e gjata dhe lodhja. Dhe më e bukura e punës time, nëse flas mes shembujve, është kur burri ose gruaja e dikujt kanë këmbëngulur që shoku ose shoqja e jetës të vijnë në një trajnim për të përmirësuar komunikimin. Ajo që mund të them është se shkenca shpjegon se ndarja në zë burri dhe gruaje vjen nga arsye fizike dhe kimike.

Portalb.mk: Si të dëgjohemi dhe kuptohemi më mirë?

Sonila Kapidani: “Fjalët që dilnin nga goja e tij, skalitnin imazhe në mendjen e saj”, shkëputur nga një tregim, ky tekst i rri më së miri asaj që kam thënë më parë. Përdorimi i instrumentit të zërit me mjeshtëri, përdorimi i fjalës me kujdes estetik, dhe sidomos prania pozitive dhe shqetësimi për një botë më të mirë, bën që të duan të na dëgjojnë dhe të na kuptojnë me mirë të tjerët.

Portalb.mk: Ju mbani seminare të ndryshme për metodës që ke krijuar “Estetika e Komunikimit” në publik, sa kanë qenë efikase dhe sa janë të rëndësishme këto seminare?

Sonila Kapidani: Unë ndër vite organizoj seminare praktike, kurse më të gjata për individë dhe grupe dhe trajnime një ose dy ditore për ekipe të ndryshme dhe në formularët që pjesëmarrësit plotësojnë kam dëshmi të përmirësimit që u ka sjellë si në jetën profesionale dhe në atë personale. Është me shumë rëndësi si hap i parë vetëdija mbi mundësitë dhe pengesat në të folur dhe më pas, durimi i stërvitjes dhe përmirësimit. Me prezantimin e metodës “Estetika e Komunikimit” pjesëmarrësit nisin një udhëtim drejt ri zbulimit me veten dhe praninë pozitive që do t’ju shërbejë gjatë gjithë jetës. Prania lejon përvojën dhe pasuron me mjetet e nevojshme për të mbijetuar fizikisht, intelektualisht dhe emocionalisht në situata sfiduese.

Fotografi nga aktivitetet, nga ekspertja Sonila Kapidani

Portalb.mk: Kur mund të ju presim edhe në Maqedoninë e Veriut me ndonjë seminar?

Sonila Kapidani: Në Maqedoni kam qenë e ftuar nga Instituti i Lidershipit dhe Politikave Publike para disa vitesh në Tetovë dhe besoj kemi vendosur një pikë të parë prezantimi me metodën “Estetika e Komunikimit”. Dhe në takimet në Prishtinë ka të regjistruar pjesëmarrës nga Tetova dhe Gostivari. Për vitin e ri që po vjen po planifikojmë një organizim të ri për në Shkup, por do pak kohë akoma.

Portalb.mk: Në fund një fjali për motivim: Çfarë është më me rëndësi të dimë kur komunikojmë?

Sonila Kapidani: Që zëri juaj mund të shkaktojë në veshët e atyre që dëgjojnë pasiguri, frikë, hezitim ose qetësi, siguri e guxim. Aftësia që ka nevojë të ushqejë aktualisht bota është humaniteti dhe çdo marrëdhënie e komunikim duhet patjetër ta fuqizojë atë. Një zë i natyrshëm, një prani pozitive, fjala e përdorur me kujdes, në një botë që rend vazhdimisht, mund të na kujtojë se nuk jemi vetëm dhe të pa sigurt dhe mund të ushqejë ndjenjën e përkatësisë.

Portalb.mk: Si eksperte cili do ishte mesazhi i juaj deri te audienca e gjerë?

Sonila Kapidani: Unë përpiqem ta shoh botën si veprim i vazhdueshëm dhe njerëzit në përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur ekuilibra të shëndetshëm, pjesë thelbësore e kësaj është komunikimi. Kështu, nëse më fton për të motivuar publikun e gjerë, mund të them vetëm se suksesi ose dështimi i çdo tejkalimi pengesash apo përmirësimi do të varet vetëm nga angazhimi juaj për të përdorur me mjeshtëri e durim instrumentin më të fuqishëm në botë-zërin tuaj.

Fotografi nga aktivitetet, nga ekspertja Sonila Kapidani
Barazi gjinoreIntervistëKultura shqiptareKulturë lajme