Siljanovska-Davkova uroi Bidenin për pavarësinë e ShBA-së: Krenarë për miqësinë tradicionale me popullin amerikan

Jemi krenarë për miqësinë tradicionale me popullin amerikan, angazhohemi për forcimin e mëtutjeshëm të saj, si dhe për avancimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë – shkruhet ndër të tjera në urimin e Presidentes Gordana Siljanovska Davkova drejtuar homologut të saj amerikan Joe Biden me rastin e 4 korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Në emër të saj dhe në emër të qytetarëve të Maqedonisë, Siljanovska-Davkova dërgoi urime për prosperitet dhe zhvillim të gjithanshëm të SHBA-së dhe “për mirëqenien e popullit mik amerikan”.

“Këtë 4 korrik qytetarët amerikanë festojnë 248 vjetorin e miratimit të Deklaratës së Pavarësisë dhe festojnë parimet e lirisë dhe barazisë të mishëruara në këtë dokument, i cili është frymëzim për shumë kombe në mbarë botën. Aspirata e baballarëve të kombit amerikan për të formuar një qeveri që përfaqëson dhe e merr pushtetin nga populli është po aq e vlefshme edhe sot e kësaj dite për shumë kombe dhe koncepte të tjera udhëheqëse, përfshirë atë maqedonas”, shkruan Siljanovska-Davkova në urim.

Në mesazhin e urimit drejtuar Joe Bidenit, presidentja falënderon SHBA-në për mbështetjen e dhënë në zbatimin e proceseve reformuese në vend dhe thekson se puna për realizimin e tyre do të vazhdojë për përmbushjen e qëllimit përfundimtar – përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, anëtarësimin e plotë në BE dhe në këtë mënyrë ngritjen e statusit të vendit dhe rritjen e fuqisë sonë si aleat në NATO.

“Si një partner i qëndrueshëm dhe aleat i dëshmuar i Shteteve të Bashkuara në aleancën e NATO-s, ne mbetemi të fokusuar në synimet e përbashkëta të sigurisë, lirisë dhe prosperitetit demokratik duke marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta në luftën kundër kërcënimeve ndaj stabilitetit dhe paqes në Evropë dhe në botë“, shton Siljanovska-Davkova.

Edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov i dërgoi mesazh urimi ambasadores amerikane në Maqedoni, Angela Price Ageler.

“Faleminderit për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme për konsolidimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për arritjen e qëllimeve strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Le të vazhdojmë të ushqejmë miqësinë e madhe, të përballemi bashkërisht me sfidat serioze të së sotmes dhe të punojmë në partneritet për të krijuar një të ardhme më të mirë, paqe dhe zhvillim. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me SHBA-në vazhdojnë të jenë prioriteti më i lartë i vendit tonë përmes promovimit të miqësisë dhe mbajtjes së një dialogu të vazhdueshëm politik”, thuhet në letrën e urimit.

Shtetet e Bashkuara shënojnë sot 248 vjet nga miratimi i Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776.

Kujtojmë se dy ditë më parë edhe Ambasada e SHBA-së në vend kremtoi pavarësinë. Ambasadorja Ageler deklaroi se edhe demokracitë më të forta nuk ia dalin të vetme. “Së bashku jemi më të fortë. SHBA-ja është më e mirë, më e fortë dhe më fisnike sepse kemi aleatë, partnerë dhe miq si Maqedonia e Veriut”.

Gordana Siljanovska DavkovaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Xho Bajden (Joe Biden)