Siljanovska Davkova: Gratë në zonat rurale janë shtylla e komunitetit

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot foli para Komisionit të Kuvendit për barazi gjinore, ku u mbajt një diskutim publik mbi temën “Barazia gjinore e grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”. Duke theksuar se gratë në zonat rurale, si dhe kategori të tjera të cenueshme, përballen me pabarazi të shumta dhe se përfshirja e tyre në tregun e punës është një problem kronik, presidentja u fokusua në barrierat, problemet kyçe dhe sfidat me të cilat ato përballen. Ajo bëri thirrje për masa konkrete nga institucionet shtetërore, por edhe nga sektori privat, për të reduktuar dhe eliminuar këto pengesa, transmeton Portalb.mk.

Ajo theksoi se përfshirja e tyre nuk është vetëm një imperativ moral, por edhe ekonomik, duke theksuar se gratë nga zonat rurale përbëjnë një burim të pa shfrytëzuar dhe potencial të pashtershëm për zhvillim të qëndrueshëm, dhe se mos përfshirja e tyre në tregun e punës ndikon jo vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në inovacione.

“Gratë në zonat rurale janë shtylla komunitetit në të cilin jetojnë. Kur flas për komunitetin, nuk e kam fjalën vetëm për familjen, por për ambientin social. Ato jo vetëm që kanë një rol kyç, por janë gjithashtu jashtëzakonisht inovative në bujqësi, pa e neglizhuar familjen, kanë ndjesi për ekonominë lokale dhe një ndjenjë për drejtësi që ndoshta është më e theksuar se tek burrat,” tha Siljanovska Davkova.

Në mesin e problemeve kyçe, ajo përmendi infrastrukturën dhe zhvillimin e pabarabartë rajonal, mungesën e transportit të rregullt, mungesën e çerdheve, qasjen e kufizuar në shërbime shëndetësore dhe arsim cilësor. Ajo theksoi se investimet në këto fusha janë të nevojshme për të mundësuar që gratë nga zonat rurale të balancojnë detyrat e punës dhe atyre familjare, si dhe për t’u bërë të barabarta me gratë në zonat urbane.

“Duke parë nga këndvështrimi i arsimit, shumë gra ende janë të kufizuara dhe nuk është një ndjenjë e këndshme të thuash se, ende vajzat nga zonat rurale ndonjëherë kanë probleme me përfundimin e arsimit. Pa arsim të duhur, ato nuk janë kompetitive si burrat, ose, janë të privuara nga rruga normale për të fituar aftësi, të cilat kërkohen për punësim formal, ose që janë të nevojshme për të filluar një biznes të vetin. Prandaj, theksoj se sigurimi i qasjes në arsim cilësor duhet të jetë prioritet, sepse kjo do t’i bëjë ato më të forta dhe do t’u mundësojë një rrugë tjetër për përparim, që ndoshta as nuk e kishin imagjinuar,” tha Siljanovska Davkova.

Ajo po ashtu theksoi teknologjinë, trajnimet dhe aftësitë për përdorimin e platformave digjitale si mjete të rëndësishme për të mbyllur hendekun mes grave rurale dhe tregut të punës, si dhe për t’i përfshirë ato në ekonominë globale.

Duke u referuar vlerave themelore të Kushtetutës, ajo nënvizoi se obligimi ynë për drejtësi, barazi dhe mosdiskriminim u përket të gjithëve, duke përfshirë edhe gratë rurale, dhe theksoi rëndësinë e inkurajimit të tyre, promovimit të grave-lidere nga këto zona dhe krijimit të politikave për përfshirje të gjithanshme.

Në këtë drejtim, Davkova theksoi se kompanitë gjithashtu duhet të inkurajohen të punësojnë gra të trajnuara nga zonat rurale, ndërsa shteti duhet të krijojë kushte për këtë dhe të formojë ambientin përkatës.

Kujtojmë se hendeku gjinor në mbarë botën mbetet i lartë dhe sipas Raportit Global të Hendekut Gjinor të vitit 2024, ai qëndron në 32%. Vlerësimet thonë se do të duhen 152 vjet për të mbyllur këtë hendek, i cili është dukshëm më i gjatë se përpara pandemisë. Për të hequr pengesat dhe për të mbyllur hendekun gjinor, nevojiten reforma gjithëpërfshirëse.

Barazi gjinoreGordana Siljanovska DavkovaParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut