Si rrjedhin afatet kushtetuese për presidentin pas konstituimit të Kuvendit

Më 6 gusht do të mund t’i jepet start formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Të enjten e parë të gushtit do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re të Kuvendit, raporton Koha.net.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, të premten njoftoi se ka vendosur që seanca të mos mbahet më herët se ora 10:00 e datës 6 gusht, me qëllimin për t’u lënë kohë partive politike për të vazhduar dialogun për marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i legjislaturës së re duhet bërë më së largu 30 ditë nga zyrtarizimi i rezultatit të zgjedhjeve. Mbështetur në këtë, dita e fundit që deputetët ta bëjnë betimin e të zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, është 7 gushti.

Ndonëse Kushtetuesja nuk ka përshkruar pasojë juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditësh, të tillë pasojë ka përshkruar në rast se presidenti nuk zgjidhet në harkun kohor prej 60 ditësh. Ky afat nis të rrjedhë prej kur legjislatura konstituohet, dhe nëse kreu i shtetit nuk zgjidhet atëherë Kuvendi shpërndahet.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se caktimi i seancës konstituive në fund të afatit kushtetues, krijon problem për afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, duke rrezikuar që Kosova të mbetet njëkohësisht pa Kuvend funksional dhe pa ushtrues detyre të presidentit.

“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së presidentit shkon deri në ditën e 60-të, më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së presidentit tashmë ka përfunduar”, ka thënë Cakolli.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje ka siguruar 53 mandate. Bashkë me deputetë nga radhët e komuniteteve, ajo ka numrin e mjaftueshëm të votave për ta zgjedhur kryeparlamentarin e edhe qeverinë (61 minimalisht). Ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet që së paku 80 deputetë të marrin pjesë në votim në dy raundet e para.

Në rrethanën kur presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të parakohshme.

LVV-ja i pati bërë ofertë opozitës, përpara se të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme, që të jepte tre emra si kandidatë për president, me zotimin se njërin nga ta do ta votonin deputetët e kësaj partie. Por, ky propozim nuk është dhënë.

Mbështetur në kriteret e vëna nga kjo parti, kandidatët nuk duhet të jenë partiakë.

E, nisjes së rrjedhjes së këtij afati duhet t’i paraprijë konstituimi i Kuvendit.

Afati i 7 gushtit për konstituimin buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Albin KurtiKosovaParlamenti – Kuvendi i KosovësQeveria e KosovësVetëvendosjeZgjedhje në Kosovë