Si dështoi trajtimi i qenve endacak në Gostivar? Në vend të strehimoreve, orendi të shkatërruara dhe erë e keqe (VIDEO)

Nëse del në shëtitje për të shijuar ditët e ngrohta pranverore në rrugët e Gostivarit ose thjeshtë, për të kryer obligimet e përditshme, gjasat janë të mëdha që të shoqërohesh nga ndonjë qen endacak, të cilët viteve të fundit janë shtuar. Banorët e këtij qyteti, posaçërisht prindërit druajnë për fëmijët e tyre sepse në disa raste këto qen janë agresiv dhe kanë sulmuar këmbësorët. Siç duket, autoritetet komunale kanë lënë në harresë këtë çështje, sidomos pas pandemisë, kur dhe ka filluar shkatërrimi i strehimoreve në Bajnicë. Nga dy strehimoret e qenve të promovuara në vitin 2019, nuk ka mbetur asgjë në terren pos objekteve të braktisura në të cilat mund të gjeni kullosë, shkopinj, mbeturina ndërtimore, erë shumë të keqe. Portalb.mk ju sjell storjen e dështimit të trajtimit të qenve endacak në Komunën e Gostivarit.

Bashkëjetesa me frikën

Të dhënat që vinë nga Spitali i përgjithshëm i Gostivarit janë shqetësuese, mesatarisht tre persona në muaj përjetojnë tmerrin e sulmit nga qentë. Vetëm në vitin 2023 janë paraqitur 102 raste të personave që kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor pasi janë sulmuar nga qentë endacak, kurse nga fillimi i vitit 2024 deri 1 maj janë paraqitur 15 persona. Nga ana tjetër, jo gjithë që pësojnë e paraqesin rastin në polici, andaj sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme, gjatë vitit 2023 në rajonin e Gostivarit janë raportuar 94 persona të kafshuar nga qentë endacakë, kurse nga janari deri në maj ka 11 raste.

Në bisedë me Portalb.mk, banorët e këtij qyteti dhe fshatrave përreth shprehen se jetojnë me frikë, posaçërisht kur duhet të dalin në rrugë. Përpos rrezikut për lëndime fizike, shpesh përjetojnë dhe trauma psikike. Një vajzë tregoi se edhe në gjumë i paraqiten momentet duke ikur nga qentë.

“Më kanë sulmuar dhe atë jo vetëm një herë, dhe tash jam e traumatizuar, ato skena ndodh të më shfaqen edhe në gjumë. Kam frikë rrugës dhe sa herë jam e detyruar të ndryshoj rrugën për shkak të qenve endacak”, thotë ajo.

Sa për rikujtim, frika e saj bazohet në atë që mos të përfundojë si 17 vjeçarja, Xhejhan Mexhiti e cila në nëntor të vitit 2018 duke u kthyer nga shkolla u sulmua nga një qen dhe në tentimin për të shpëtuar, ka rënë në ujin e lumit “Vardar” dhe është mbytur.

Për një banor tjetër, problemi qëndron se askush nuk është i sigurt, madje qentë bartin dhe sëmundje.

“Qen nëpër qytet ka sa të duash, janë dhe me zgjebe, me sëmundje, e të palarë. Fëmijë e të mëdhenj kemi frikë, nëse dalim natën në rrugë të kafshojnë. Në mëngjes kam frikë të shkoj në xhami në namazin e sabahut sepse qentë endacak presin në rrugë për të sulmuar. Shteti duhet të kujdeset e të mirëmbajë qentë ashtu siç kujdesen në perëndim”, thotë banori i një fshatit të rrethinës së Gostivarit.

2018 – Fillim me vështirësi

Pasi Arben Taravari mori mandatin e tij të parë si kryetar i Gostivarit në nëntor të 2017-tës, pas një viti kjo komunë filloi të merret me zgjidhjen e çështjes së qenve endacak.

Lajmërimi i parë publik se në Gostivar do të ndërtohet stacionari për trajtimin qenve endacakë në territorin e komunës u bë më korrik të vitit 2018. Sipas informatave të Komunës, nga analiza e fizibilitetit në vitin 2018 në Gostivar ka pasur afërsisht ka 700 qen endacak.

“Tenderi tashmë është shpallur dhe së shpejti do të vihet në funksion Stacionari për trajtimin qenve endacakë të cilët do të kapen në territorin komunës së Gostivarit. Në njërin nga ish objektet e ish kazermës, do të ketë 20 bokse për qen, do të angazhohen dy veterinerë të cilët do t’i vaksinojnë dhe do t’i sterilizojnë qentë endacak, do tu vendosen çipa nën lëkurë si garanci se janë të pastër dhe nëse do të ketë të interesuar, do të mund t’i adoptojnë ato. Nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së paraparë, stacioni do të mund të lëshohet në përdorim deri në fund të këtij muaji (korrik 2018)”, theksoi Taravari.

Por, punët nuk shkuan sipas dinamikës së paraparë sepse komuna kishte probleme me lejen për punë nga organet kompetente të pushtetit qendror sepse bëhej fjalë për objekt në pronësi të shtetit.

Tre muaj më vonë, në tetor 2018, në Tetovë dhe pa strehimore, filloi vaksinimi, kastrimi dhe vendosja e mikro-çipeve qenve të pastrehë të cilët kapeshin në territorin e komunës së Gostivarit nga qendra veterinarike “Dok end Ket”

“I merrnim qentë në Tetovë për trajtim sepse në Gostivar s’ka pasur kushte dhe leje për përdorimin e strehimores, bashkëpunimi zgjati deri me nisjen e projektit me UNDP-në ku dhe kanë bërë marrëveshje me klinikën “NOVA VET” deklaroi për Portalb.mk, Rami Selmani, pronari i “Dok end Ket”.

2019 – Qentë në strehimore 

Ende pa marrë leje adekuate për strehimoret, më 13 maj të vitit 2019, Komuna e Gostivarit u pajis me një automjet për të kapur qentë, donacion nga projekti i UNDP në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut. Në këtë ngjarje shkurtimisht u tha se është hapur strehimorja e parë dhe se kanë vaksinuar dhe sterilizuar 240 qen endacakë.

Dy ditë më vonë, më 15 maj 2019, në mbledhjen e Këshillit Komunal u votua “Programi per trajtim të qenve endacak” që i sipas këshilltarit komunal, Mirtezan Selimikomuna ka bërë një stacionar i cili pa kalimin e programit nuk mund të merr leje për të funksionuar dhe ne si këshilltarë duhet ta kalojmë këtë program që është pikënisje për trajtim të qenve endacak.”

Rinisa Toska nga Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Amos Pet” tregon për Portalb.mk se kjo shoqatë ka filluar bashkëpunimin me komunën e Gostivarit dy muaj më vonë, pra nga 16 korriku 2019.

“Amos Shkup realizoi disa takime me komunën e Gostivarit ku u diskutua për problemet e shumta që qyteti i Gostivarit kishte me strehimoren e qenve dhe në përgjithësi me qent e pastrehë në qytet, këto takime rezultuan me nënshkrimin e memorandmit për bashkëpunim. Qëllimet e këtij memorandumi ishin të ketë leje për shfrytëzimin e strehimores të vetme në Gostivar, të kapen qentë e pastrehë dhe adoptimi i tyre në shtëpi të përhershme. Në memorandum parashikohej se fondet për rinovimin dhe menaxhimin e strehimores edhe ushqimin për qentë e strehuar duhet ta sigurojë Amos-i. Nga donatorë të ndryshëm shoqata ka siguruar: Hekur, pllaka, tulla, çimento, jorgana, enë për ushqim dhe ujë, etj. Komuna mes Higjienës Komunale ne Gostivar mundësoi fonde për një punëtor që do ta angazhonin të na ndihmoj në strehimore. Madje, në një moment komuna ndau edhe 150.000 denarë për të mbuluar shpenzimet që kanë të bëjnë me trajtimin e qenve të sëmurë dhe kapjen e atyre, ato fonde i dërgoi në konton e Amos-it.” tha Toska.

Por, kjo marrëveshje u ndërpre më vonë. 

“Në këtë kohë, një strehimore e re në Gostivar e financuar nga UNDP kishte filluar të punojë. Ne nuk kishim asnjë përfshirje me këtë strehimore apo financimin e saj” shtoi ajo.

Sfida të ndryshme u paraqitën që në fillim të marrjes së përgjegjësisë nga Amos-i për strehimoren e Gostivarit.

“Portat që vendosëm ne me fondet tona u vandalizuan vazhdimisht, duke rezultuar disa here në lirimin e qenve nga strehimorja gjatë natës. Sistemi i ujit pësoi dëmtime të shpeshta, duke e lënë shpesh strehimoren pa ujë. Raste ku identifikonim helm të hedhur në strehimore, fatmirësisht qent ishin gjithmonë të mbyllur gjatë natës dhe ne e kontrollonim strehimoren para se t’i lironim në mëngjes.”, tha Toska.

“Edhe pas gjitha këtyre sfidave Amos-i arriti që për 9 muaj të strehojë 88 qen dhe prej atyre ti adoptojë 52 qen në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Angli, Gjermani dhe Belgjikë. Ndersa 36 qentë e mbetur, i morëm në Shkup pas shkëputjes së memorandumit me komunën e Gostivarit”, tha ajo.

Gjashtë muaj më vonë, më 25 nëntor 2019, Komuna e Gostivarit zyrtarisht dhe e vendosi në funksion stacionarin e dytë për qentë endacak projektit në kuadër të Programit “Më ofro strehë për shpëtim”, financuar nga Programi rajonal në Ballkanin Perëndimor ReLOaD me financim të BE, bashkë-financim të Komunës së Gostivarit dhe implementim nga UNDP-së. Në lëshimin në përdorim të stacionarit të ri ka marrë pjesë kryetari Arben Taravari, i cili me këtë rast deklaroi se rreth 500 qen janë operuar dhe një pjesë e tyre janë vendosur te dy staconarët për endacak.

Ideja e projektit ishte të zgjasë pesë muaj (deri në prill 2020) të menaxhohet nga shoqata “Igi” në Gostivar dhe më pas përgjegjësinë për funksionimin e stacionarit dhe punonjësve ta merr komuna.

Aneta Filipovska nga shoqata “Igi” për Portalb.mk konfirmoi këto deklarata, duke u shprehur se pas kësaj periudhe qentë dhe strehimorja u lanë pasdore.

2020 – Pandemia dhe trajtimi mizor

Viti pandemik ishte i vështirë si për njerëzit ashtu edhe për qentë e strehimores. Disa ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të virusit COVID-19, dolën pamje të rënda nga strehimorja, akuza për keqtrajtim ndaj tyre madje dhe dyshime të tjera.

“Foto nga oborri i të ashtuquajturit stacion të ri për kafshët e pastreha në Gostivar. Një aktiviste nga atje dëshmon se qentë ishin lënë të uritur dhe se kanë pasur erë të tmerrshme. Nuk e kanë lënë të hynte brenda, gjoja se brenda kishte qen agresivë, kur u hodhën bukë mbi mur dhe ato për pak të ziheshin. Siç mund ta shihni në fotografi ata po shikojnë jashtë nga një hapje e improvizuar përmes një muri betoni. Nuk ka askund as dyer as dritare, aq më pak ngrohje. A ka aktivistë nga Gostivari dhe nga rajoni që të dëshmojnë për kushtet në të cilat funksionon dhe ndodhet stacionari në Gostivar? A janë kafshët vërtet të sterilizuara dhe të tredhura dhe më pas të kthehen në vend? Vendasit ankohen se qentë nuk janë kthyer pasi janë marrë” thuhet në postimin e 12 prillit 2020.

“Më 15 prill 2020, përmes një telefonate nga komuna na informuan se edhe persona të tjerë do të përdornin strehimoren që kishim rinovuar ne. Arsyeja për këtë vendim sipas tyre ishte përparimi i jonë i ngadaltë në gjetjen e shtëpive adekuate për qentë e kapur. Kur janë shumë palë të involvuar në menaxhimin e një strehimore shumë lehtë mund të paraqitet kaos që krijon konfuzion dhe mosmarrëveshje. Kjo nuk ishte në përputhje me marrëveshjen tonë me komunen. Këtë situatë ne e interpretuam si sinjal për përfundimin e marrëveshjes. Atë ditë ne i zhvendosëm të gjithë qentë që ishin nën kujdesin tonë në Shkup” tha Toska.

Por qentë u lanë pasdore, dhe askush nuk u kujdes për to. Për këtë dëshmon dhe deklarata e kreut të Gostivarit, Arben Taravari tre muaj më pas (07.07.2020) i cili tha se “dy strehimoret një kohë të gjatë nuk kanë qenë funksionale për shkak të pandemisë me Covid 19 dhe zgjedhjeve parlamentare, dhe nuk janë vazhduar kontratat e punës me personat e angazhuar në këto dy strehimore”. Ai tha se “ditëve në vijim do të funksionalizohen të dy strehimoret dhe trajtimi i qenve do të vazhdojë si në të kaluarën.”

Mirëpo, pamje ende më tmerruese dolën nga terreni në dhjetor të vitit 2020, nga opozita e cila e akuzoi Komunën për trajtim mizor.

“Nga pamjet që shoqim situata paraqitet mizore. Njëra strehimore është jashtë funksionit, kurse tjetra është llogore për qentë e mbyllur brenda. Pa drita, pa ujë, pa ushqim dhe pa asnjë kushtë elementar, këto qenë po qëndrojnë brenda mureve për 4 muaj me radhë. Nuk u trajtuan dhe nuk po tregohet asnjë llojë kujdesi ndaj tyre”, thuhet në postim.

Sipas opozitës, për tre vite u harxhuan mbi 80 mijë euro për problemi me qentë endacak dhe problemi ende nuk është zgjidhur. Madje, Komuna u akuzua se po helmon qentë.

“Tani papritmas, disa javë para zgjedhjeve, ne gjejmë plot e përplot qen të helmuar nëpër tërë qytetin”, tha Adelisa Mazllami.

Nga ky vit filloi shkatërrimi total i stacionarëve.

2021 – Tenderët 

Në këtë vit, pasi masat e pandemisë u zbutën, në qershor 2021, Komuna u kthye trajtimit të qenve dhe e bëri publik dhe tenderin për “Kapje dhe trajtimi profesional të qenve endacak dhe qenve të paregjistruar në territorin e komunës së Gostivarit” të nënshkruar me klinikën veterinatike “NOVA VET SHPKNJP Gostivar”, me vlerë prej 1.416.000.00 denarëve. Në këtë tender nuk përfshihej “mirëmbajta e strehimores” por ceket se “Komuna e ofron falas shfrytëzimin e ndërtesës me nr 10 të stacionarit dhe furgonin për qentë endacak.” Sipas marrëveshjes tenderi zgjati një vit, deri më 24.06.2022.

Megjithatë, problemi me qentë nuk është zgjidhur, banorët me anë të peticioneve kërkuan zgjidhje të problemit me qentë e pastrehë.

2022 – Problemi i pazgjidhur

Komuna sërish ka përsëritur marrëveshjen me “NOVA VET SHPKNJP Gostivar” me të njëjtën kohëzgjatje një-vjetore, nga 15 qershori 2022 deri më 15 qershori 2023 dhe për të njëjtën shumë parash prej 1.416.000.00 denarëve. Por, këtë herë dallimi në kontratë është se përfshihet mirëmbajtja e strehimores.

Por, nga stacionari në Banjicë asgjë nuk ka mbetur për tu mirëmbajtur, sepse gjithçka në terren ishte shkatërruar. Klinika veterinatike vetëm ka kryer detyrimin e saj për trajtimin e qenve.

maj 2022, u publikuan video e strehimores në të cilën qentë nuk ishin nën kujdesje nga dikush.

Por edhe pas kësaj, Taravari ende shprehej se në komunën që drejton ai ka dy qendra për trajtimin e qenve endacak, duke kërkuar qendër rajonale.

2023 – Mirëmbajtja e stacionarëve inekzistente

shkurt të vitit 2023, komuna pranon se në Gostivar ka rreth 1000 qen endacak, për dallim nga 700 siç ishte në vitin 2018, ndërsa Taravari sërish tha se kanë dy qendra trajtimi, por, duke mos përmendur fjalën stacionar, si dhe ceki nevojën për ndërtimin e strehimores rajonale.

Në qershor 2023, Komuna nënshkroi marrëveshje me ambulantën veterinarike “DOK DHE KET” me të njëjtën kohëzgjatje një-vjetore, nga 15 qershori 2023 deri më 15 qershori 2024 dhe me shumë parash pak më të lartë, prej 1.770.000,00 denarëve. Edhe në këtë kontratë shkruan se përfshihet “mirëmbajtja e strehimores”. Por, të asaj private të ambulantës.

Marrëveshja me ambulantën veterinarike “DOK DHE KET” e cila në dokument figuron se do të zgjasë deri muajin tjetër, në fakt ka mbaruar pas dy muajve, që në gusht të vitit 2023.

“Kontrata ishte nga data 16.06.2023 që do të vlente deri në qershor te këtë viti, mirëpo për dy muaj puna u mbaroi dhe që dhjetë muaj nuk jemi në bashkëpunim sepse në qytetin e Gostivarit ka pasur shumë qen kurse mjetet për dy muaj mbaruan. Përfundoi sepse aq kishte buxhet, tha veterinari i ambulantës “DOK DHE KET”, Rami Selmani.

Deri në fund të vitit 2023, përderisa stacionarët mbeten të shkatërruar, nuk u ndërtua as strehimorja rajonale për qentë endacakë në Pollog, e cila rikujtojmë se ishte premtim parazgjedhor 2021 – 2025 në platformën kandiduese të Taravarit për mandatin e dytë si kryetar të komunës së Gostivarit.

“Zgjidhja e problemit të qenve dhe maceve endacake, ndërtimi i dy strehimoreve për qentë endacak zbuti sa do pak problemin e vazhdueshëm me të cilin ne si komunë jemi ballafaquar, andaj premtojmë se do të vazhdojmë në zgjidhjen e problemit edhe për katër vitet e ardhshme duke u dhënë subvencion qytetarëve që duan të sterilizojnë dhe shënjojnë qentë dhe macet e tyre, dhe duke krijuar strehimore rajonale për qentë endacak. Ne, gjithashtu do të krijojmë një shërbim veterinar komunal, përgjegjës për shënjimin e qenve endacak, sterilizimin e tyre dhe krijim e një baze të dhënash, në bashkëpunim me shoqatat për mbrojtjen e kafshëve”, thuhet në faqen 26 të programit zgjedhor.

2024 – Në vend të strehimoreve, kullosë, shkopinj, mbeturina ndërtimore…

Nga dy strehimoret e qenve të promovuara në vitin 2019, nuk ka mbetur asgjë në terren. Portalbi ishte në vizitë në objektet e ish kazermës në Banjicë dhe nuk gjeti strehimore por ojekte të braktisura në të cilat mund të gjeni kullosë, shkopinj, mbeturina ndërtimore dhe erë të keqe. Pamjet më poshtë tregojnë gjendjen në të cilën është katandisur ky vend.

Rinisa Toska nga “Amos Pet” deklaroi se Gostivari ka potencial të jashtëzakonshëm për të pasur strehimore plotësisht funksionale, me dy hapësira ideale që kërkojnë vetëm investime minimale dhe menaxhim profesional për të funksionuar pa probleme.

“Megjithatë, aktualisht, Gostivari ka mungesë të një organizate e cila do ta kishte menaxhuar procesin e kapjes, strehimit dhe adoptimit të qenve të pastrehë si dhe bashkëpunimit ndër institucional apo respektivisht komuna e Gostivarit të përkrah financiarisht, dhe Ministria e Punëve të Brendshme dega në Gostivar dhe banorët të kyçen aktivisht duke u kujdesur që mos të lëshohen qen të pastrehë nga qytete tjera.” tha ajo.

Të njëjtin mendim me të e ndau edhe bashkëfolësi Selmani.

Në një bisedë të shkurtër në prill 2024, me udhëheqësin e sektorit të veprimtarisë komunale në Gostivar, Safet Asani i tha redaksisë sonë se “aktualisht në Gostivar është hapur vetëm një stacionar për qentë endacak dhe se për momentin nuk ka ndonjë kontratë te re me ndonjë kompani.”

Mirëpo stacionar nuk ka.

Pas marrjes së deklaratave jokonzistente nga udhëheqësit e Komunës dhe që nuk përputhen me realitetin në terren, Portalb ka tentuar disa herë të merr sqarime të detajuara për të verifikuar të dhënat nga Komuna, por Komuna e Gostivarit ka një muaj që nuk përgjigjet në pyetjet e detajuara të redaksisë së Portalbit.

Asani gjothashtu tha se “kemi pasur kërkesë për një projekt të një strehimore regjionale për qentë endacak por për këtë projekt morëm përgjigje negative nga ana qeverisë, pas zgjedhjeve do të shohim se çfarë do të bëhet”.

Policia: Nuk ka asnjë padi penale për vjedhje të gjësendeve në stacionare

Nga policia në pyetjen tonë se a ka pasur ndonjë padi penale për vjedhje të mjeteve të strehimoreve ato u përgjigjën që zyrtarisht deri më tani nuk ka pasur ndonjë raport për vjedhje. Dhe thanë që duhet pyetur komuna për këtë çështje…

Ndryshe, problemi me qentë endacakë është i pranishëm në të gjithë shtetin. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problem në TetovëKërçovë, Kumanovë dhe në vendet tjera.

Arben TaravariArtikuj të gjatëGazetari HulumtueseGostivariKomuna e GostivaritPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreQen - Qen endacak