Nga pjesa e Shqipërisë segmenti drejt vendkalimit kufitar të Qafë Thanës do të ndërtohet plotësisht me Autostradë, konfirmojnë për TV21 nga Tirana zyrtare. Prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shqiptare thonë se me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është miratuar ndryshimi i një trajektore të re me tunel për të hapur edhe një vendkalim të ri kufitar me Republikën e Shqipërisë. Por, sipas tyre nuk do të pezullohet dhe as të tjetërsohet projekti aktual në zonën e mbrojtur nga UNESCO.
“Punimet e autostradës së Korridorit 8 zhvillohen në dy segmente njëkohësisht Rrogozhinë-Elbasan dhe Elbasan-Qafë Thanë. Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është kërkuar që të projektohet një trase e re nga ura e Bushtricës përmes një tuneli drejtë Ladorishtes dhe të hapet një vendkalimi i ri kufitarë, për shkurtim të kohës dhe për të evituar maloret që janë më të kushtueshme për ndërtim dhe mirëmbajtje. Por, Qeveria e Shqipërisë do të vazhdoj edhe segmentin e mëparshëm drejt Qafë Thanës me Autostradë, për të cilat po zhvillohen punimet edhe në zonën e mbrojtur nga UNESCO”, thonë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për TV21.
Sot pikërisht në Qafë Thanë ishin të pranishëm qeveritarët e të dyja vendeve për inter-konektorin energjetik, por nuk folën për autostradën e Korridorit 8.
Dje TV21 e publikoi dokumentin me 8 vërejtjet e Komitetit të trashëgimisë botërore të UNESCO për Maqedoninë e Veriut, në të cilin vetëm në një pikë përmendet autostrada për Korridorin 8.
Kryeministri Mickoski dje tha se në segmentin andej kufirit në pjesën e Shqipërisë nuk do të jetë autostradë.
Ndryshe, Elbasan-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, është kantieri i radhës ku tashmë kanë nisur punimet për të ofruar një aks të ri rrugor, me kushte e standarde të larta. Puna ka nisur me 18 kilometrat e parë, Elbasan-Papër-Ura e Grykshit, dhe brenda pak javëve është avancuar ndjeshëm.
Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi më 12 dhjetor të vitit 2024 ndryshimet ligjore që duhet të mundësojnë ndërtimin e përshpejtuar të seksioneve të autostradës së korridoreve 8 dhe 10d, me vendime që rregullojnë mënyrën e pagesës për punimet që lidhen me shpronësimin.
Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se ka shqetësim rreth mungesës së transparencës në procesin e dhënies së tenderëve për prokurimet publike për Korridorin 8 dhe Korridorin 10d. Aty shprehet shqetësimi për tejkalimin e buxhetit të parashikuar për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Janë planifikuar 1,3 miliardë euro, ose 11,5 përqind e PVB-së së Maqedonisë së Veriut në vitin 2023.
- LEXO: Korridori VIII do t’i shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa porti i ri do të zhvendoset nga Struga në Shkup, paralajmëroi Balluku
- LEXO: Kuvendi i RMV-së miratoi ndryshimet ligjore për përshpejtimin e ndërtimit të seksioneve të korridoreve 8 dhe 10d
- LEXO: Deri në fund të janarit do të përfundojë shpronësimi i pronave për korridorin 8 dhe 10d, premtoi ministri Nikollovski