Shoqata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror njoftoi mbështetje për grevën e Sindikatës

Shoqata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Maqedonisë (ShKTAM) deklaroi mbështetjen e saj për grevën e shpallur nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror në M-NAV për, siç theksuan nga sindikata, parregullsitë në procesin e punësimit, si dhe për shkak të vjetërsimin e pajisjeve të kompanisë dhe kushtet e punës, transmeton Portalb.mk.

Në deklaratën dërguar mediave, ShKTAM thotë se greva e paralajmëruar është kulmi i kërkesave të mëparshme të përbashkëta për përmirësimin e funksionimit të M-NAV.

“Kërkesat tona të përbashkëta janë intensifikuar në një vit e gjysmë të fundit, gjë që e dëshmojnë letrat e shumta drejtuar menaxhmentit sepse kushtet në të cilat punojmë janë më se të turpshme për një kompani të kësaj industrie”, thekson Shoqata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Maqedonisë.

ShKTAM thekson se kontrollorët dhe ndihmësit e kontrollorëve të trafikut ajror punojnë në kushte nën standarde dhe në kushte që rrezikojnë shëndetin e tyre. Ata thonë se po operojnë me sisteme të vjetruara të ventilimit, ftohjes dhe ngrohjes, të cilat nuk janë servisuar prej vitesh, mungesë uji dhe kufizime. Ata shtojnë se shërbimi i trafikut ajror menaxhohet me një sistem të vjetëruar dhe të kufizuar teknologjikisht të kontrollit të trafikut ajror.

Shoqata reagon edhe ndaj menaxhimit të papërgjegjshëm të resurseve në M-NAV, që sipas tyre çon në krijimin e kushteve çnjerëzore, atmosferës degraduese dhe jomotivuese të punës.

“Për këto arsye ne qëndrojmë pranë Sindikatës dhe mbështesim vendimin për grevë, si dhe kërkojmë nga menaxhmenti i M-NAV që të përmbahet nga sulmet personale ndaj individëve dhe të tregojë trajtim dinjitoz ndaj kontrollorëve dhe ndihmës kontrollorëve të trafikut ajror, si dhe të gjithë stafit tjetër profesional dhe operativ”, shtoi Shoqata në deklaratën me shkrim.

Siç njoftoi dje kryetari i Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror në M-NAV, Aleksandar Tasevski, greva do të mbahet më 12 tetor nga ora 11:00 deri në 17:00 dhe gjatë kësaj periudhe avionët nuk do të servisohen në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit.

Nga ana tjetër, menaxhmenti i M-NAV i vlerësoi si tendencioze dhe të pavërteta pretendimet e kryetarit të Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, i cili kishte paralajmëruar grevë për shkak të parregullsive në procesin e punësimit dhe rishpërndarjeve të brendshme, si dhe për shkak të vjetërsimin e pajisjeve të kompanisë.

GrevaMNAV (M-NAV)Transport ajror