SHBA kërcënoi Izraelin me embargo armësh: 30 ditë kohë për të zgjidhur krizën humanitare në Gaza

SHBA i ka dhënë 30 ditë kohë Izraelit për të zgjidhur krizën humanitare në Gaza, në të kundërt do të përballet me pasojat e parashikuara nga legjislacioni amerikan ë rregullojnë ndihmën e huaj ushtarake, raporton ABC.

Këtë kërkesë, SHBA e ka pëcjellë përmes një letre nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe i Mbrojtjes Lloyd Austin, drejtuar ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe ministrit të Çështjeve Strategjike Ron Dermer.

Ata theksojnë shqetësimin e SHBA-së për situatën në Gaza dhe kërkojnë “veprime urgjente dhe të qëndrueshme nga qeveria këtë muaj për të ndryshuar këtë trajektore”.

Lista e kërkesave të SHBA-së është e gjerë. Izraeli duhet të lejojë të paktën 350 kamionë në ditë të hyjnë në Gaza përmes të katër kalimeve kryesore. Izraeli duhet gjithashtu gjatë muajit të ardhshëm të zbatojë pauza humanitare në të gjithë Gazën sipas nevojës për të mundësuar aktivitete humanitare, duke përfshirë vaksinimet dhe shpërndarjen e ndihmave për të paktën katër muajt e ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë gjithashtu që Izraeli të lejojë njerëzit në zonën humanitare Al-Maëasi brenda Gazës të lëvizin në brendësi para dimrit dhe të rrisin sigurinë për autokolonat dhe lëvizjet humanitare.

Izraeli duket se tashmë po i përgjigjet letrës, të paktën në mënyrë indirekte. Vetëm një ditë pas dërgimit të letrës, COGAT, agjencia izraelite që menaxhon politikën për territoret palestineze dhe rrjedhjen e ndihmave në brez, postoi foto të ndihmave që po shkojnë në Gaza.

“30 kamionë hynë në veri të Gazës përmes kalimit Erez më herët sot. Izraeli nuk po pengon hyrjen e ndihmave humanitare, me theks te ushqimi, në Gaza,” tha COGAT në një postim në X.

“Izraeli do të vazhdojë të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare për banorët e Gazës, duke shkatërruar njëkohësisht infrastrukturën ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.”