Rusia dhe Kina zhvilluan bisedime, siç shprehen të dyja palët, “thelbësore” për të forcuar lidhjet në në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake, tha ministri i Mbrojtjes së Rusisë të martën, ndërsa Moska dhe Kina çimentojnë partneritetin “pa kufij” dhe forcojnë kritikat ndaj përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të zgjeruar ndikimin në Azi, raporton Zëri i Amerikës.
“Institucionet ushtarake të Rusisë dhe Kinës janë të bashkuara në vlerësimin e zhvillimeve botërore dhe ndajnë ide të përbashkëta se çfarë duhet bërë lidhur me gjendjen aktuale”, thuhej në një postim të ministrisë së Mbrojtjes ruse në aplikacionin Telegram, që citonte ministrin Andrei Belousov.
Ministri rus i Mbrojtjes Belousov u takua me nënkryetarin e komisionit qendror ushtarak të Kinës, Zhang Youxia për bisedime, të cilësuara nga të dyja palët si “shumë thelbësore”.
Ministri i Mbrojtjes së Kinës tha pas takimit se të dyja palët shpresojnë që të thellojnë dhe zgjerojnë marrëdhëniet ushtarake dhe të vazhdojnë shkëmbimet e nivelit të lartë.
Vizita e zotit Belousov në Kinë zhvillohet ndërsa ushtria e Kinës u zotua të kryejë veprime të tjera ndaj Tajvanit, në rast se është e nevojshme, pasi kreu stërvitje ushtarake një ditore (pranë Tajvanit), që tha se ishin paralajmërim ndaj “akteve separatiste”. Manovrat ushtarake u dënuan nga Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara.
Kina dhe Rusia shpallën “partneritet pa kufij” në shkurt të vitit 2022 gjatë vizitës në Pekin të Presidenti Vladimir Putin, tre javë para se ai të niste sulmin në shkallë të gjerë ndaj Urainës.
Në maj të këtij viti, udhëheqësi rus Putin dhe ai kinez Xi Jinping u zotuan për një “epokë të re” të partneritetit të dy kundërshtarëve më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara.
Udhëheqësit Putin dhe Xi ranë dakord gjithashtu të thellojnë “partneritetin e tyre strategjik”, tha zoti Belousov, pa dhënë më shumë hollësi, duke shtuar se kishte besim se në të ardhmen i pret një “punë e frytshme dhe miratimi i vendimeve të rëndësishme”.
Rusia tha javën e kaluar se qëndron në krah të Kinës për çështjet aziatike, duke përfshirë kritikat ndaj përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të zgjeruar ndikimin e tyre dhe ato që Moska i quan si “përpjekje të qëllimshme” për të ndezur situatën përrreth Tajvanit.
Shtetet e Bashkuara thonë se Kina po mbështet përpjekjet e Rusisë për luftën në Ukrainë duke e furnizuar me të ashtuquajturat mallra me përdorim të dyfishtë, duke përfshirë pajisje të vogla elektronike, që mund ta ndihmojnë Moskën për ndërtimin e armëve. Kina thotë se nuk i ka ofruar armatim asnjërës palë dhe se tregtia normale me Rusinë nuk duhet të ndërpritet apo kufizohet.