Shaqiri: Rritje e pagave për mësimdhënësit, masa të reja sigurie në shkolla, ditar elektronik i ri në vitin e ri shkollor

Rritje e pagave për të gjithë mësuesit në përputhje me marrëveshjen e përgjithshme kolektive, masa të reja të sigurisë për shkollat ​​për të cilat do të dërgohen udhëzime te drejtorët, si dhe ditar i ri elektronik, janë vetëm një pjesë e risive që do të zbatohen në këtë vit të ri shkollor, ka bërë të ditur sot ministri i Arsimit. Ai nuk tha saktësisht se sa nxënës të shkollave fillore dhe të mesme do të fillojnë nesër vitin shkollor dhe as sa fëmijë janë regjistruar në klasën e parë, transmeton Portalb.mk.

“Viti shkollor do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 17 qershor dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të kenë pushim pranveror që do të zgjasë nga 29 prilli deri më 5 maj, që është praktikë në vendet e tjera. Kjo risi do të sjellë rezultate më të mira në mësim. Në verë jemi përgatitur me pushtetin lokal për fillimin dhe rrjedhën e suksesshme të vitit të ri shkollor, ashtu siç e kërkon planprogrami i ri dhe risitë”, ka thënë Shaqiri.

Lidhur me ditarin e ri elektronik, ai përsëriti se zgjidhja e re softuerike duhet të eliminojë problemet me të cilat janë përballur mësuesit në të kaluarën.

“Gjatë kësaj periudhe është duke u testuar sistemi, po bëhen edhe trajnime të mësuesve. Do të ketë edhe masa të reja sigurie në shkolla, nevojat i kemi përcaktuar me MPB-në, kështu që së shpejti do të ketë udhëzime për të gjitha shkollat”, tha ai.

Ai përsëriti se shumica e teksteve që janë miratuar tashmë janë dorëzuar në shkolla, ndërsa pjesa tjetër, përkatësisht tekstet e reja për klasën e gjashtë, do të dorëzohen pasi të shtypen.

“Ka edhe materiale mësimore nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit, për klasat e treta dhe të gjashta, të destinuara për mësues dhe nxënës. Ato janë të disponueshme në formë elektronike në faqen e Byrosë”, tha ministri.

Ai informoi se për një vit janë miratuar 150 tekste, pjesa më e madhe për arsimin e mesëm profesional, të cilat sipas tij do të shtypen dhe shpërndahen me faza.

Për vonesën e teksteve shkollore kryeministri i vendit – Dimitar Kovaçevski, i pyetur nga gazetarët ka thënë se nuk mundet ministri të ulet, t’i shkruajë dhe t’i miratojë.

“Këtë vit situata me tekstet shkollore është përmirësuar dukshëm në krahasim me vitet e kaluara. Tekstet shkollore për të gjitha klasat tashmë janë duke u dorëzuar në të gjitha shkollat. Megjithatë, ka disa tekste për të cilat një pjesë e materialeve nuk janë miratuar ose disa nuk janë plotësuar nga vetë autorët, disa nuk e kanë kaluar shqyrtimin sepse ministri nuk mund të ulet të shkruajë tekstin, ta miratojë. Bëhet nga autori, komisioni recensues dhe në fund teksti i jepet departamentit të botimeve dhe shtypet”, tha Kovaçevski.

“Në vitin 2022, pagat në arsim janë rritur për 18.4 përqind. Si rezultat i diskutimeve me SASHK-un, këtë vit do të ketë rritje të re të pagave, në përputhje me marrëveshjen e përgjithshme kolektive dhe pagën minimale në vend”, tha Shaqiri.

Ai theksoi se janë të rëndësishme edhe mundësitë për zhvillimin e karrierës së mësimdhënësve dhe informon se Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon thirrje për avancim në pozitën e mentorit.

“Që nga qershori janë trajnuar 17200 mësues. Kjo forcon kompetencat e tyre dhe kjo do të kontribuojë që të kemi gjenerata edhe më të mira”, tha ministri.

Ndryshe, në dokumentin në të cilin janë shënuar udhëzimet e reja për shkollat të cilat i publikuan përgjegjësit në Byronë për Zhvillimin e Arsimit (BZhA), e që do duhet të aplikohen nga nesër, 1 shtator thuhet se të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë në shkollë qëndrojnë nga pesë orë në ditë (përjashtim bëjnë ata nxënës që qëndrojnë më shumë orë për shkak të qëndrimit të zgjatur). Nxënësit e klasës së gjashtë qëndrojnë në shkollë 6 orë në ditë, ndërsa qëndrimi i detyrueshëm i mësimdhënësve që japin mësim nga klasa e parë deri në të gjashtën është 6 orë, pavarësisht nëse janë mësimdhënës të grupit klasor apo ligjërojnë ndonjë lëndë.

Jeton ShaqiriMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeShkolla filloreShkolla të mesmeVit Shkollor