Serbia kërkoi sqarim nga Maqedonia e Veriut rreth arratisjes së Ramadanit

Ministri për punë të brendshme në Serbi, Ivica Daçiq, deklaroi që Beogradi kërkon sqarim nga autoritetet shtetërore në Maqedoninë e Veriut për arratisjen e Blerim Ramadanit, i cili ishte arrestuar në Maqedoninë e Veriut ne bazë të një fletarresti të Interpolit, kërkuar nga Serbia, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk.

Daçiqi e vlerësoi arratisjen e Ramadanit nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut si “skandal”.

“Bëhet fjalë për një përfaqësues i UÇK-së terroriste që ka kryer krime ndaj Serbisë në Kosovë dhe Metohi dhe të cilin Serbia e kërkon për të dal para gjyqit”, deklaroi Daçiq.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut më 15 gusht ka lëshuar fletarrest qendror pasi Blerim Ramadani ishte arratisur nga arresti shtëpiak. Ai më 17 korrik ishte ndaluar në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Ramadani, sipas mediave kosovare, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.

 

Dialog Kosovë - SerbiEkstradimKosovaMaqedonia e Veriut RMVMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)SerbiaUÇK MaqedoniUshtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)Vendkalimi kufitar në JazhincëVeteranët e UÇK