Seancë në Gjykatën Kushtetuese: Apasiev ankohet se është diskriminuar nga Talat Xhaferi

Në Gjykatën Kushtetuese sot po mbahet seanca publike pas kërkesës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të parashtruar nga deputeti i së majtës, Dimitar Apasiev, transmeton Portalb.mk.

Apasiev thekson se është diskriminuar për shkak të përkatësisë së tij politike si deputet, nga Talat Xhaferi, i cili në atë kohë ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në gjykatë janë të pranishëm edhe Apasiev dhe Xhaferi, të cilët para gjyqtarëve i shpjegojnë argumentet e tyre.

Në kërkesë thuhet se kryetari i Kuvendit nuk ka vepruar në pajtim me Ligjin për referendum, për kërkesën e Apasievit ka vendosur vetë, në vend që t’ia dorëzojë Komisionit Ligjvënës dhe Juridik dhe kryetarit të trupit punues amë për qëllimi i dhënies së mendimit.

Bëhet fjalë për një Propozim-Kërkesë për nisjen e një nisme qytetare në nivel shtetëror për shpalljen e referendumit të detyrueshëm plotësues, i cili duhet të mundësonte mbledhjen e mëtejshme të pandërprerë të 150.000 nënshkrimeve të qytetarëve të parashikuara me Kushtetutë për shpalljen e referendumit me pyetjen e mëposhtme:

“A jeni pro vazhdimit të negociatave me BE-në duke pranuar Konkluzionet Parlamentare nr. 08-3238/1 nga 16 korriku 2022?

Parashtruesi i kërkesës, Dimitar Apasiev, konsideron se kryetari i Kuvendit, duke refuzuar t’ia përcjellë iniciativën organeve kompetente parlamentare, ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar dhe në këtë mënyrë e ka penguar parashtruesin të ushtrojë të drejtën e mbrojtur me Kushtetutë për veprim politik.

Me rastin e paraqitjes së kërkesës në Gjykatën Kushtetuese (23.12.2022), kërkuesi ka treguar se është deputet i opozitës dhe kryetar i partisë politike parlamentare opozitare “Levica” dhe se është penguar të veprojë politikisht nga kryetar i Legjislativit.

“Për këtë arsye, kërkuesi Apasiev ka parashtruar kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave nga neni 110 paragrafi 3 i Kushtetutës, që kanë të bëjnë me të drejtën për veprim politik dhe ndalimin e diskriminimit në bazë të përkatësisë politike. Gjithashtu, kërkuesi thekson se me veprimin në fjalë, kryetari i Kuvendit cenon të drejtën për të ndaluar diskriminimin e qytetarëve në bazë të përkatësisë politike, e cila garantohet me Kushtetutë dhe me nenin 14 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Dimitar ApasievE Majta – Levica partiaGjykata Kushtetuese RMVTalat Xhaferi