Safe City po zgjerohet në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër, zbatimi do të fillojë më 12 tetor

Sistemi “Safe City” zgjerohet në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër, në territorin ku vepron Sektori për Punë të Brendshme – Ohër, njoftoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai theksoi se aktualisht janë duke u zhvilluar përgatitjet përfundimtare të qendrës së komandës, e nevojshme për zbatimin praktik të sistemit “Safe City” në këto qytete, i cili pritet të fillojë të zbatohet nga 12 tetori, transmeton Portalb.mk.

“Jemi në fazën përfundimtare të rregullimit të qendrës së komandës në SPB Ohër, e cila është e nevojshme për të filluar zbatimin praktik të ‘Safe City’. Në parim, jemi dakorduar me drejtuesit se do të jemi të gatshëm që sistemi të fillojë të zbatohet nga 12 tetori në të gjithë territorin e SPB Ohrit. Kjo do të thotë se ‘Safe City’ po e zgjerojmë edhe në zonat e Ohrit, Strugës, Kërçovës dhe Dibrës. Në dy javët e ardhshme duhet t’i përfundojmë aktivitetet e mbetura, në mënyrë që këtë sistem inteligjent ta vëmë plotësisht në funksion”, theksoi ministri Toshkovski.

Gjatë vizitës në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare – Perëndim, ministri informoi edhe për një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin me FRONTEX-in. Është dakorduar që aktivitetet që deri tani zhvillohen në kufirin jugor të zgjerohen edhe drejt kufirit perëndimor, ndërsa fillimi i aktiviteteve të përbashkëta pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

“Për herë të parë është dakorduar që FRONTEX-i, në kuadër të bashkëpunimit që kemi me Bashkimin Evropian, t’i drejtojë aktivitetet e tij edhe drejt kufirit perëndimor dhe jo vetëm drejt kufirit jugor, siç ka qenë deri tani. Presim që aktivitetet e përbashkëta të fillojnë në fillim të vitit të ardhshëm, me çka do të sigurojmë kapacitete shtesë dhe kontroll më të mirë të kufirit perëndimor, para së gjithash drejt Shqipërisë”, theksoi Toshkovski.

Ministri theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me aktivitetet për modernizimin e punës policore, forcimin e sigurisë kufitare dhe avancimin e kapaciteteve të shërbimeve policore, me qëllim përballimin më efikas të sfidave të sigurisë dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.

Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi me mijëra kundërvajtje në trafik.

Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ filloi vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Pançe ToshkovskiQyteti i Sigurt safe city