Sa më shumë që të rinjtë janë të përfshirë dhe kanë edukim mediatik, aq më i madh është aktivizmi i tyre qytetar dhe politik

Nevojitet angazhim dhe edukim mediatik i të rinjve, që të rritet edhe angazhimi i tyre qytetar dhe politik. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse dihet se, pjesëmarrja e të rinjve në jetën publike është e ulët dhe në këtë mënyrë, aktivizimi në këtë fushë nënkupton edhe verifikim më i shpeshtë i vërtetësisë së informacioneve dhe besim më i madh në potencialet e tyre që të njohin dezinformatat, shkruan RadioMof.

Njëkohësisht, shqetëson fakti që, pothuajse një e katërta e të rinjve janë në nivele kritike të varësisë nga mediat sociale, ku më së shpeshti informohet për ngjarjet aktuale. Të rinjtë shfaqin edhe zakone pasive lidhur me ndjekjen e lajmeve, gjë që në të kundërtën do t’i bënte ata më të informuar për një temë, dhe për rrjedhojë më aktivë dhe më të angazhuar.

Në publikimin “Nxitja e aktivizmit qytetar të të rinjve përmes angazhimit mediatike”, janë prezantuar më shumë gjetje dhe konkluzione të këtilla, si pjesë e hulumtimit që Instituti i Studimeve të Komunikimit (ISK) e zbatoi me të anketuarit e moshës prej 18 deri në 29 vjeç.

Rreth shprehive të të rinjve për lajmet, në dokument qëndron se ata janë rritur në familje ku është ndjekur televizori dhe gazetat, por tani mediat tradicionale e humbin fuqunë ndaj të rinjve.

“Ata parapëlqejnë rrjetet sociale (më së shpeshti Instagramin, më pas edhe Favebook-un, TikTok-un, Youtube-in), si mënyrë më atraktive për qasje te lajmet. As gjinia, as vendi i banimit (mjedisi urban/rural), as mosha nuk janë variabla të rëndësishme, të gjithë përdorin mediat sociale njëlloj shpesh”, thonë studiuesit.

Pas rrjeteve, burimet më të zakonshme të informacionit janë familjarët, miqtë dhe kolegët e tyre, më pas gjeneruesit e lajmeve, ekspertët me profilet e tyre publike, më pas televizionet, radiot dhe gazetat. Edhe influencuesit dhe YouTubers-at përfaqësojnë burime informacioni për ta, si dhe faqet e internetit të specializuara ose revistat profesionale.

“Për të rinjtë, është karakteristike konsumimi pasiv i lajmeve: pothuajse dy të tretat janë deklaruar se më së shpeshti hasin në lajme derisa bëjnë gjëra të tjera, ndërsa vetëm një e treta e tyre kërkojnë në mënyrë aktive lajme dhe informacione”, theksojnë studiuesit.

Të rinjtë kanë nevojë të flasin gojarisht (sy më sy) apo online me shokët dhe kolegët për lajmet që i lexojnë (më së shpeshti femrat, ndërsa më pas edhe t’i lexojnë komentet e publikimeve në media sociale.)

Është interesante që të rinjtë janë të interesuar për lajmet për shëndet, por jo edhe për sport. U interesojnë lajmet për luftërat në botë, por jo edhe për të drejtën sociale.

“Interesat e tyre përcaktohen kryesisht nga gjinia dhe vendbanimi, kështu që, për shembull, burrat janë më të interesuar për lajmet nga politika, luftërat botërore, biznesi dhe ekonomia dhe sporti. Nga ana tjetër, femrat kanë më shumë interes për lajme nga fusha e argëtimit, personat e famshëm dhe stilit të jetesës. Lajmet rreth kulturës (film, muzikë, art, libra), drejtësi sociale (pabarazi gjinore apo etnike, të drejtat LGBT+, etj.), si dhe ndryshimet klimatike dhe mjedisi janë më interesante për të rinjtë nga zonat urbane”, theksojnë studiuesit.

Sa i përket varësisë ndaj rrjeteve sociale, të rinjtë ndjejnë nevojën për t’i përdorur ato gjithnjë e më shumë në një pjesë të madhe të ditës dhe kalojnë shumë kohë duke menduar dhe planifikuar se si t’i përdorin ato. Ata shpesh përpiqen, por pa sukses, të reduktojnë përdorimin e tyre.

“Shpërndarjet, pëlqimet dhe komentet në këto platforma aktivizojnë qendrën e trurit për përmirësim, që rezulton me një nivel të lartë të dopaminës, i ngjashëm me atë që ndjejnë njerëzit kur luajnë bixhoz ose përdorin drogë. Ky lloj varësie bie në kategorinë e varësisë së sjelljes”, thuhet në dokument.

Sipas studiuesve, te personat që janë të varur nga rrjetet sociale mund të vërehet: paraqitje e shqetësimit, posaçërisht në rast kur nuk ka qasje në rrjetet sociale. Më tej, vazhdimisht kontrollohet telefoni kur dëgjohet tingulli i njoftimeve, gjatë vendosjes së një fotografie në rrjetet sociale, vazhdimisht kontrollohen komentet dhe pëlqimet dhe njëkohësisht, përdorimi i rrjeteve sociale është gjëja e parë dhe e fundit në ditë, përkatësisht është rutinë e zakonshme. Ndërkaq, ngjarjet, vlerësohen sipas asaj se sa janë të vlefhshme për “ngarkim”.

Në lidhje me dezinformatat, të rinjtë janë të bindur se, dinë të njohin dezinformatat.

Pothuajse, 2/3 e të anketuarve të rinj (në numër më të madh femra) vlerësojnë se, partitë politike janë një ndër krijuesit kryesor të dezinformatave.

Përqindja më e madhe e të anketuarve kanë deklaruar se dinë ku të raportojnë dezinformatat nëse shfaqen në rrjetet sociale (79.1%), dhe më së paku dinë se ku të raportojnë informacione të rreme nëse ato publikohen në radio (19.9%) ose në gazetë (19.6). %). Vetëm 34.3% janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen “A keni raportuar ndonjëherë dezinformim?”

Angazhimi qytetar dhe politik mes të rinjve është në nivel të ulët. Pothuajse gjysma e të rinjve (47 %) nuk kanë marrë pjesë kurrë në një aksion vullnetar, ose më mirë nuk kanë punuar asnjëherë në mënyrë joformale me dikë tjetër ose me një grup për të zgjidhur një problem në komunitetin ku jetojnë.

“Ekspozimi i hershëm ndaj aktiviteteve të caktuara në familje që përfaqësojnë pjesëmarrjen në jetën publike, si votimi dhe vullnetarizmi, ka një efekt afatgjatë në angazhimin qytetar dhe politik të të rinjve. Prandaj, familjet që diskutojnë rregullisht ngjarjet socio-politike dhe inkurajojnë të rinjtë të marrin pjesë në detyrat qytetare zakonisht prodhojnë të rinj që janë më pjesëmarrës në jetën publike të komunitetit”, thuhet në studim.

Në mjediset shkollore, të rinjtë kanë përvoja reale me aktivitete të caktuara qytetare dhe politike, por ato nuk janë të sistemuara dhe sistematike, ndaj lihet në vullnetin e mësuesve dhe profesorëve të caktuar që me iniciativën e tyre të inkurajojnë aktivizmin.

“Duke forcuar programet e edukimit qytetar dhe të edukimit mediatik, të rinjtë do të zhvillojnë aftësi për arsyetim kritik, për rezistencë ndaj efekteve negative të keqinformimit dhe për pjesëmarrje aktive qytetare dhe politike”, thuhet mes tjerash në konkludimet e studiuesve.

Edhe organizatat politike – në nivel komunal, ministror apo qeveritar, duhet të luajnë një rol kyç në promovimin e aktivizmit të të rinjve në jetën publike. Aq më tepër që të anketuarit theksuan paarritshmërinë dhe mbylljen e komunave ndaj kërkesave të të rinjve, si dhe ndaj asaj që po ndodh apo planifikohet për ta.

“Pothuajse të gjithë të rinjtë thanë se pushteti qendrore i përfshin shumë pak në krijimin e politikave rinore dhe nuk kontribuon në angazhimin e tyre qytetar dhe politik”, thuhet në dokument.

Mediat, nga ana tjetër, njihen si bllokuese të aktivizmit për shkak të mbingarkesës me ngjarje politike-partiake dhe hapësirës joproporcionale për tema të tjera të rëndësishme sociale që do të nxisnin njëfarë aktiviteti tek të rinjtë.

“Një përzierje e balancuar e lajmeve negative dhe pozitive është çelësi për të përmirësuar vetëbesimin dhe dëshirën e tyre për të marrë pjesë në aktivitete qytetare dhe politike. Praktika e gazetarisë etike dhe konstruktive, e cila fokusohet tek zgjidhjet, do të sigurojë diversitet në raportim, që korrespondon me vlerat dhe preferencat e ndryshme të të rinjve”, thuhet në konkludimin e dokumentit.

Shembulli i vetëm i ndritshëm janë organizatat e shoqërisë civile, te të cilat të rinjtë besojnë se arrijnë me sukses dhe inkurajojnë pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.

“Krijimi i komuniteteve online dhe ofrimi i platformave për diskutimin e ngjarjeve socio-politike mund të nxisë një ndjenjë më të madhe të detyrës dhe angazhimit qytetar”, konstatohet te hulumtimi i Institutit për Studime të Komunikimit.

Gazetarë - Gazetari - MediaTë rinj - Rini - Rinia