Edhe përkundër rënies së besimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj Bashkimit Europian, nga 56% në 54% sipas Eurobaarometrit, njohësit e çështjeve eurointegruese inkurajojnë me faktin se eurointegrimet po mbahen si debat në publik. Të tjerë mendojnë se me rënien e besimit, zvogëlohet edhe presioni publik për të vazhduar në rrugën drejt Bashkimit Evropian, shkruan Portalb.mk.
Profesori universitar dhe njohës i çështjeve integruese, Enver Abdullahu as nuk e vë në dyshim se besimin e lartë të qytetarëve ndaj BE-së, që vërtetohet në anketa, e mbajnë lartë shqiptarët.
“Në vendin tonë është brengosëse se u humb fare nga debati publik tema e eurointegrimeve. Tash me lëvizjet e fundit në qeveri sikur nis të nxehet sërish debati për rrugëtimin eurointegrues. Është shumë alarmante përplasjet që ndodhën në bllokun shqiptar dhe mosmbajtja e konsensusit rreth primaritetit te procesit eurointëgrues. Shqipëria po përmbyll me sukses klasterin e dytë përkatësisht shtatëmbëdhjetë kapituj dhe porositë e fundit nga Brukseli janë se ajo po përparon me hapa gjigante drejt anëtarësimit të plotë. Kjo pa mëdyshje se do të ketë efektin e saj përshpejtues edhe ndaj vendit tonë, plus rreth zgjidhjes se çështjes bilaterale Prishtinë- Beograd”, tha për Portalb Abdullahu.
Ndërkaq, ish presidenti Stevo Pendarovski besimin e maqedonasve ndaj BE-së e ka krahasuar me besimin e serbëve ndaj Bashkimit Evropian.
“Besimi në BE ishte i lartë falë shqiptarëve. Nëse pyet vetëm maqedonasit etnikë, ne kemi rreth 30% mbështetje dhe një mbështetje të këtillë е has vetëm në Serbi. Pra, si mund të presim presion publik për të vazhduar rrugën drejt BE-së, kur nuk ka mbështetje për të? Fatkeqësisht, populli ynë, me të gjitha këto probleme që ka pasur në këto dekada jetese të vështirë, si maqedonasit, ashtu edhe shqiptarët dhe të tjerët, janë praktikisht të anestezuar dhe të mpirë ndaj të gjitha këtyre budallallëqeve që u shërbehen nga elitat e ndryshme politike”, tha Pendarovski, duke shtuar se ky nuk do të jetë një problem sigurie, por do të jetë një shenjë se si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët do të fillojnë të largohen nga Maqedonia përgjithmonë në numër edhe më të madh.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka ngecur në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian shkaku i ngërçit politik si rrjedhojë e mosdialogut me Bullgarinë fqinje dhe mungesës së vullnetit për ndryshime kushtetuese.
Qëndrimet e eksponentëve të qeverisë janë dëshmi se tani për tani nuk do ndërmerret asgjë konkrete për të debllokuar rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE edhe përkundër ofensivës diplomatike të Brukselit zyrtar në Maqedoninë e Veriut për ta aktivizuar vendin në dialogun me Bullgarinë fqinje.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në fjalimin e saj hapës në debatin me anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian mbi zgjerimin e BE-së, situatën në Ukrainë dhe politikën e fqinjësisë së bllokut, mes tjerash theksoi:
“Objektivi ynë politik është të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut në kuadër të klasterit “Vlerat Themelore”, sapo të miratohen ndryshimet e nevojshme kushtetuese”.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
- LEXO: Kos u ofrua të ndërmjetësojë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe midis RMV-së dhe Bullgarisë
- LEXO: Brukseli insiston në Planin A, Mickoski kthehet në ngatërresat ballkanike të vitit 1956- 1965
- LEXO: Kallas për zhbllokimin e integrimeve evropiane të RMV-së: Ka mundësi të bëjmë diçka
- LEXO: Kosta: Nuk ju duhet plan B për hyrje në BE, përqendrohuni te plani A