Rritja e temperaturave ngre alarmin e zjarreve në Tetovë, autoritetet apelojnë për kujdes

Me rritjen e temperaturave këto ditë është rritur edhe alarmi dhe apelet nga autoritetet për zjarret e mundshme. Në Tetovë vetëm nga fillimi i vitit e deri më tani, zjarrfikësit kanë ndërhyrë në mbi 500 zjarre. Komandanti i zjarrfikësve që qytetarët të kenë kujdes dhe mos të jenë faktor i zjarreve të mundshme. Policia rikujton dënimet, alarmojnë edhe nga PK “Mali Sharr”, shkruan Portalb.mk.

Një shkëndi mund të sjellë zjarr të madh, apelohet për kujdes

Komandanti i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit (NJTKZ) në Tetovë Avni Ameti theksoi se nga fillimi i vitit kanë intervenuar në rreth 500 zjarre në rrethinën e Pollogut.

Komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Siç edhe shihet nga temperaturat e larta do të ketë thatësi shumë të madhe, apelet tona janë që qytetarët të bëjnë kujdes në këtë drejtim për arsye se një shkëndi e vogël mund të bëjë një zjarr të përmasave të mëdha, të ruajmë të mirat materiale dhe jetët e njerëzve”, tha Ameti.

Ai shtoi se janë në gatshëm dhe kanë kapacitete që tu bëjnë ballë zjarreve.

“Kemi bërë edhe hapjen e nënstacionit në Zhelinë, bëjmë përpjekje që të hapim edhe dy nënstacione që duhet të përfshijnë gjithë komunat rurale të Pollogut që të jemi sa më afër qytetarëve për të ju dalë në ndihmë”, tha Ameti.

Policia rikujton dënimet

Zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë Fatmir Rexhepi tha se me rritjen enorme të temperaturave të cilat tash po mbizotërojnë në vendin tonë, në masë të madhe janë rritur edhe rreziqet potenciale për përhapjen e mundshme të zjarreve edhe në rajonin e Pollogut. Kjo, siç tha Rexhepi më së shumti për arsye se ky rajon posedon një vegjetacion të bujshëm dhe për këtë arsye nevojitet zgjuarsi maksimale dhe sjellje të përgjegjshme të secilit individ.

Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Qytetarët të jenë syçelë dhe maksimalisht të kujdesëshëm, nëse lëvizin dhe punojnë nëpër fushat e tyre apo nëpër pyje, të mos i djegin mbeturinat, megjet dhe kashtat nëpër arat e tyre dhe të mos hedhin djegurina të pa fikura mirë dhe cigare të ndezura”, tha Rexhepi.

Ai theksoi se qytetarët të cilët gjatë fundjavës do të qëndrojnë në vende për piknik, paralajmërohen që të mos ndezin zjarre, të cilat në situata kur nuk shuhen mirë, shumë shpejtë mund të rrindizen dhe përhapen përreth dhe me këtë të shkaktojnë pasoja të ndryshme të pakthyeshme dhe rënda materiale.

Ai këshilloi që në vende të hapura të mos të lënë shishe prej qelqi apo lëndë tjera, të cilat gjatë qëndrimit më të gjatë në diell, mundë të shkaktojnë zjarre.

“Në të kundërtën nëse me apo pa dashje ose nga pakujdesia shkaktohet zjarr, do të ballafaqohen me sanksione rigoroze ligjore, gjegjësisht parashtresa, të cilat në instanca përfundimtare parashihen edhe dënime me burg prej 6 muaj deri 8 vjet, varësisht nga lloji i zjarrit, pasojat dhe rrethanat tjera”, tha Rexhepi i cili paralajmëroi se policia do të ketë aktivitete kontrolluese në këtë drejtim.

Në lidhje me zjarret e mundshme edhe Parku Kombëtar ka rikujtuar vizitorët që këto ditë të nxehta të mos ndezin zjarr, të mos hedhin filterë të cigareve dhe të mos përgatitin zgarë në vende jo të përcaktuara.

Ndryshe, me rritjen e temperaturave gjatë verës në RMV rritet edhe numri i zjarreve në ambiente të hapura.

Rajoni i PollogutSPB TetovëTetovaZjarrZjarrfikës