Rritja e rrogave në arsim, ministrja paralajmëroi së shpejti marrëveshje mes Ministrisë dhe Sindikatës

Ministrja për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska, në konferencën për 100 ditët e Qeverisë së re, paralajmëroi së shpejti marrëveshje ndërmjet Ministrisë për Arsim dhe Shkencë dhe Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. MIA sqaroi që kjo marrëveshje planifikon rritjen e rrogave për mësimdhënësit këtë vit, transmeton Portalb.mk.

 Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska kumtoi se do të ketë buxhet më të madh për arsimin dhe shkencën në vitin 2025, ndërkaq paralajmëroi edhe se së shpejti do të arrihet marrëveshje me SASHK-un dhe rritje të rrogave të mësimdhënësve këtë vit.

Në konferencën për shtyp, për 100 ditët e punës së Qeverisë, Janevska tha se MASH-i diskuton me Ministrinë e Financave për buxhet më të madh për vitin e ardhshëm për të cilin, tha, është paraparë rritje edhe e mjeteve për shkencë, para së gjithash për institucionet shkencore.

Lidhur me negociatat me Sindikatën e pavarur për arsim, shkencë dhe kulturë (SASHK) u përgjigj se ato janë në rrjedhë dhe pret për kohë relativisht të shkurtë të arrihet marrëveshje serioze, duke paralajmëruar se ekzistojnë mundësi që mësimdhënësit të kenë rritje të rrogave këtë vit.

Kumtoi se MASH-i po bën analiza se si të vazhdohet ndërtimi i objekteve për FSHIIK dhe Fakultetin për kulturë fizike në afërsi të Rektoratit të USHCM-së dhe se deri në fund të mandatit “nëse jo tërësisht, ndërtimi gjithsesi do të vazhdojë në të dy ndërtesat”.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 30 shtator u takua me përfaqësuesit e sindikatave në Maqedoninë e Veriut, ku ndër të tjera u diskutua edhe për rritjen e rrogave në arsimin fillor dhe të mesëm. Paraprakisht,  Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) më 23 shtator njoftoi se i ka dhënë një javë afat Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të ulet për të biseduar rreth rritjes së rrogave, duke paralajmëruar radikalizim të masave sindikale.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, kishte premtuar që rritje të rrogës për 12 përqind në arsim do të ketë prej muajit mars të vitit 2025, ndërsa sindikalistët kërkojnë rritje prej muajit shtator.

Arsimtar(e) Mesues(e) MësimEkonomia e shtetit - Lajme ekonomiJakim NedellkovskiMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Paga - RrogaSindikata për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK) RMVVesna Janevska