RMV, u zbatua projekti për përfshirjen digjitale të grave në zonat rurale

Shoqata “Vlerat e Përbashkëta” zbatoi me sukses projektin “Kalimi i ndarjes digjitale: Përmirësimi i jetës së grave në zonat rurale”, qëllimi i të cilit ishte përmirësimi i kushteve të jetesës së grave në zonat rurale duke fuqizuar ato për të përdorur teknologjitë digjitale dhe duke përmirësuar aftësitë e tyre, transmeton Portalb.mk.

Projekti u zbatua për nëntë muaj dhe në të morën pjesë gra nga Haraçina, Saraji, Tearca, Vrapçishti, Jegunovca, Çuçer-Sandeva, Zhelina, Bërvenica, Shuto Orizari, Bogovina, Staro Nagoriçani, Studeniçani, Çairi, Buteli dhe Likova.

Në kuadër të projektit u zhvilluan një sërë trajnimesh për aftësitë digjitale, u krijuan video edukative online dhe u zhvillua një platformë e specializuar për aftësitë digjitale. Përveç kësaj, u zhvillua një fushatë për promovimin e edukimit digjital me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për përfitimet e aftësive digjitale tek gratë në rajonet e synuara.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrëset theksuan se kanë nevojë për trajnime për të mësuar se si të përdorin mjetet digjitale.

“Arsimimi digjital është çelësi për pavarësinë dhe përparimin tonë, dhe përveç kësaj, platformat digjitale mund të na ndihmojnë të shesim produktet tona dhe të qasim tregje të reja”, thanë ata.

Gratë e përfshira në projekt theksuan se për to shoqërimi i ndërsjellë është i një rëndësie të madhe për shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e veprimit.

“Ne kemi nevojë për programe shtetërore që do të mbështesin përpjekjet tona për përfshirjen digjitale, si dhe kemi nevojë për mbështetje nga organizatat dhe kompanitë joqeveritare në vend”, thanë gratë pjesëmarrëse.

Ata deklaruan se rolet dhe stereotipat tradicionale në zonat rurale shpesh i kufizojnë ata nga përdorimi i teknologjisë dhe pjesëmarrja në ekonominë digjitale.

“Pjesëmarrësit morën njohuri bazë dhe të avancuara të përdorimit të mjeteve dhe teknologjive digjitale, si kompjuterët, interneti, rrjetet sociale dhe aplikacionet e ndryshme, duke rritur kështu besimin e tyre në përdorimin e teknologjive digjitale për qëllime personale dhe profesionale. Me këtë, gratë e trajnuara mund të përdorin aftësitë e tyre të reja për të hapur apo zgjeruar bizneset e tyre, si dhe për të kërkuar një punë që kërkon aftësi digjitale”, tha Florent Bajrami, kryetar i Shoqatës “Vlerat e Përbashkëta”.

Bajrami theksoi se është e nevojshme të krijohen politika dhe të investohet në programe arsimore për mbështetjen e grave në zonat rurale.

“Me zbatimin e këtij projekti të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni dhe Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor, përveç përmirësimit të aftësive, ne gjithashtu ngritëm ndërgjegjësimin e publikut për barazinë gjinore dhe promovuam rëndësinë e këtij lloj edukimi për gratë në zonat rurale”, përfundoi kryetari i Shoqatës “Vlerat e Përbashkëta”.

Barazi gjinoreDigjitalizim