RMV, Qeveria mori vendim për kthimin e çmimeve të vjetra të sigurimit gjatë regjistrimit të automjeteve

Kostoja e sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë po rikthehet në nivelin e para 25 prillit. Ky vendim është marrë në seancën e djeshme të qeverisë. Vendimi është marrë pas propozimit të Komisionit të Sigurimit të Autopërgjegjësisë pranë Ministrisë së Financave, i cili i ka dorëzuar Qeverisë informacion me propozim-ndryshime dhe shtesa në tarifën e primeve për sigurimin e pronarëve të mjeteve motorike nga përgjegjësia për dëmet e shkaktuara palëve të treta, transmeton Portalb.mk.

Me ndryshimet dhe shtesat, siç thuhet nga shërbimi për shtyp qeveritar, përcaktohet një diapazon nga 15 deri në 30 përqind, në të cilin kompanitë e sigurimit mund të përcaktojnë pjesën e primit për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të përgjegjësisë automobilistike.

“Për shumën e shpenzimeve mbi 30 përqind është paraparë që kompanitë e sigurimit të kërkojnë pëlqimin paraprak nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Gjithashtu në njoftim shtohet se është konstatuar se Komisioni i Sigurimit të Autopërgjegjësisë, jo më vonë se data 30 shtator, çdo vit, i paraqet Qeverisë propozimin për normën minimale dhe maksimale të primit të sigurimit teknik për vitin pasardhës.

Ministria e Financave njoftoi pasditen e sotme se Komisioni i Sigurimit të Autopërgjegjësisë përcaktoi nevojën për ndryshime në tarifën e primeve të sigurimit dhe përgatiti propozimin për ndryshime që e kthejnë çmimin e sigurimit të autopërgjegjësisë në nivelin që ishte para 25 prillit të këtij viti.

Vendimi është epilog pas mbledhjes së re të djeshme në Ministri, pasi kompanitë e sigurimeve me iniciativën e tyre e rritën me 15.4 përqind çmimin e policës së sigurimit të detyrueshëm për regjistrimin e automjeteve.

Komisioni pranë Ministrisë së Financave propozoi ndryshime në tarifën e primeve të sigurimit, me të cilat kostot e kryerjes së veprimtarisë së shoqërive të sigurimit kufizohen në 15 deri në 30 për qind të primit teknik, gjë që do të kthejë çmimet e vjetra.

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS), e cila është rregullatori i tregut të sigurimeve, ka njoftuar se lëvizja me të cilën kompanitë e sigurimit rritën çmimet e sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë automobilistike është krejtësisht e pajustifikuar, si dhe se rritja e çmimit të sigurimeve është duke mos punuar në forcimin e mbrojtjes së të siguruarve.

Komisionit kompetent në Ministrinë e Financave, Agjencia i dorëzoi një analizë me argumentet kryesore kundër rritjes së çmimit të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë.

Ministria e Financave (MF)Qeveria e Maqedonisë së VeriutVetura - Automjet - Automobil
Comments (1)
Add Comment