RMV, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për rrezikim të sigurisë së një gazetareje

Prokuroria Themelore Publike Shkup sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar aktakuzë kundër 31-vjeçarit, banor i fshatit Gërçec, për veprën penale të rrezikimit të sigurisë. I pandehuri e ka kërcënuar viktimën përmes sistemit informativ se do të kryejë vepër penale ndaj saj për të cilën është paraparë dënim me burg prej pesë vitesh ose dënim më të rëndë, transmeton Portalb.mk.

“Kërcënimet i ka bërë për shkak të statusit të saj social si gazetare dhe në lidhje me kryerjen e detyrave të saj profesionale, të cilat ajo i merrte në kuadër të kompetencave të saj. Me qëllimin për ta shqetësuar dhe trembur, ai përmes një profili të rremë në një rrjet social i ka dërguar mesazhe kërcënuese gazetares duke i kërkuar që të fshinte një tekst që kishte shkruar dhe publikuar, duke e bërë viktimën të ndihej e kërcënuar, e pasigurt dhe e frikësuar”, thonë nga Prokuroria.

Ministria e Punëve të Brendshme pas urdhrave të prokurorit publik ka identifikuar autorin e veprës penale. Me këtë, nga gjithsej pesë sulme të regjistruara ndaj gazetarëve dhe mediave gjatë vitit 2023, për të cilat ka paralajmëruar Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, në tri raste është identifikuar autori dhe është iniciuar procedurë. Prej tyre, në dy raste, në bazë të akuzave të parashtruara, tashmë është shqiptuar aktgjykim ndaj autorëve të veprës penale.

Shoqata e Gazetarëve të Madonisë (ShGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik (SPGPM) shprehin shqetësimin për gjuhën e urrejtjes kundër gazetarëve, veçanërisht gazetareve, në rrjetet sociale në vend. “Ky trend shqetësues paraqet një kërcënim serioz për lirinë e mediave dhe minon vlerat dhe parimet demokratike që Maqedonia dhe partnerët e saj ndërkombëtarë i mbështesin. Përveç kësaj, presione të tilla krijojnë një ndjenjë pasigurie dhe shkaktojnë autocensurë në hapësirën mediatike”, thonë nga Shoqatat e Gazetarëve.

Gazetarë - Gazetari - MediaKërcënimProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV