RMV, priten vërejtjet e KE-së për agjendën e reformës, kësti i parë i parave nga Plani i rritjes duhet të arrijë në shtator

Të presim komentet nga Komisioni Evropian deri në fund të muajit, pastaj do të ndajmë detajet e dokumentit të dërguar në Bruksel, tha ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani, i pyetur për përmbajtjen e agjendës së reformës, gjegjësisht a përfshinte draft versioni shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, propozim i Qeverisë, i cili u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

“Jo se nuk e di, por nuk dua të ndaj informacione që nuk jam i autorizuar t’i ndaj. Ato janë informacione nga ministritë kompetente dhe prandaj nuk mund t’i ndaj. Kur të marrim një përgjigje zyrtare nga KE, sigurisht që do t’i ndaj”, thotë Murtezani.

Sipas Murtezanit, pjesa e parë e mjeteve të ndara nga BE-ja me Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të transferohet në gjysmën e dytë të shtatorit, pas përfundimit të procedurave.

“Më 14 korrik, Qeveria ka miratuar draft versionin me dokumentet shoqëruese të agjendës së reformës dhe është dërguar për konsultim të brendshëm. Ne duhet të marrim vërejtje deri më 31 korrik, në mënyrë që qeveria të miratojë versionin përfundimtar të agjendës së reformës. Pas miratimit, vijon nënshkrimi i marrëveshjes për instrumentin e reformës dhe rritjes dhe marrëveshja e kredisë dhe ratifikimi në Kuvend. Shpresojmë që kësti i parë të arrijë në pjesën e dytë të shtatorit”, ka shpjeguar Murtezani.

Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli. 750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.

Synimi i Planit të Rritjes është që nëpërmjet integrimit të forcuar ekonomik të vendeve të rajonit mes tyre dhe me BE-në, të fillojë gradualisht të zvogëlohet diferenca në standardin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Unionit.

Që ky integrim të ndodhë, nevojiten reforma që secili vend të merret fillimisht vesh me Brukselin, me afate dhe detyra specifike, ndërsa zbatimi i tyre do të inkurajohet me burime financiare.

Në kuadër të fondeve nga BE-ja, Murtezani po ashtu ka treguar se është e nevojshme të forcohet kuadri për strukturën IPA në institucione sepse, siç tha ai, paratë nga Plani i Rritjes mund të vihen në pikëpyetje.

“Jemi në fazën e fundit të miratimit të agjendës së reformës, e cila do të na mundësojë akses në 750 milionë euro shtesë burime financiare. Perceptimi im i deritanishëm është se nëse nuk e forcojmë strukturën e IPA-s me staf profesional, do të kemi akses vetëm në ato mjete, por nuk do të mund t’i absorbojmë të gjitha”, tha Murtezani.

Ndryshe, plani i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023, i njëjti bazohet në katër shtylla. E para, forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së. E dyta, forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. E treta, përshpejtimi i reformave fundamentale. E katërta, rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në muajin maj, Komisioni Evropian i siguroi 50 milionë euro kredi për Maqedoninë e Veriut. Ky është kësti i parë i operacionit të Ndihmës Makro-Financiare (NMF) në vazhdim për vendin.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEMinistria për Çështje Evropiane (MÇE)Orhan MurtezaniPlani i BE-së për rritje (zhvillim) Ballkani Perëndimor