RMV, mos-dorëzimi i të dhënave në KSHPK për automjetet zyrtare, ministritë thonë që fajet i ka udhëheqësia e kaluar

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në raportin e tij special, plasoi informacione shqetësuese për transparencën e ulët në institucionet e vendit. Nga gjithsej 1.557 institucione, 826 institucione nuk kanë dorëzuar fare informacionin e nevojshëm për automjetet zyrtare, përkatësisht të japin të dhëna për numrin, llojin, targën dhe gjendjen e drejtimit të mjeteve motorike që disponojnë, 10 prej tyre janë ministri. Ndërkohë, vetëm 402 institucione kanë dorëzuar në kohë informacionin e kërkuar. Portalb.mk, pyeti disa nga ministritë se përse nuk është vepruar sipas kërkesës së KSHPK-së, disa prej të cilave u përgjigjën se për këtë duhet të përgjigjet lidershipi i kaluar.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Kjo ministri, në përgjigjen për Portalb.mk, thotë se nuk mund të përgjigjen për veprimet e udhëheqësisë së kaluar.

“Nuk do të dinim të përgjigjemi përse në kohën e mandatit të ministrit të kaluar, institucioni nuk ka vepruar sipas kërkesës së KSHPK-së dhe nuk ka dhënë informacion Nëse kërkohet përsëri nga ana e KSHPK-s, sigurisht që do të veprohet”, thuhet në përgjigjen e MASH-it.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministria për marrëdhënie ndërmjet bashkësive

Edhe kjo ministri, ka përgjigje identike si ajo e MASH-it, duke shtuar se pyetja jonë duhej t’ drejtohej udhëheqësisë së kaluar.

“Sipas sa më sipër dhe faktit që Raporti Special i referohet periudhës parazgjedhore, në të cilën Ministria aktuale e Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve drejtohej nga një ministër tjetër, pyetja juaj duhet t’i drejtohet lidershipit të mëparshëm. Ne jemi në dispozicionin tuaj për të gjitha pyetjet e ardhshme dhe, natyrisht, për bashkëpunimin e ardhshëm”, thonë nga MMNB.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme

Nga ana tjetër, kjo ministri edhe pse qëndron në listën e ministrive që nuk ka dorëzuar informacion për posedimin e automjeteve, në përgjigjen për Portalb.mk, thotë se e ka përfunduar në tërësi detyrën e saj.

“Në lidhje me pyetjen tuaj, ju informojmë se detyrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme për dërgimin e informacionit pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka përfunduar në tërësi”, thonë nga MPJTJ.

Ministria e Punëve të Jashtme, Shkup. Foto: Portalb.mk

Ndryshe, analiza e të dhënave për automjetet zyrtare nga ana e institucioneve, thotë KSHPK në raportin e saj, tregon probleme serioze që mund të tregojnë për rreziqe të mundshme korrupsioni dhe mungesë transparence, shkruan Portalb.mk. Nga gjithsej 1.557 institucione, vetëm 402 institucione kanë dorëzuar në kohë informacionin e nevojshëm.

“Më shqetësues është fakti se 826 institucione nuk kanë dorëzuar fare informacion, 10 prej tyre janë ministri. Kjo paraqet një mangësi serioze në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe mund të tregojë një fshehje të vetëdijshme të informacionit për të shmangur mbikëqyrjen. Mossigurimi i të dhënave nga një sërë institucionesh, përfshirë ministritë, është veçanërisht problematik pasi këto institucione menaxhojnë burime të konsiderueshme dhe fonde publike, të cilat mund të tregojnë abuzime të mundshme, ku automjetet zyrtare përdoren për qëllime personale ose partiake dhe jo për nevoja të institucionit”, thuhet në raport.

Kjo përqindje, shtohet më tej, është alarmante e ulët dhe tregon për probleme të mundshme sistematike për sa i përket llogaridhënies dhe respektimit të detyrimeve ligjore. Gjithashtu, 329 institucione kanë dorëzuar të dhëna, por jashtë afateve të përcaktuara.

“Kjo vonesë mund të jetë shenjë e disiplinës dhe vetëdijes së pamjaftueshme për rëndësinë e transparencës, por mund të tregojë gjithashtu zvarritje të qëllimshme për të mbuluar parregullsitë e mundshme në përdorimin e automjeteve zyrtare”, thekson raporti.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk

Kujtojmë se edhe pse në bazë të Kodit Zgjedhor, nëse subjektet nuk dorëzojnë të dhënat e kërkuara, KSHPK-ja është e detyruar të fillojë procedimin penal brenda 15 ditëve nga data e afatit për dorëzimin e të dhënave. Megjithatë, në Kodin Zgjedhor nuk ka sanksione kundërvajtëse për mosplotësimin e formularit të parashikuar, për çka KShPK nuk ka mundësi të ngrejë procedim kundërvajtës mbi këtë bazë. Edhe pse kanë kërkuar ndryshime që do t’i mundësonte ndjekje penale, propozimi i tyre nuk është pranuar, thanë nga Antikorrupsioni për Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut mbetet një regjim hibrid në raportin e fundit të Freedom House “Kombet në tranzit”. Freedom House në atë kategori vendos 11 vende, të cilat kanë karakteristika të autokracisë dhe demokracisë. Për shkak se ato nuk i përkasin plotësisht asnjërit bllok, institucionet e tyre janë të cenueshme, gjë që në vitin 2023 ka çuar në më shumë regres sesa avancim, thuhet në raport.

Komisioni për Antikorrupsion RMVMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive (MMNB)