RMV, lutemi për shi – në verë që t’i shuajë zjarret, në dimër që ta reduktojë ndotjen

Temperaturat e larta dhe periudha e gjatë me thatësirë ditëve të fundit kanë si rezultat zjarre katastrofike në mbarë vendin tonë. Flakët po i gllabërojnë pyjet, po shkatërrojnë biodiversitetin dhe habitatet e shumë llojeve të kafshëve dhe bimëve, si dhe i vënë ne rrezik njerëzit dhe shtëpitë e tyre, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimet klimatike tashmë prej kohësh janë bërë realitet, ndërsa pasojat e tyre i shohim dhe i ndjejmë për çdo ditë. Temperaturat, thatësira, zjarret nuk janë më një befasi. Përkundrazi, për çdo vit i presim gjithnjë e më shumë, por si edhe deri më tani sërish është e qartë se nuk jemi aq sa duhet të përgatitur për t’i luftuar ato. Me sa duket nuk kemi mësuar nga përvoja dhe mësimet e viteve të kaluara, kështu që tani, si në shumë situata më parë, jemi të detyruar të lutemi që të bjerë shi e të na ndihmojë që të mos na digjen pasuritë tona të vlefshme.

“Ndikimet e ndryshimeve klimatike tani nuk mund të evitohen më, e nëse nuk ndërmarrim veprime të menjëhershme ato ka gjasa që vetëm të përkeqësohen”, thotë profesori Jane Acevski nga Fakulteti i Pylltarisë “Hans Em”.

Ai thekson se zjarret e mëdha prej vitesh po shkatërrojnë një nga thesaret tona më të mëdha kombëtare, pyjet, ndërsa institucionet i përsërisin të njëjtat gabime dhe nuk punojnë për parandalim dhe adaptim. Përzgjedhja e drejtë e llojeve të drunjve që janë rezistente ndaj zjarrit dhe përdorimi i teknologjisë për parandalim janë mënyrat kryesore për ta zvogëluar rrezikun nga situatat si ajo që po ndodh për momentin në vendin tonë.

“Zjarre do të ketë gjithmonë, por numri dhe dëmet e tyre mund të reduktohen në mënyrë drastike nëse zbatohen masat e duhura. E para është përshtatja natyrore nëpërmjet përzgjedhjes së saktë të llojeve të drunjve që do të mbillen, e që janë rezistente ndaj zjarrit dhe ripërtërihen shumë më shpejt. Sigurisht që ato duhet të jenë lloje autoktone, siç është tek ne lisi, për dallim nga pisha e zezë apo selvia, të cilat mbillen shumë, por edhe digjen shpejt. Masa e dytë është aplikimi i teknologjisë që e kemi në dispozicion dhe që mund të ndihmojë në zbulimin e zjarreve që në fillim dhe në këtë mënyrë ta reduktojë dëmin në minimum. Investimet në Pyjet Nacionale, në potencialin njerëzor që do të jetë vazhdimisht në terren dhe në pajisjet monitoruese dhe gjurmuese si kamerat termale, dronët, satelitët etj. janë shumë më të vogla se sa dëmet që i pësojmë nga këto zjarre shkatërruese”, thotë Acevski.

Ai thekson se nëse bëhet në mënyrë joprofesionale pyllëzimi mund të ketë efekt të kundërt nga ai që ne presim. Përveç mbjelljes së llojeve të gabuara të drunjve, problem është edhe fakti që pas mbjelljes së këtyre pemëve nuk zbatohen masat e kultivimit dhe menaxhimit, ose me disa fjalë, nuk ka kujdes nëse do të mbijetojnë dhe si t’i mbrojmë. Acevski po ashtu thekson se institucionet nuk konsultohen me profesionistët shkencor as në situata krize, siç është tani kjo me zjarret, e as kur duhet të planifikohen aktivitete për parandalim.

Për momentin aktive janë dhjetëra zjarre çdo ditë shfaqen të reja, disa shuhen më shpejt, ndërsa disa, siç është zjarri në malin Serta në Komunën e Shtipit, kaplojnë një sipërfaqe më të madhe dhe shkaktojnë dëme të mëdha. Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, paralajmëroi se zjarret shpërthejnë në mënyrë të papritur dhe të paparashikueshme, në shumë lokacione të ndryshme në të njëjtën kohë, të cilat me shpejtësi i konsumojnë resurset e pakta që ne i kemi, prandaj këto ditë për shuarjen e tyre institucionet në Maqedoni kanë marrë mbështetje nga disa vende.

Është e qartë se në të ardhmen ngrohja globale do të shkaktojë mot gjithnjë e më ekstrem. Verat do jenë me temperatura ekstremisht të larta dhe zjarre gjithnjë e më të tmerrshme. Rritja e temperaturës mesatare tashmë është e dukshme, sidomos në disa pjesë të Evropës Jugore, përfshirë këtu edhe në Ballkan. Valët e të nxehtit që zgjasin më shumë se gjashtë ditë dhe zgjasin një muaj të tërë, janë gjithnjë e më karakteristike për muajt e verës dhe shkaktojnë dëme të mëdha në shumë sektorë dhe jo rrallë herë përbëjnë kërcënim për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin jetësor. Krahas valëve të të nxehtit, për vendin tonë janë gjithnjë e më karakteristike edhe ngjarjet ekstreme të motit, si erërat e forta, përmbytjet e rrëmbyeshme, breshri, stuhitë, si dhe degradimi i tokës, erozioni, thatësira dhe shkretëtirëzimi afatgjatë.

Bojana Stanojevska Pecurovska nga Qendra për Ndryshime Klimatike thotë se si pasojë e mungesës së resurseve është e vështirë të ballafaqohemi me zjarret që kanë qenë aktive në javët e fundit, si rezultat i të cilave po humbasim një sipërfaqe të konsiderueshme të sipërfaqeve pyjore dhe tokës së punueshme.

“Ne ende nuk i kemi përllogaritur efektet negative në cilësinë e ajrit dhe emetimet shtesë të gazeve serrë, si dhe pasojat dhe humbjet e tjera të dëmshme, por mbetet e paqartë se pse nuk po bëjmë më shumë në parandalimin e situatave të tilla dhe efekteve të mundshme negative që e dimë se mund të ndodhin dhe se nga viti në vit janë një kërcënim gjithnjë e më i madh për vendin”, pyet Stanojevska Pecurovska.

Ajo thekson se duhet të kemi një koordinim më të mirë në nivel kombëtar, pra shteti duhet t’i prioritizojë këto probleme dhe të ndajë më shumë fonde për parandalimin, por edhe për reagimin e duhur në rast të shfaqjes së tyre. Të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe komunat, të cilat sipas analizave të Qendrës për Ndryshime Klimatike, ndajnë shumë pak mjete për mbrojtje dhe shpëtim, e aq më pak për parandalim, përforcim të kapaciteteve dhe ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve.

Edhe pse komunat kanë hartuar plane për mbrojtje dhe shpëtim dhe reagim në rast të gjendjeve të krizës, atyre u mungon zbatimi, e sidomos buxhetimi adekuat dhe përcaktimi i mjeteve të mjaftueshme fillimisht për parandalim, e më pas për reagim në rast të fatkeqësive natyrore.

“Ajo që duhet ta ofrojmë në nivel kombëtar është një plan për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, ku të gjitha këto aspekte do të merren parasysh dhe do të mund të përballemi në mënyrë strategjike me sfidat. Pastaj është e nevojshme që këto aspekte të integrohen në të gjitha departamentet dhe të ketë një koordinim më të mirë të të gjithë sektorëve që janë relevant për të siguruar përshtatje ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike që po na kanosen. Bashkë me përshtatjen duhet të planifikojmë edhe mbrojtjen dhe reagimin në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Vetëm kështu mund të presim një qëndrueshmëri më të madhe dhe reduktim të humbjeve dhe dëmeve në sektorët më të prekur nga efektet e ndryshimeve klimatike”, përfundon Stanojevska Pecurovska.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut  ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Ndërkohë është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00. 

EkologjiMotiNdryshimet klimatikeQendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVTemperatura të lartaZjarrZjarrfikës