RMV-ja për herë të parë u bë me doracakun e shenjave në gjuhën shqipe, Kasapi: Është përfshirë edhe aplikacion falas në telefon

Valdeta Kasapi dhe Adelina Haskaj janë përpilueset e doracakut ” Gjuha e shenjave – Shqip” që ka plotësuar mungesën e madhe prej kohësh për një libër të tillë, dhe që i ka detyruar personat me pengesa në dëgjim të mësojnë me gjuhën e shenjave në gjuhën maqedonase, njofton Portalb.mk

Libri u promovua mes shumë të pranishmëve që ia dinë vlerën këtij publikimi. Ngjarja u zhvillua dje, në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup ku Valdeta Kasapi njëkohësisht është dhe hulumtuese shkencore në këtë institucion.

Mungesa e një përpilimi të tillë ka bërë që njerëzit me probleme me dëgjimin të mësojnë në gjuhë të huaj gjuhën e shenjave, ndërsa kjo ka qenë nxitja fillestare e autoreve që tu vijnë në ndihmë personave të komunitetit të tyre duke u ofruar gjuhën e shenjave, në gjuhë amtare, gjegjësisht atë shqipe.

Kasapi tha se ky është projekti i parë që e bëjnë në këtë sferë të komunikimit dhe se projekte më të mëdha do të vijnë në vazhdim. Ajo si doktore shkencash e komunikologjisë dhe Adelina Haskaj si surdologe, defektologe që punon me fëmijë me nevoja të veçanta, me profilin kërkimor që vjen nga këto fusha, kanë ndërlidhur një bashkëpunim që ka dhënë rezultat të mirë e që shumë shpejt do të zgjerohet edhe më.

Libri në fillim përmban një elaborat për rëndësinë e gjuhës së shenjave, fjalë vlerësuese nga recensenti profesori Avzi Mustafa i cili vlerëson lart këtë punë duke e quajtur doracak me vlera shumëdimensionale, i pari i këtij lloji në vendin tonë. Ai ka theksuar rëndësinë e kësaj pune humane me shumë kompetencë nga dy përpilueset, pasi sipas tij, fëmijët shurdhmemecë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut rriten pa pasur mundësi të mësojnë në gjuhën e tyre, por detyrohen të mësojnë në gjuhën maqedonase.

Libri përmban simbolet orientuese, alfabetin e shenjave, numrat, pjesët e trupit, stinët e vitit dhe ndryshimet e motit, ditët e javës, muajt e vitit, pemët, perimet, përemrat vetorë, shenjat e përditshme, ngjyrat, rreth shkollës dhe në fund janë shoqëruar me histori nga persona të shurdhër që i kanë takuar gjatë punës gjashtëmujorëshe.

Fotografi nga ngjarja

Për Portalb.mk Valdeta Kasapi ka dhënë më shumë sqarime lidhur me këtë projekt.

Portalb: Si filloi ky projekt?

Valdeta Kasapi: Për të folur se si nisi kjo punë, e cila për mua, përveç profesionale do të jetë edhe humane, do të duhet gjatë, por unë do të mundohem në mënyrë më të shkurtë të mundshme ta shpjegoj. Gjatë hulumtimit të doktoratës sime, duke qenë se bëra paralele të përdorimit të gjuhëve në televizionet nacionale në shtetet multietnike e multikulturore, kuptohet duke filluar nga vendi ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut, Kosovën si shtet fqinjë dhe shumetnik, si dhe Belgjikën si shtet me shumë kolorite gjuhësh si anëtare e Bashkësisë Evropiane dhe shtet i familjes evropiane, ku edhe ne synojmë.

Të gjitha intervistat dhe hulumtimet që realizova në Belgjikë, përveç që i kishin të etabluara, sistemuara dhe të organizuara mediat sipas rregullave shumë gjuhësinë, mediat atje pa e dalluar nga gjuhët tjera e kishin të sistemuar edhe gjuhën e shenjave, e cila reflektonte si kulturë komunikimi dhe jo si problem komunikimi.

Përfshirja e gjuhës së shenjave në gjuhën maqedonishte është edhe në televizionet nacionale në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq te ato shqipfolëse, jo. Ndërkohë, gjatë analizës së historikut të servisit publik, më saktë, redaksisë shqipe të Radio Televizonit të Maqedonisë, diferencimit të kryeredaktorit të atëhershëm, Mendu Ajdinit, u ndez drita, për të cilën nuk kisha hapësirë për ta shtruar në tezë, por menjëherë pas fillova ta trajtoj këtë çështje.

Kopertina e librit bashkë me disa faqe nga brenda

Portalb: Pse bash ky moment ka qenë nxitja e një ideje, sot e vënë në vepër?

Valdeta Kasapi: Ja po ua shpjegoj…pas largimit tij nga pozicioni i kryeredaktorit, pushteti atëhershëm e sistemon në një redaksi pa asnjë gazetar dhe i japin rolin e një pjesëtari të një grupi gazetarësh nga mbarë ish Jugosllavia që do të merren me gjuhën e shenjave, duke e marrë shembullin e Sllovenisë. Nuk kisha nevojë të pyes se vallë vetëm me gjuhën e shenjave maqedonase, sepse duke e marrë parasysh faktin që, redaksia shqipe me shumë vështirësi është lejuar që të transmetoj program në gjuhën shqipe edhe atë 15 minuta në çdo dy javë, e mos të flasim për një gjuhë të shenjave për të cilën ose nuk ka ekzistuar kultura, ose me qëllim është anashkaluar.

Edhe tani, kisha disa momente ku filluam të luftojmë së binduri se gjuha e shenjave na qenka e njëjtë apo universale. Ndonjëherë, hamendem vallë janë aq të paditur, të panjohura apo po shtirren. Gjithsesi, vazhdova duke hulumtuar materiale pikërisht të kësaj gjuhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Materialet me të cilat mësohet atje. Këtu nuk mund të mos e përmend përkrahjen e drejtorit të ITSHKSH-së, Skender Asani. Përpilova elaboratin të cilin e kemi dorëzuar në Ministrinë e Arsimit rreth përpilimit të këtij libri dhe kyçjes së materialit në shkollat fillore. Sepse, ne si shtet kemi shumë paradokse. Si mund ta shpjegojmë kur thuhet se mësimi inkluziv në Maqedoninë e Veriut zhvillohet pa pengesa, kur ke mangësi apo mungesë të kuadrove, apo shkurt thënë ti nuk ke as gjuhë të këtij komuniteti të shurdhmemecëve, gjegjësisht as materiale të gjuhës së shenjave.

Kopertina e librit

Portab: Ç’përmban tjetër përveç librit ky doracak?

Valdeta Kasapi: Në elaborat, përpos përpilimit të një libri, apo Doracaku për mësim të gjuhës së shenjave, gjithashtu kam përfshirë edhe një aplikacion falas në telefon dhe mundësi edhe për kompjuter që të mundet çdo person ta mëson këtë në formë digjitale, e sidomos familjarët, të cilët në familjet e tyre kanë persona me probleme me dëgjim dhe çdo kush që të shpreh dëshirë. Gjithashtu e dorëzuar në Ministrinë e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës.

Nga të dyja përgjigje për ndihmesë nuk kam marr, përpos nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit, se neve na jepet e drejta për të vepruar në këtë drejtim. Nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, morëm grant i cili më lehtësoj sado pak çështjen e realizimit të botimit të librit, ndërkohë hapat e tjerë besoj se institucionet përkatëse nuk do të qëndrojnë të heshtura për këtë mision, që sipas meje është një fushë e paprekur më parë, jo e lehtë, nuk them si problem komunikimi, gjithnjë flas si kulturë komunikimi.

Këtë e dëshmon fakti që RTMV në gjuhën shqipe sa kam njohuri unë veç më ju ka skaduar afati i fillimit të edicioneve informative apo debateve që duhet të interpretohen përmes gjuhës së shenjave, shqip. Ka ligj…, së shpejti presim të sillet vendim në çdo institucion të ketë të punësuar “interpretues”. Ne jemi vonë, mos të them shuuuumë vonë, afër një shekulli, krahasuar me etnitetin maqedonas, pa e krahasuar me gjuhët botërore.

Dua të arsyetohemi si shoqëri shqiptare, pse…sepse ne shumë rënd e arritëm apo pak arritëm që gjuha shqipe në vendet ku ka më tepër se 20 për qind shqiptarë të mund të flitet zyrtarisht, por gjithsesi, tani është momenti duhet të veprojmë, duhet të reflektojmë”.

Fotografi nga përmbajtja

Portalb: Sa ka qenë i vështirë si projekt ?

Valdeta Kasapi: Zakonisht kur shoh përkrahje për një iniciativë që marr, nga natyra nuk e ndjej lodhje, e sidomos për këtë komunitet për të cilin mendoj se ju kemi borxh ne si individ, si shoqëri, si udhëheqës, etj. Qëllimi im është d.m.th. Faza e parë e përpilimit të librit për mësim fillestar kaloj, nuk mund të them se gjithçka është përfshirë, na pret edhe një doracak tjetër i cili do përfshinë më tepër gramatikën.

Dua të cek edhe këtë gjë përderisa flas për Shqipërinë, se alfabeti është marrë nga Libri i i Shqipërisë, Gjuha e shenjave shqipe 1, e përpiluar nga Shoqata Shqiptare e njerëzve që nuk dëgjojnë(ANAD), jo të Kosovës, sepse synojmë në të ardhmen të bisedojmë bashkë me ekipin e Shqipërisë, por edhe Kosovës për unifikim të disa materialeve të cilat mund të korrespondojnë me programet këtu. Më tepër u mbështetëm në materialin e Tiranës, sepse aty gjetëm gjuhën standarde, për të cilën jemi fanatik. Nuk mund të mos e përmendim edhe ndihmesën e personave me probleme në dëgjim dhe të folur, në vendin tonë.

Portalb: Cilat janë planet në vazhdim?

Valdeta Kasapi: Faza e dytë mbetet trajnimi, për të cilën fazë presim që së shpejti të takohemi me biznesmen nga Shkupi, të cilët janë dëshmuar si përkrahës të mëdhenj financiarë dhe moral për shumë çështje arsimore dhe shëndetësore dhe të cilët kanë treguar interes për këtë gjë. Gjithsesi, pres nga institucionet përkatëse mbështetje në këtë drejtim.

Disa hapa do të duhet të bëhen në mënyrë paralele, edhe trajnimi i disa fascilitorëve, të cilët më pastaj do të trajnojnë edhe të tjerë e kështu me radhë. Më pas çështja e kyçjes së librit në program arsimor, pse mos të ketë një orë në javë, fakultative, në fillim për nxënësit e klasave të ulta, më pastaj të vazhdojmë edhe ne si në Shqipëri, ku janë të përfshira të gjitha lëndët. Fundja edhe në të njëjtën shkollë ku mësojnë nxënësit me probleme me dëgjim maqedonas, le të formohet një grup me nxënës shqiptarë, për të cilën gjë do të duhet grup pune i veçantë.

Por, pa këto materiale, pa trajnim të personave përkatës nuk mund të bëhet as grupi i nxënësve shqiptarë me probleme të mëdha dëgjimi. Kjo më veç i kalon kompetencat e mija, sepse nuk jam Ministër Arsimi. Thjesht duhet formim i një grupi i cili do të ketë bashkëpunim të ngushtë me institucionet shtetërore.

Qëllimi im është, këtë që ne po e flasim dhe ti po e shkruan në letër, e cila nesër do të publikohet, ky komunitet të mund ta lexon dhe të njihet me çdo gjë që është shqiptare, dhe jo vetëm maqedonase, sepse ju takon. Gjithashtu qëllimi parësor mbetet gjithë ky projekt i menduar me kokë e i nxjerrë në letër, të futet në binarët shtetëror dhe mendoj që misioni im është kompletuar.

Fotografi nga ngjarja
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH)Kultura shqiptareKulturë lajme