RMV-ja ndan shuma serioze për studime jashtë shtetit, por nuk interesohet më për shfrytëzimin e potencialit të atyre të rinjve

Një bursiste shtetërore me një diplomë nga një universitet prestigjioz në Londër ka hequr dorë dhe është larguar për në Holandë pas vitesh pritjeje për punë në një fakultet të Shkupit. Ajo ka qenë pjesë e programit të bursimit të universiteteve më të ranguara në listën e Shangait. Programi është aplikuar në vitin akademik 2011/2012, me qëllim që studentët e talentuar të kthehen në vend si kuadro me kualifikime të larta, së paku për një periudhë të caktuar, e cila përcaktohet në mënyrë konkrete me kontratë, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Shteti nuk i shfrytëzon në mënyrë efikase të rinjtë, për shkollimin jashtë shtetit të të cilëve ndan shuma serioze nga buxheti

Studentja në Londër ka përfunduar me sukses të shkëlqyer dhe fillimisht është kthyer në Maqedoni. Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore nga Shkupi ka dorëzuar menjëherë kërkesë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për ta punësuar atë si asistente, mirëpo me vite nuk kanë marrë përgjigje.

“Pas 5-6 vitesh arritëm disi ta bindim Ministrinë se fakulteti ynë ka nevojë për kuadro të tilla, por mesa duket kolegia është lodhur duke pritur dhe është shpërngulur nga Maqedonia, duke u punësuar në një institucion shkencor dhe arsimor në Holandë”, thotë Davorin Tërpeski, dekan i FSHMN-së.

Më shumë se gjysma e bursistëve nuk janë kthyer

Studentë, Foto: Pexels

Ky rast nuk është kurrfarë përjashtimi, por vetëm një nga shembujt e shumtë të joefikasitetit të programit dhe konstatimet e këtij viti të revizorit shtetëror vetëm e sa e përforcojnë përshtypjen se shteti nuk i përdor në mënyrë efikase të rinjtë për arsimimin e të cilëve, nga ana tjetër, ndan shuma serioze nga buxheti.

Enti Shtetëror i Revizionit në raport shënon se nuk ekziston një sistem efefikas për monitorim se cilët nga bursistët i kanë përmbushur detyrimet e kontratave.

Forumi Arsimor Rinor (FAR) e shpjegon këtë më qartë në hulumtimin e tij “Potenciali i pashfrytëzuar studentor” të botuar në qershor të këtij viti.

“Të rinjtë kur i përfundojnë studimet zakonisht kthejnë vetëm një të dhënë në formë vërtetimi për studimet e kryera. Pas kësaj rruga e karrierës së këtyre studentëve nuk ndiqet fare”, thotë Llucija Çukellovska, një nga autoret e hulumtimit.

Këtë e konfirmojnë edhe bursistët me të cilët ka folur BIRN. Ata thonë se pas përfundimit të studimeve pothuajse nuk ka asnjë komunikim me MASH-in.

“Që kur u diplomovai i dërgova një email MASH-it me dokumentet për t’i informuar se kisha mbaruar, por askush nuk më ktheu ndonjë përgjigje. Nuk më kanë telefonuar dhe edhe unë nuk bëra përpjekje të dytë”, tha një ish-bursist, i cili ka kryer studimet master në fushën e shkencave kompjuterike.

Për këtë trend është në dijeni edhe ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, e cila e ka marrë këtë detyrë pak kohë më parë. Në një bisedë me BIRN ajo thotë se do të bëjë përpjekje që qeveria dhe odat e tregtisë të gjejnë vende pune të përshtatshme për të ashtuquajturit “Shangajas”.

Për këtë qëllim është duke u përgatitur një databazë digjitale për monitorim më të mirë të bursistëve.

Duke punuar në bazën e të dhënave MASH-i ka deri tani marrë të dhëna për 178 bursistë që i kanë përfunduar studimet në pesë vitet e fundit. Prej tyre rreth 60 përqind janë jashtë vendit.

Joefikasiteti kushton thuajse nëntë milionë euro

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kushti kryesor për një bursë të tillë është që studenti të jetë i pranuar në një nga një qind universitetet më të mira në listën e Shangait dhe që nga viti 2015 me vendim të qeverisë është përcaktuar edhe se në cilat fusha jepen bursa.

Aktualisht, Ministria e Arsimit dhe Shkencës jep bursa për studime në: shkenca teknike, arkitekturë, ndërtimtari, matematikë, të drejtë ndërkombëtare, ekonomi dhe financa, fizikë, biologji, kimi dhe gjenetikë.

Nëse studenti pranohet në një nga 10 universitetet më të mira, kriteri i drejtimit eliminohet.

Në katër vitet e fundit, sipas raportit të ESHR-së, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpenzuar rreth 8,8 milionë euro për këta studentë.

Shuma maksimale e paguar nga MASH-i është 40.000 dollarë në vit për një bursist.

Meqenëse shpenzohen para nga buxheti, këto bursa jepen me kusht që studentët pas përfundimit të studimeve të kthehen në Maqedoni dhe të punojnë në këtë vend dy herë më gjatë se sa kanë qenë jashtë vendit.

Ministria deri më tani nuk ka paditur asnjë student që nuk është kthyer në vend, ndërsa nga MASH-i thonë se nuk kanë konstatuar se dikush ka shkelur dispozitat e kontratave.

Domethënë, nëse studenti ka përfunduar studimet universitare që kanë zgjatur katër vjet jashtë vendit, ai duhet të punojë tetë vjet në Maqedoni, ashtu që gjashtë muajt e parë duhet të jetë në dispozicion të shtetit. Nëse nuk ka punë të përshtatshme për të në institucionet shtetërore, ai ka të drejtë të punësohet kudo në shtet.

“Askush nuk më thirri brenda atyre gjashtë muajve, kështu që detyrimi im përfundoi. U punësova në një organizatë ndërkombëtare”, tha një ish-bursist i diplomuar në shkenca politike.

Të gjithë ish-bursistët me të cilët BIRN ka biseduar, kanë pasur përvojë të ngjashme. Pas kthimit asnjëri prej tyre nuk ka punuar në një institucion shtetëror.

Nëse studentët nuk e respektojnë marrëveshjen, ata janë të detyruar të kthejnë një shumë të madhe parash. Për shembull, nëse një student ka marrë shumën maksimale të bursës prej 40.000 dollarësh dhe ka studiuar jashtë vendit për 4 vjet (gjithsej160.000 dollarë) dhe e ka shkelur kontratën, ai do të duhej t’i paguante shtetit 1,6 milion dollarë.

“Nëse kisha 10 herë më shumë, pse do të kërkoja një bursë studimi?” thotë një student në Britaninë e Madhe.

Të tjerë, nga ana tjetër, konsiderojnë se kontrata është shumë e përgjithshme dhe në disa pjesë e paqartë sa i përket detyrimeve të tyre. “Çfarë do të thotë dy herë më shumë, a duhet të jesh i punësuar apo të pranohet edhe kontrata mbi vepër, a lejohet të punosh në një kompani të huaj”, thotë një bursist, i cili pas përfundimit të studimeve master ka përfunduar detyrimin në sektorin privat, ndërsa tani jeton jashtë vendit.

Nuk i kushtohet kujdes tregut të punës

Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës. Foto: MASH

Revizori shtetëror konstaton se Ministria në përcaktimin e programit të bursave nuk merr parasysh se një pjesë e studentëve regjistrohen në programe studimi për të cilat nuk ka mundësi të mëdha punësimi në vendin tonë, si: nanoteknologjia, inteligjenca artificiale, gjenetika, aviacioni, inxhinieria hapësinore, paleontologjia etj.

Epo, kjo është arsyeja pse kur tregu i punës në vend nuk ka vend për kuadro të tilla, është e logjikshme që “Shangajasit” ose të punojnë në vende afërsisht adekuate në vend, ose të ndërtojnë një karrierë jashtë vendit.

I tillë është shembulli i një ish-bursisti, i cili gjatë studimeve është marrë me hulumtime të specializuara në fushën e inteligjencës artificiale dhe shkencave teknike – fusha që ende nuk janë zhvilluar mjaftueshëm në Maqedoni.

Ministrja Janevska thotë se Qeveria dhe odat ekonomike do të përpiqen të gjejnë vende pune të përshtatshme për të ashtuquajturit “Shangajas”.

Për t’i përmbushur obligimet ndaj shtetit ka punuar në një kompani softuerike në Maqedoni.

“Ishte deri diku e lidhur me studimet e mia, por jo aq sa duhet të ishte”, tha ai për BIRN. Tani edhe ai jeton jashtë vendit.

Megjithatë, ata kanë të drejtë të qëndrojnë jashtë vendit nëse janë të punësuar nga 500 kompanitë më të mëdha në botë ose për të fituar përvojë korporative deri në tre vjet. Por duke qenë se mungojnë të dhënat e plota, është e paqartë se për çfarë arsye një numër kaq i madh bursistësh janë ende jashtë vendit.

Nga ministria thonë se një numër i madh i atyre që janë shpërngulur kanë marrë bursa për studime pasdiplomike, të cilat zakonisht zgjasin një ose dy vjet. Kështu, ata fillimisht i kanë përmbushur obligimet e tyre – kanë jetuar në Maqedoni dy deri në katër vjet pas studimeve – pastaj janë larguar nga vendi.

Përsa i përket studentëve që tashmë janë larguar, ministrja nuk e sheh si problem të madh.

“Ata janë ambasadorët tanë, janë më e mira e vendit tonë dhe kudo që janë e përfaqësojnë Maqedoninë. Nuk duhet ta harrojmë këtë”, tha ajo.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Papunësia te të rinjtëStudentëTë rinj - Rini - Rinia