RMV, filloi konsultimi publik për programet mësimore për klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit filluan konsultim publik për programet mësimore nga klasa e shtatë deri në të nëntën, me qëllim që ato të cilat tashmë janë përgatitur të avancohen, ndërsa të rejat që duhet të përgatiten, të përmbajnë sugjerimet, veçanërisht të mësimdhënësve praktikantë, mendimi i të cilëve është më i rëndësishmi në procesin e formësimit të sistemit edukativo – arsimor, thonë nga MASh, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë palët e përfshira në procesin edukativo -arsimor mund të japin sugjerimet e tyre për avancimin e programeve mësimore ekzistuese për klasën e shtatë dhe të tetë që tashmë janë përgatitur dhe të marrin pjesë në hartimin e të rejave për klasën e nëntë, përmes adresave elektronike nastavniprogrami7@mon.gov.mk, nastavniprogrami8@mon.gov.mk dhe nastavniprogrami9@mon.gov.mk.

“Qeveria e re ka shtyrë zbatimin e konceptit për arsimin fillor në klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë, për shkak të reagimeve të shumta në opinion se integrimi i lëndëve vështirëson zbatimin e mësimdhënies, por edhe të vlerësimit, duke krijuar konfuzion sikurse tek mësimdhënësit po ashtu edhe te nxënësit”, thuhet në njoftim.

Siç shtojnë nga MASh-i, pakënaqësia me cilësinë e ulët të procesit edukativo-arsimor inicon ndryshime, të cilat patjetër duhet të krijohen përmes një konsensusi më të gjerë.

“Ftojmë të gjithë të interesuarit ndërsa në veçanti presim proaktivitet nga kuadri mësimdhënës që të dorëzojnë sugjerimet e tyre më së voni deri më 31 gusht. Në interes të transparencës së procesit, MASH dhe BZHA do të ndajnë sugjerimet e marra, ndërsa për sublimimin dhe krijimin e konkluzioneve do të diskutohet në një ngjarje publike”, thuhet në kumtesën e MASh-it.

Programet mësimore të avancuara gjegjësisht programet mësimore të reja do të zbatohen në faza, në vitin 2025 në klasën e shtatë, në vitin 2026 në klasën e tetë dhe në vitin 2027 në klasën e nëntë.

Kujtojmë se më 5 korrik, ministrja e Arsimit Vesna Janevska, paralajmëroi se të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën do të kenë tekste shkollore më 1 shtator, me përjashtim të disa lëndëve të cilat udhëheqësia paraprake në ministri nuk siguruan dhe mund të vonohen me përpilimin e tyre.

Edhe pse paraprakisht tha se për klasën e shtatë nuk mund të ketë tekste shkollore në bazë të programit të ri, më vonë përmes një kumtese MASh njoftoi se edhe nxënësit e klasave të shtata do të kenë tekste shkollore nga shtatori, pasi MASH dhe BZHA gjetën zgjidhje të përkohshme.

Arsimtar(e) Mesues(e) MësimByroja për Zhvillimin e Arsimit RMV (BZHA)Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristë