RMV, 11 zjarre aktive, ndër të cilët me i vështirë për tu shuar është ai në malin Serta

Në Maqedoninë e Veriut, njëmbëdhjetë zjarre janë ende aktive këtë mëngjes dhe për shuarjen e tyre po ndërhyjnë nga toka dhe në disa vende me mbështetje ajrore. Zjarri në malin Serta do të shuhet sot nga ajri dhe toka. Në ndërhyrje do të përdoren helikopterë dhe avionë për shuarjen e  zjarrit ndërsa nga toka do të veprojnë pjesëtarë të Forcave të Armatosura, Ministrisë së Brendshme, zjarrfikës nga disa qytete, ndërmarrjet publike komunale, pyjet kombëtare, gjuetarë dhe vullnetarë të tjerë, transmeton Portalb.mk.

Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov, ka njoftuar këtë mëngjes, se helikopteri turk është nisur për në malin Serta, dhe se të gjitha zjarret janë nën kontroll të pjesshëm, përfshirë edhe zjarrin në Manastir.

“Fokusi ynë gjatë paraditës dhe gjatë ditës do të jetë te zjarri në Serta, përveç nëse zjarret e tjera nuk kërkojnë përdorimin e mjeteve ajrore. Ne do të fokusojmë shumicën e avionëve në këtë zjarr. Ai zgjat prej një kohe të gjatë, por karakteristikë për të është të bie gjatë natës”, tha Angellov.

Ka disa ditë që po vazhdon shuarja e zjarrit në malin Serta, për të cilin Angelov thotë se është më serioz dhe më i vështirë për t’u shuar sepse është një terren jashtëzakonisht i vështirë i prerë nga lugina, terren shkëmbor me kodra, gjemba dhe shkurre të dendura dhe lloje të tjera të bimëve dhe pjesërisht pyjore.

Siç është paralajmëruar, sot në mëngjes pritet të arrijnë dy helikopterë nga Sllovenia dhe një helikopter i madh me ngarkesë prej pesë tonësh nga Serbia, si dhe është paralajmëruar edhe një helikopter nga Mali i Zi.

“Ne do të përqendrojmë një pjesë të mirë të këtyre burimeve në malin Serta dhe në varësi të zhvillimit të situatës dhe një nga zjarret e tjera në pyje, sepse situata ndryshon nga minuta në minutë”, tha Angellov.

Në shuarjen e zjarreve janë përfshirë edhe 103 pjesëtarë të Ushtrisë dhe 30 efektivë të policisë, të gjithë në shuarjen e zjarrit në malin Serta.

Në zjarr është përfshirë një sipëfaqe prej rreth 100 hektarësh, ku digjet bar i thatë, shkurre dhe pyje me përbërje të përzier.

Kryetari i Komunës së Manastirit ka dërguar kërkesë për mbështetje ajrore, pas së cilës pritet konfirmimi nga QMK-ja, nëse do të luftohet ky zjarr nga ajri.

Nga QMK-ja mëngjesin e sotëm thonë se janë duke vepruar ekipe të zjarrfikësve,  nga NP “Pyjet Kombëtare”, shoqatat vullnetare zjarrfikëse dhe popullata lokale.

ManastiriNP "Pyjet e Maqedonisë"Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVStojançe AngellovZjarrZjarrfikës