Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë shënuar gjithsej 30 zjarre në ambient të hapur, 10 prej të cilave janë ende aktive, njofton Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK). Një zjarr në ambient të hapur në Makedonski Brod, afër fshatrave Diveç dhe Sllatinë, është vënë nën kontroll, ku digjet një pyll i përzier dhe janë shuar plotësisht 20 zjarre, transmeton Portalb.mk.
Ditët paraprake, sipas QMK-së, ka pasur raste kur zjarret e shuara janë ndezur sërish.
Për shuarjen e zjarreve përveç zjarrfikësve janë angazhuar edhe dy “airtraktor” të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, dy helikopterë të MPB-së dhe 90 efektivë të ushtrisë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.
Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.