Rezistenca e qenies sipas Sabatos (2)

Ernesto Sabato në sprovën “Vlerat antike” të librit Rezistenca shkroi për mungesën e kohës së lirë dhe “nxitimin e vrullshëm”. Nëse në të kaluarën koha lëvizte me “ritëm të avashtë”, por njeriu ishte më i lirë, sot njeriu nuk i reziston televizionit dhe mediave të reja. Nëse dikur njeriu nuk ikte nga vlerat shpirtërore, nga dinjiteti, vetëmohimi, nderi, respekti për të tjerët, nga perënditë dhe nga sakralja, tani ai është bërë pjesë e botës uniforme, e cila imponohet nga globalizimi. Ky rrezik, shton Sabato, mund të mposhtet duke iu rikthyer vlerave transcendentale dhe vetmisë së fshatit e jo të megapolisit.

“Kurrkush s’mund ta mohojë faktin se i përket një historie të shenjtë: jeta e tij gjithmonë do të jetë nën vështrimin e perëndive”.

Për Sabaton, jeta fiton kuptim nëpërmjet solidaritetit dhe jo nëpërmjet rehatisë individuale apo ngulmimit për realizimin e suksesit personal. Mjerisht, në botën moderne, sipas tij, njerëzit nuk turpërohen prej asgjëje. As kur vjedhin. “A e keni vënë re që njerëzit më s’kanë turp?”.

Sabato porositi që të mos turpërohemi nga vlerat tradicionale dhe kulturat lokale, por as nuk duhet t’i nënvlerësojnë kulturat e tjera. Në botën moderne, ku humbet shumëllojshmëria, njerëzit gjithnjë e më shumë duken si të klonuar dhe fokusohen vetëm te materialja e jo te shpirtërorja. Ata e mbiçmojnë racionalen dhe shpërfillin gjithçka “që logjika nuk arriti ta shpjegonte”.

Sabato i vlerësoi mitet, sepse kanë rëndësi të madhe në jetën njerëzore.

“Gjendja përfundimtare e njeriut është transcendentale… Filozofët dhe artistët, sa herë kanë dashur që ta arrijnë absoluten, është dashur t’i drejtohen ndonjë forme të mitit apo poezisë… Varfërimi më i madh i një kulture është momenti kur një mit nis të përkufizohet si rrenë. Kështu ndodhi në Greqinë klasike… Shoqëritë shkërmoqen kur mitet e tyre e humbasin gjithë pasurinë dhe vlerën që kanë…”

Largimi nga transcendentalja, sipas Sabatos, shkakton atrofizimin e kapaciteteve të thella të shpirtit. Në kësi rrethanash, të rinjtë kërkojnë shteg të ri në fe, pa e njohur thellësinë e besimit që e sjell religjioziteti i vërtetë.

Në sprovën “Mes së mirës dhe së keqes”, Sabato shkroi për origjinën shqiptare të nënës së tij stoike, nga një familje luftëtarësh, e cila i rrëfeu atij “histori të familjes së saj shqiptare”.

Sabato shkroi edhe për moskujdesin ndaj prindërve. Sipas tij, sa më shumë kalon koha, aq më shumë e kuptojmë që prindërit i kemi lënë të vetmuar në vitet e fundit të jetës.

Në këtë sprovë ai sugjeroi edhe një formë të re edukimi, që do të ndikonte për një jetë më njerëzore. Nxënësve duhet t’u thuhet: “Jetojmë në një tokë për të cilën duhet të kujdesemi, sepse varemi nga uji, nga ajri, nga pemët, nga zogjtë dhe të gjitha qeniet e gjalla dhe çfarëdo dëmi që ia bëjmë këtij universi grandioz do ta dëmtojë jetën e ardhshme dhe madje mund ta shkatërrojë atë”.

Arsimi duhet t’i paralajmërojë të rinjtë për “rrezikun planetar” dhe për “mizoritë që luftërat ua kanë shkaktuar popujve.”

“Na nevojiten shkolla që e favorizojnë ekuilibrimin mes iniciativës individuale dhe punës ekipore, që dënojnë individualizmin e ashpër, i cili duket se është përgatitja për Leviatanin e Hobsit, kur thotë që njeriu për njeriun është ujk… Qeniet njerëzore oscilojnë mes shenjtërisë dhe mëkatit, mes mishit dhe shpirtit, mes së mirës dhe së keqes… Jeta është ekuilibër i jashtëzakonshëm mes engjëllit dhe bishës… Përkulem me nderim para atyre që kanë lënë veten të vriten pa e kthyer as edhe një goditje… Qenia njerëzore nuk do të mbijetonte pa heronj, shenjtorë dhe martirë, sepse dashuria, si akt i vërtetë krijues, është gjithmonë fitore mbi të keqen”.

Në sprovën “Vlerat e komunitetit” shkrimtari paralajmëron se jetojmë në botën që rrezikon të shembet, përderisa mbizotëron vullneti për dominim dhe humbet larmia kulturore.

“Kolonializmi dhe perandoritë e çfarëdo tipi, nëpërmjet luftërave të përgjakshme, kanë bërë shkrumb e hi tradita të tëra dhe kanë përdhosur vlera mijëravjeçare, duke e materializuar natyrën dhe pastaj dëshirat e qenieve njerëzore”.

Në botën moderne, sipas Sabatos, degradojnë gjykatat, pushteti nuk bazohet në solidaritet, demokracia si përgjegjësi, diversitet, pjesëmarrje dhe solidaritet, jo vetëm nuk e nxit, por e nëpërkëmb diversitetin. Në këtë botë njeriu e humb lirinë e brendshme. Sipas Gandit, që citohet nga autori, njeriut nuk i jepet liria e jashtme nëse nuk e zhvillon lirinë e brendshme.

Në botën moderne gjithçka është momentale. Masivizimi bën kërdi. Mbivlerësohet argëtimi. Kemi sisteme të korruptuara dhe politikanë të pangopshëm.

“Nuk ka njeri që pasi e ka shijuar pushtetin nuk ka ndërruar, për pak muaj, apartamentin modest me një shtëpi të madhe luksoze, me hyrje të veçantë për makina përrallore. Si s’kanë turp? Nëse kryqëzojmë duart, do të jemi bashkëpunëtorë të një sistemi që ka legjitimuar vdekjen e heshtur… Mosndëshkimi dhe korrupsioni arrijnë të instalohen në shoqëri si pjesë e një realiteti, me të cilin duhet të mësohemi. Si kemi arritur deri te ky degjenerim vlerash në jetën shoqërore?… Nuk duhet të jemi ndihmës të korrupsionit. S’mund të ftoni në televizor njerëz që i kanë kontribuuar mjerimit të njerëzve dhe t’i trajtoni si zotërinj përpara fëmijëve. Ky është turp i madh!”

Sprova “Rezistenca” flet mbi robotizimin e njeriut që jeton me shpejtësi marramendëse në megapolisin e çmendur. Në këtë botë klerikët i kanë humbur altarët, njerëzit i frikësohen lirisë, kurse frika është bërë simptomë e kohës sonë. Për të dalë nga kjo gjendje, duhet ta refuzojmë “asfiksimin e jetës” dhe mos lejojmë të humbasë “hiri i momenteve të vogla të lirisë”. “Bota s’mund t’i bëjë gjë një njeriu që këndon në mjerim”.

“Epilogu” është ftesë për përkushtim ndaj të tjerëve dhe për krijimin e një bote më njerëzore. Sabato i kumtoi njerëzimit edhe një formulë shpëtimi: të rezistojnë sa më shumë për të mirën e njerëzimit dhe të botës, sepse “dorëzimi është frikacakëri”. (Fund)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu