Radhë automjetesh në “Tabanovc”, për hyrje dhe dalje nga vendi, pritje deri në një orë

Në pikën kufitare “Tabanovc” për hyrje dhe dalje nga shteti, koha e pritjes është nga 45 minuta deri në një orë, njofton LAMM, transmeton Portalb.mk.

Nga aty thonë se në pikat tjera kufitare nuk ka më radhë për hyrje dhe dalje nga vendi.

Ndryshe, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në periudhën e kaluar rritja e pritjeve në pikën kufitare “Tabanovc” për hyrje dhe dalje nga vendi është për shkak të nivelit të kuq të deklaruar të rrezikut të sigurisë për terrorizëm në Republikën e Serbisë.

“Policitë kufitare të dy vendeve janë në komunikim të vazhdueshëm me qëllim që të mundësohet qarkullimi i shpejtë dhe i papenguar i pasagjerëve dhe automjeteve, si dhe kontrolli adekuat për shkak të situatës së krijuar”, njofton MPB.

Sipas LAMM, intensiteti i qarkullimit në rrugët jashtë zonave urbane është rritur, andaj rekomandojnë drejtuesit e mjeteve që të rregullojnë shpejtësinë e tyre, të respektojnë sinjalistikën e vendosur dhe të lëvizin me kujdes automjetet e tyre, veçanërisht në rrugët nëpër lugina dhe gryka ku ka dukuri të rrëshqitjeve.

Për qarkullimin e automjeteve të rënda nga 1 korriku deri më 31 gusht në rrugët shtetërore në Maqedoni është vendosur regjim i qarkullimit veror, i cili ndalon lëvizjen e mjeteve të rënda mbi 15 ton gjatë fundjavës dhe në ditët e pushimit në temperatura jashtëzakonisht të larta.

Kufiri në Tabanovc