QMK: Shtatë zjarre janë aktive, një është nën kontroll, ndërsa 16 janë shuar

Në territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 24 zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilat shtatë janë ende aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 16 të tjerat janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Krizat (QMK) në raportin e mëngjesit për gjendjen me zjarret në vend, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të QMK-së, deri në orën 07:30 të mëngjesit, aktive janë zjarret në zonën ndërmjet fshatrave Bela Cërkva dhe Podmoçani në Komunën e Resnjës, ku po digjet pyll me pisha dhe bimësi e ulët, si dhe ndërmjet fshatrave Kopanicë dhe Radushë në Komunën e Sarajit, ku është përfshirë pyll me drurë të ulët dhe bimësi e ulët.

Zjarre aktive ka edhe mbi fshatin Paligrad në Komunën e Zelenikovës, mbi fshatin Nezhilovë në lokalitetin “Svatovi” në Komunën e Çashkës, te fshati Urviç në Komunën e Bogovinës, te fshati Gradec në Komunën e Vrapçishtit dhe te fshati Dragov Dol në Komunën e Makedonski Brodit.

Nën kontroll është vënë zjarri që shtrihet nga zona e fshatit Trnovë në Komunën e Gostivarit drejt fshatrave Bitovë, Zagrad dhe Strajanë në Komunën e Makedonski Brodit, ku ishin përfshirë pyll me drurë të ulët, bimësi e ulët, kullota dhe fier.

Ndërkohë, janë shuar plotësisht 16 zjarre në disa lokacione në mbarë vendin, ndër të tjera në komunat Ilinden, Gjorçe Petrov, Prilep, Dollnen, Resnjë, Bogdanc, Strugë, Dellçevë, Staro Nagoriçan, Jegunovcë, Tetovë, Bërvenicë, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë.

Sipas QMK-së, në këto lokacione kryesisht është djegur bimësi e ulët, ndërsa në disa prej zjarreve janë përfshirë edhe pyje me pisha dhe dushqe.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVZjarr