Qendra për Komunikime Civile (QKC) ka publikuar një studim mbi projektet qeveritare për komunat nga e ashtuquajtura kredi hungareze, me rekomandime specifike për financim më transparent, më të drejtë dhe më të përmirësuar të projekteve të infrastrukturës në komuna. Që nga tetori i vitit 2024, Qeveria ka miratuar një total prej 111.662.612 eurosh për projekte infrastrukturore për komunat nga e ashtuquajtura kredi hungareze. Paratë u ndanë përmes gjashtë ministrive, varësisht nga projektet për të cilat janë të destinuara, transmeton Portalb.mk.
Përfundimi i përgjithshëm i studimit të QKC-së është se fondet e miratuara nga Qeveria për komunat nga kredia hungareze ishin një “injeksion” i rëndësishëm për komunat në muajt parazgjedhorë, duke rritur:
- shumat e shpenzimeve të tyre kapitale në buxhetet e vitit 2025, krahasuar me zbatimin e vitit 2024, me një mesatare prej 92%;
- buxhetet për vitin 2025, krahasuar me buxhetet e zbatuara për vitin e kaluar, me një mesatare prej 37% dhe
- prokurimet e tyre publike në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, me një mesatare prej 40%.
QKC-ja përcaktoi se fondet nuk ishin shpërndarë në mënyrë të barabartë midis komunave, as sipas numrit të banorëve dhe as sipas shumës.
Sipas gjetjeve të hulumtimit, shumica e kryetarëve të komunave i promovuan intensivisht projektet në vitin e zgjedhjeve lokale dhe në periudhën parazgjedhore.
Projektet u kualifikuan si “zhvilluese”, sepse financimi i tyre është parashikuar për një periudhë trevjeçare, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e tyre janë në të vërtetë riparim, rindërtim ose ndërtim rrugësh dhe projekte të ngjashme të infrastrukturës lokale, përfundon QKC-ja.
Hulumtimi tregoi mungesë informacioni të qartë se si do të paguhen kompanitë gjatë një periudhe trevjeçare dhe për projektet e përfunduara në vitin 2025.
Shumica e njoftimeve të prokurimit publik për transhin e parë të projekteve, konstatoi QKC-ja, parashikonin afate të shkurtra për ndërtimin e projekteve, më shpesh deri në tetor 2025, pra deri në muajin e zgjedhjeve lokale.
Në një pjesë të konsiderueshme të komunave të analizuara, ekziston një dominim i një ose disa kompanive që morën kontrata prokurimi publik për ndërtimin e projekteve.
Në dallim nga promovimi i intensifikuar i projekteve në fillim, në vitin 2024 dhe 2025, pothuajse nuk pati njoftime të ngjashme publike në lidhje me uljen e ndjeshme të parave për projektet, pas zgjedhjeve lokale, as shpjegim të arsyeve të uljes së fondeve.
Raporti i QKC-së financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Shpenzime të drejta për zgjedhje të drejta: Monitorimi i prokurimit publik komunal në vitin zgjedhor”.
Raportin e plotë të QKC-së mund ta gjeni në këtë link.
Kredia hungareze u finalizua në vitin 2024 mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Exim Bankës së Hungarisë, me vlerë rreth 500 milionë euro, dhe u prezantua si linjë financimi për mbështetje të ekonomisë dhe realizim të projekteve infrastrukturore në komunat e vendit. Në momentin e nënshkrimit, u theksua se mjetet do të shpërndahen për projekte lokale në të gjitha komunat, pa dallime politike, me fokus në infrastrukturë bazike si rrugë, ujësjellës dhe shërbime publike.
Në zbatimin e fazës së parë, rreth 111 milionë euro të miratuara deri më tani, fondet janë shpërndarë sipas projekteve të dorëzuara nga komunat, ku disa komuna më të mëdha si Manastiri, Tetova, Kumanova dhe Aerodromi kanë përfituar shuma më të larta, ndërsa disa komuna më të vogla më pak.